LAJMI I FUNDIT:

​Kurti ftoi norvegjezët të investojnë në Kosovë për energji të ripërtëritshme

​Kurti ftoi norvegjezët të investojnë në Kosovë për energji të ripërtëritshme

Burimet natyrore, popullsia e re dhe e talentuar, si dhe pozita e mirë gjeografike e Kosovës, u veçuan nga kryeministri Albin Kurti si potencial i madh për investim nga kompanitë norvegjeze, në takimin me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Norvegjisë, Jan Christian Vestre.

Sipas njoftimit nga takimi, Kurti theksoi synimin dhe nevojën e vendit për rritjen e kapaciteteve dhe diversifikimin e energjisë elektrike, me vëmendje të veçantë te burimet e ripërtëritshme.


Ai ftoi edhe për më shumë investime për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore, të erës dhe ujit, si dhe në sektorin e minierave dhe mineraleve.

Kurti shtroi kërkesën dhe nevojën për të avancuar bashkëpunimin me zonën ekonomike EFTA duke kaluar nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare.

Kjo kërkesë u mirëprit nga ministri Vestre, i cili shprehu gatishmërinë e palës norvegjeze për të filluar negociatat dhe për të përfunduar me marrëveshje sa më shpejt.

Ministri Vestre shprehu interesimin për të shtuar partneritetin mes dy vendeve, duke identifikuar fusha të reja të rritjes së bashkëpunimit dhe mundësinë e vizitës së një delegacioni me kompani norvegjeze në Kosovë. /Telegrafi/