LAJMI I FUNDIT:

Kurti takim me përfaqësuesit e FMN-së: Përkundër pandemisë, ekonomia ka shënuar një rritje mesatare

Kurti takim me përfaqësuesit e FMN-së: Përkundër pandemisë, ekonomia ka shënuar një rritje mesatare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin Hekuran Murati, Kryeministri i falënderoi për mbështetjen që FMN-ja i ka dhënë Republikës së Kosovës deri më sot.

“Kryeministri Kurti gjatë bisedës tha se ndonëse pandemia ka sjellë tendosje të konsiderueshme duke qenë se po i afrohemi vitit të dytë të pandemisë, performanca e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021, na bën optimistë se kjo do të jetë trajektorja e zhvillimit të vendit edhe për vitet në vijim. Kjo performancë ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga Zyra e Kryeministrit.

Tutje, në njoftim thuhet se “Di Bella përgëzoi Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës, duke e bërë vendin lider në rajon, përkundër faktit që kishte një start të vonshëm në këtë proces. Ai gjithashtu foli mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore, që ishte përtej parashikimeve fillestare. Në lidhje me këtë u shpreh, që Kosova përbënte një rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe, pas lirimit të masave”.

“Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat e suksesshme për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore. Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat, që qeveria jonë dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve”./Telegrafi/