LAJMI I FUNDIT:

Kur muzika thyen ‘heshtjen e skamjes’ – artistët që reflektuan jetën e hirtë të shqiptarëve

Kur muzika thyen ‘heshtjen e skamjes’ – artistët që reflektuan jetën e hirtë të shqiptarëve

“Nga boshllëku e ngrënia e tepërt – Veleshbeu dhe Zotëria; gjersa në kasolle të vjetër qante nëna nga uria; Disa hanin gjellë pa shije se kusia u rrihte vargut; gjersa tjerët tret urie, ndjenin erën prej së largu…” (sic.) – janë këto vargje mjerimi të të njohurit Qamil Batalli, të përmbledhura në një vëllim poezish për fëmijë, vëllim i cili mendohet të jetë një iluzion mendimesh për të zhvilluar mendjen, por që për fat të keq me të rritur, ata “fëmijët” e dikurshëm mësojnë se vargje të tilla janë pasqyrim i realitetit dhe aktuales në vendin tonë.

Në një shtet si Kosova dhe Shqipëria, varfëria prek një pjesë të madhe të popullatës, e mos më keq varfëria ekstreme e quajtur skamje, është gjithashtu një term i njohur për shqiptarët.

Bazuar në Anketën e Buxhetit të Ekonomive Familjare, të realizuar nga Banka Botërore dhe Agjencioni i Statistikave të Kosovës lidhur me varfërinë në konsum në Republikën e Kosovës, në periudhën 2012-2017, e të publikuara në vitin 2017 është vlerësuar se: “Vetëm në Kosovë, 17.6 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri absolute, me më pak se 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.3 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e varfërisë së skajshme, me më pak se 1.30 euro në ditë për një person të rritur”, të dhëna këto të cilat për Telegrafin vijnë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gjersa politikanët e pushtetarët shijojnë jetët e tyre luksoze, ka shumë të tjerë që luftojnë për pak apo më shumë ushqim. Vallë a nuk u emocionuan nga mijëra letra që shkrimtarët e njohur kanë shkruar mbi këtë temë apo artistët e famshëm që i kanë kënduar e kushtuar këngë  – apo me gjasë nuk kanë lexuar e dëgjuar fare nga këto gjëra?!

Jo më larg se në sheshin e Prishtinës mund të gjesh me dhjetëra shitës ambulantë, lypsarë etj, e disa prej tyre e kanë artin të vetmen formë, nga ku mbledhin monedhat për të siguruar vaktet e ditës.

Shembulli ideal i këtij “mjerimi” është një nga pleqtë që rastësisht mund të takosh në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ai çdo ditë luan në fizarmonikën e tij. Tingujt që krijon mund të dëgjohen nga larg dhe të bëjnë për vete. Gjithçka mund të duket si një “mini-shfaqje” e bukur ku secili paguan biletën për ta shijuar, por për fat të keq kur afrohesh, përball tij mund të gjesh një kapelë e cila kërkon lëmoshë, bujarinë e secilit me atë çfarë mund të dhurojë.

(Foto: Korab Basha/Telegrafi)

Partitura e tij ka disa faqe të vizatuara me zemra, të cilat nuk dihet nëse i ka të vizatuara nga ndonjë mbesë apo nip për të cilët po grumbullon të ardhurat, apo janë thjeshtë për të treguar dashurinë ndaj muzikës.

Atij nuk i intereson nëse është ftohtë, dëborë apo shi. Muzika që luan është i vetmi shpëtim për të siguruar bukën e gojës.

KËNGA – ARMA QË GJITHMONË LUFTOI SKAMJEN

Artistët e ashtuquajtur “njerëz të veçantë”, marrin këtë epitet, sepse janë në gjendje që përmes artit të tyre të transmetojnë mesazhe dhe të prekin tema sociale duke ‘hyrë’ në jetën e njerëzve, e të tillë janë këngëtarët që i kanë kënduar kësaj dukurie.

Shumë vargje, shkronja e nota janë hedhur në këngët shqiptare, vetëm e vetëm që ato këngë të rezultojë në sensibilizim, një qëllim i cili zor se u arrit.

Telegrafi ka intervistuar disa këngëtarë të njohur shqiptarë, të cilët ndër vite, në karrierën e tyre të gjatë kanë sjell këngë dedikuar skamjes dhe ndërgjegjësimit për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Këngëtarja Adelina Ismaili, e shquar si diva e estradës shqiptare, në vitet 2000 kishte publikuar këngën “Cigarxhiu im i vogël”, një këngë emocionale me tekst të ndjeshëm, e cila flet për të vërtetën e hidhur – atë të duhanshitësve të vegjël, të cilët mbushin sofrën me atë çfarë arrin të shesin.

