Me rastin e 17 vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i saj Albin Kurti u është adresuar anëtarëve dhe qytetarëve me një fjalim.

Kurti ka thënë se kjo parti gjatë një viti qeverisje ka bërë më të mirën e mundshme për vendin.

Ai ka përmendur se Kosova është përballur me sfida të shumta si pasojë e konflikteve të ndryshme në botë dhe situatës së pandemisë.

“Ka qenë një vit me kriza të shumëfishta që prekën të gjithë njerizimin e nuk na kursyen as neve, por me angazhim e punë, vendosmëri e guxim, dije e me plane kemi arritur të bëjmë më të mirën”.

Kryeministri ka thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale për të mbajtur premtimet e dhëna, derisa sipas tij ndryshimet tashmë qartazi po vërehen.

“Në një vit qeverisje Lëvizja jonë, përveç se e ka bërë prerjen e qartë në të kaluarën, ka dëshmuar se ka qeverisje alternative ndryshe prej asaj që kemi parë në të kaluarën. Ajo ka dëshmuar se mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në Republikën tonë. Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë, me shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon dhe me shkallën më të ulët të vdekshmërisë”.

“Kemi dyfishuar rritjen ekonomike, kemi shtyrë reformën në drejtësi, kemi luftuar krimin dhe korrupsionin, kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve, kemi avancuar aleancën dhe partneritetin me shtetet mike, kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, kemi shërbyer e mbrojtur si asnjë qeverisje e mëparshme… Kudo në Kosovë ne po përpiqemi që nevojat e qytetarëve t’i plotësojmë e të drejtat e tyre t’i mbrojmë. Jini të sigurt se jemi në rrugë të drejtë duke e bërë atë që është më e duhura për ecjen sa më të shpejtë drejt zhvillimit e mirëqenies”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje është duke kaluar në një proces të zgjedhjeve të brendshme.

“Në këtë kohë Lëvizja jonë është duke kaluar një proces tejet të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve të brendshme… Zgjedhjet kanë filluar dhe inkurajoj të gjithë që të marrin pjesë… Kemi thënë në vazhdimësi se gratë, rinia e mërgata janë kategori që u prijnë ndryshimeve në vend, andaj në këtë drejtim në këto zgjedhje për herë të parë do ta kemi organin e rinisë së VV-së dhe atë të gruas”.

“Kurse për mërgatën kemi lehtësuar procedurat për procesin zgjedhor, më shumë hapësirë e më shumë përfaqësim. Ajo që vlen për Kosovën vlen edhe për Lëvizjen tonë, transformimet e mëdha, progresi i hovshëm. Rinia, gratë dhe mërgata dhe vëmendja jonë në zgjedhjet e brendshme është orientuar më se shumti pikërisht tek ata”, tha Kurti.

Bogujevci: Kjo lidhje nuk është vetëm kalendarike, por edhe parimore

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila në këtë ditë shënon datëlindjen e saj, tha se kjo lidhje nuk është vetëm kalendarike, por edhe parimore.

“Kjo lidhje nuk është vetëm kalendarike, por edhe konceptuale e parimore. Nga përbashkimi i shqiptarëve tek ideja e angazhimit, çlirimit që duhet ta nisim nga vetë ne e deri te e përbashkëta e tek interesi i përgjithshëm kombëtar. Janë vetëm disa nga idetë që kanë ndikuar dhe frymëzuar Lëvizjen Vetëvendosje, por pas luftës zakonisht kur flitej për përkujtime, për këto data, flitej për të kaluarën, për atë që ishte larg nesh dhe tashmë një e shkuar. Ishte pa kundërthënie të flisje e të kujtoje këto data e të ndihesh rehat me aktualitetin, prandaj erdhi Vetëvendosje si kolektiv e angazhim e grup njerëzish që kishin vendosur të kundërshtonin padrejtësitë e kohës që po ashtu ishin në drejtim të kundërt me aspiratat për të cilat breza e breza kishin kaluar jetën duke u angazhuar e shumë të tjerë kishin dhënë jetën”, tha Bogujevci.

Ndryshe, më 12 qershor 2005 për herë të parë u shkrua parulla “JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE!” në murin e misionit të OKB-së në Kosovë- UNMIK.

Në statutin e saj, Lëvizja Vetëvendosje! thotë se synon një Kosovë sovrane, që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtë për bashkimin me Shqipërinë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, Lëvizja Vetëvendosje doli parti e parë./Telegrafi/