LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Kosova, vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe  

Kurti: Kosova, vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe  

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot rreth mundësive për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.

Kurti në takim me deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë  Bashkuar tha se Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe.


Në njoftimin e Zyrës për media thuhet se në bashkëbisedimin e ngrohtë, kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook.

“Në këtë takim, Kryeministri Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.

Ndërsa, Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.

Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.

Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit. /Telegrafi/