“E kam shkruar para luftës. Autore e tekstit jam unë, kurse muzika dhe orkestrimi nga mjeshtri Nexhat Mujovi – Wirusi. Kosova është burim i ideve të trishta. Nga një ide kështu besoj lind çdo ditë. Ka ardhur spontanisht, nga ajo që shihja rrugëve të Prishtinës. Është pëlqyer dhe përjetuar shumë kjo këngë nga publiku. Përjetohet ende meqenëse ende ekzistojnë në Kosovë gjëra të ngjashme”, tha Adelina Ismaili për Telegrafin.

Adelina Ismaili, këngëtarja që gjithmonë sfidoi realitetin në këngët e saj (Foto: Besim Mydyti)

Tutje, diva tregon se sa është e preokupuar me problemet e tilla të shoqërisë sonë, duke qenë teksti i këngës së saj vazhdon të jetë aktual.

“Dikur ndjeja dhembje të thellë, nga ajo dhembje që nuk të lë as të flesh natën. Tash jam konfuze. Ka diçka që nuk kuptoj. Populli më i varfër në Evropë asnjëherë, ama asnjëherë nuk ka tentuar për kaq dekada të kthejë bukën e vet nga ata 10-15 persona që e kanë marrë brutalisht prej tyre. Populli ynë ende nuk e ka të qartë çka meriton e çka jo. Kjo është ajo që më dhemb”, ka përfunduar këngëtarja Ismaili.

Kthehemi te muzika hip-hop, zhanër i cili cilësohet si forma moderne e poezisë. Nëse në vitet e kaluara kemi pasur me qindra shkrimtarë që nga dhembja për varfërinë kanë marrë frymëzimin për të shkruar poezitë e tyre, sot kemi artistë që vargjet e tyre i kthejnë në këngë hip-hop, një formë aktuale e zhanrit të muzikës, e cila reflekton e pëlqyeshme për publikun.

Gjersa shumë prej reperëve shqiptarë harxhojnë shuma të mëdha në klipet muzikore, duke promovuar jetën e tyre luksoze, veturat shtrenjta dhe daljet në klubet e natës, reperi i njohur BimBimma është ndryshe nga ata. Ai u përkushtua që gjithmonë këngët e tij t’i trajtojë si kauza, të cilat do të reflektonin te publiku mesazhin e jetës, udhëpërshkrimit e pse jo edhe të realitet të hidhur.

BimBimma në xhirimet e klipit “Zani i Skamjes” (Foto: YouTube)

“Zani i skamjes” është kënga të cilën BimBimma e solli për fansat në vitin 2012, teksa tekstin e saj e kishte shkruar disa vite më herët. Për Telegrafin, reperi tregon se si kishte nisur realizimin e kësaj kënge, e cila njëherësh mbetet ndër më të veçantat në karrierën e tij.

“Kënga është shkruar nëse nuk gaboj në vitin 2008! S’kam vyjt të jem shumë i inspiruar, sepse pasqyra ekonomike dhe ajo sociale i kanë treguar shifrat dëshpëruese të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë! Ky numër përfshin shumicën se popullit në Kosovë, e unë si rap-artist kam dashur gjithmonë me qenë një zë i njerëzve që flasin, por nuk u dëgjohet zëri, dhe kjo këngë ma ka dhënë këtë epitet. Duke e marrë parasysh temën që është e mjerueshme, më është nevojitur edhe një refren dhe instrumental i asaj natyre, e sigurisht që më mirë se me e ripërpunu Elitën 5, nuk ka mundur të jetë ndryshe”, tha BimBimma për Telegrafin.

Jo të pakta janë këngët që rap-artisti ua dedikon temave sociale në Kosovë. Ai në vazhdimin e bisedës tregon se ka qenë gjithmonë i përkushtuar të pasqyrojë problemet e shoqërisë tonë, gjë të cilën do të vazhdojë ta bëjë…

“Tekstet e mia krejt janë të bazuara në jetën sociale! Pakënaqësitë, pabesitë, hajnitë e tradhtitë, nëse flasin për raportin hierarki e shtetit-popull. Kështu që, unë jam vet preokupimi dhe vet jeta e hirtë që e jetojmë në Kosovë”, përfundon BimBimma.

