Dy fëmijë dhe babai i tyre kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në një banesë në Malishevë.

Zjarri u raportua rreth orës 12:55 të enjten në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë.


Jam i tronditur nga rasti i vdekjes së tre familjarëve, babait me dy fëmijë, nga zjarri si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në Malishevë.

Në këto momente të rënda shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët e viktimave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zjarri tronditës u shkaktua nga shpërthimi i bombolës së gazit.

Në një reagim në Facebook, Kurti theksoi se viktimat janë një baba me dy fëmijë.



"Në këto momente të rënda shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët e viktimave", shkroi Kurti.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se "me dhimbje të thellë e mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë".

"Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave", shtoi ajo.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka dhënë detaje tjera për rastin.

“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, ka deklaruar Elezaj.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur tre viktima, të cilat nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve.

“Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka shtuar ai.

Policia njofton se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe se hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet e zjarrit./Telegrafi/