LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Së shpejti do të ketë rritje të pagës minimale në Kosovë

Kurti: Së shpejti do të ketë rritje të pagës minimale në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale.

Përmes një shkrimi në Facebook, tha se rritja e pagës minimale është përmbushje e një tjetër zotimi nga Qeveria Kurti.


Kreu qeveritar theksoi se punëtorëve të sektorit privat do t’iu sigurohet pragu i të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme.

“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, u shpreh Kurti.

Sipas tij hapi i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike”, shtoi ai.

Tutje tha se në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.

“Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, tha Kurti./Telegrafi/