Një këngë të fuqishme e me tekst prekës, e kishte sjell në vitin 2015 edhe këngëtarja Albërie Hadërgjonaj, gjatë konkurrimit të saj në festivalin ‘Kënga Magjike’.

“Me dorën shtrirë” titullohej kjo këngë e cila u dedikohej njerëzve të varfër dhe lypsarëve të rrugës, tekst të cilin e kishte shkruar poeti i njohur Olti Curri.

Albërie Hadërgjonaj gjatë interpretimit të këngës “Me dorën shtrirë” (Foto: Kënga Magjike 2015)

“Fatet kur janë shkruar qielli ka gabuar; pak monedha për të shuar ty urinë; Me dorë zgjatur po kalon ti fëmijërinë…”(sic.), citohet në vargjet e kësaj kënge. Vetë Hadërgjonaj në një intervistë të dhënë për Telegrafin, kishte rrëfyer se kjo këngë i kishte krijuar asaj një lidhje emocionale, dhe arsyeja pse u krijua ishte përballja me një realitet të dhimbshëm.

“Çdo njeri që vë dorën në zemër duhet ta dojë atë këngë, ta ndjejë. Unë si artiste kontribuoj sa të kem mundësi për njerëzit në nevojë, dhe kjo ka qenë ndoshta në një far forme ta ngrejë zërin për ata njerëz që e dëgjojnë. Se jeta nuk është e përjetshme për askënd, kështu që ata që kanë nevojë, edhe ne t’ju shtrijmë dorën sado pak, aq sa është mundësia e çdo individi. Ka pas shumë sukses dhe jam e lumtur për këtë gjë se ndonjëherë është problem pak temat sociale të përkrahen e të duhen. Megjithatë shqiptarët kanë vuajtur si popull, si në Shqipëri e Kosovë, dhe kjo këngë ka pas efektin e vet pozitiv, dhe jam shumë, po shumë e lumtur”, ka thënë Albërie Hadërgjonaj për Telegrafin.

Këngë të tilla ka shumë në arkivën shqiptare, e për fat të keq, më pak në ditët e sotme. Kjo pasi, performuesit e sotëm të të ashtuquajturës estradë, janë “të zënë” duke krijuar këngë për epshin, seksualitetin, luksin, paratë e femrat e bukura, mos më keq duke promovuar edhe rrugaçërinë, pedofilinë, dhunën e shumë anti-vlera tjera. Dhe “artistët” e tillë nuk kanë faj, sepse nga këto këngë të krijuara në vaktin e pasditës, mbrëmja i gjen në një diskotekë me plot njerëz deri në orët e hershme të mëngjesit, e ndërsa nuk arrijnë të shijojnë ditën me diell, për të parë të paktën njëherë rrugëve njerëz që lypin apo fëmijë që shohin vitrinat e dyqaneve me trishtimin se s’mund të kenë atë çfarë duan – dhe këtu sigurisht se pastaj u mungon frymëzimi…

Përderisa kjo situatë të vazhdojë dhe mjerimi të ekzistojë, do të jenë librat, poezitë e këngët e tilla (si ato të lartpërmendurat), që do të shërbejnë si shpresë për një të varfër, skamnor apo të pastrehë, që kjo botë bardhë e zi në të cilën jetojmë, një ditë do të marrë ngjyrë. E për ata që këndojnë apo luajnë në instrumente përgjatë sheshit, duket se për momentin muzika do të mbetet “pjata” e tyre e vetme për vaktet e ditës.  /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Magazina
Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Magazina
Dani Alves me festë

Dani Alves me festë "të çmendur" në vilën e tij milionëshe në Barcelonë pasi u lirua nga burgu

Magazina
Bëri një koment për ish-krerët e UÇK-së, Gold AG i reagon aktorit Enver Petrovci

Bëri një koment për ish-krerët e UÇK-së, Gold AG i reagon aktorit Enver Petrovci

Magazina
Pas përplasjes së ashpër me Ilnisa Agollin, Françeska mblodhi valixhet dhe duke qarë kërkoi të dilte nga Big Brother

Pas përplasjes së ashpër me Ilnisa Agollin, Françeska mblodhi valixhet dhe duke qarë kërkoi të dilte nga Big Brother

Magazina
“Ka 10 vite që nuk kam fjetur me një burrë, më kishte munguar një puthje” - Ilnisa Agolli rrëfen jetën intime

“Ka 10 vite që nuk kam fjetur me një burrë, më kishte munguar një puthje” - Ilnisa Agolli rrëfen jetën intime

Magazina
Kalo në kategori