Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar rritjen e sektorit të teknologjisë dhe shërbimeve në Kosovë, duke bërë të ditur se mbi 11 mijë biznese janë aktive në ekonominë digjitale dhe shërbimet profesionale.

Këto deklarata ai i bëri në tryezën e organizuar nga ABSL Kosovo me temën “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.


Në fjalën e tij, Kurti nënvizoi rëndësinë në rritje të këtij sektori për ekonominë e vendit.

“Sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale e mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur në 2 miliardë euro në vitin që lamë pas, pra 2025, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16 për qind. Nga këto, 78 për qind sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Kjo tregon se Kosova, përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri”, tha Kurti.

Ai shtoi se sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër më të shpejtët në rritje, duke krijuar mijëra vende pune.

“Sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë. Sot, ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona, të cilët përfaqësojnë jo vetëm ata persona që punojnë e menaxhojnë, që krijojnë e zhvillojnë, por edhe familje, pastaj njerëz që blejnë shtëpi, e prona të tjera, mandej të rinj që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë dhe në qytetet e tyre, të cilat gjithnjë e më shumë po përparojnë”.

Kryeministri theksoi se Qeveria e ka vendosur këtë sektor në qendër të politikave zhvillimore.

“Qeveria e Kosovës e ka bërë zhvillimin e këtij sektori një prioritet të qartë për veten e saj, në strategji e në zbatim. Strategjia e Punësimit 2024–2028 vendos sektorin e TIK-ut dhe shërbimeve BPO në qendër të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Ne po i rishikojmë kurrikulat arsimore në bashkëpunim me industrinë, po krijojmë stimuj fiskalë për investitorët e rinj dhe po punojmë për t’i thjeshtuar procedurat administrative”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, Kosova po synon të kalojë nga një destinacion i lirë shërbimesh në një qendër inovacioni.

“Tema e këtij eventi sot shpreh qartë ambicien tonë shtetërore e shoqërore: Kosova nuk mjaftohet me rolin e një destinacioni “nearshore” të lirë. Ne jemi të vetëdijshëm që bota dhe tregu i punës po ndryshojnë dhe na duhen shkathtësi dhe avancime teknologjike që të mbetemi konkurrues e të jemi gjithnjë e më konkurrues”, tha Kurti.

Ai shtoi se vendi ka potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm në këtë drejtim.

“Kosova ka gjithçka që i duhet për ta bërë hapin e ardhshëm: njerëz të talentuar, vendndodhje strategjike, vullnet politik, kompani inovative dhe natyrisht partnerë ndërkombëtarë. Detyra jonë së bashku, si Qeveri, industri dhe shoqëri, është ta kthejmë këtë potencial në realitet”, përfundoi ai./Telegrafi/