Mbi 1,000 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet katastrofike të dheut në Nepal dhe Kinë, ndërsa mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Autoritetet nepaleze njoftuan të martën se numri i viktimave në vend ka arritur në 987, ndërsa 3,916 persona janë ende të zhdukur, mes tyre edhe 583 shtetas të huaj.


Në Kinë, autoritetet kanë raportuar deri tani 16 viktima dhe 546 persona të zhdukur, transmeton Telegrafi.

Në total, më shumë se 11,800 njerëz janë shpëtuar në Nepal, ndërsa ekipet e emergjencës po përdorin helikopterë dhe mjete të tjera ajrore për të arritur komunitetet e izoluara pasi përmbytjet shkatërruan rrugë dhe ura.

Katastrofa nisi më 26 gusht, në lartësitë e Himalajeve, kur një shembje akullnajore shkaktoi rënien e sasive të mëdha të shkëmbinjve, akullit dhe ujit të shkrirë drejt luginave.

Shkencëtarët që kanë analizuar imazhet satelitore dyshojnë se shembja lidhet me dështimin e bazamentit shkëmbor nën një akullnajë. Goditja ishte aq e fuqishme sa u regjistrua si një ngjarje sizmike me magnitudë 5.2.

Më pas, vala e fuqishme e ujit dhe materialeve të ngurta u fut në lumenjtë që përshkojnë Tibetin dhe Nepalin, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të nivelit të tyre.

Shtëpi, ndërtesa, rrugë dhe ura u përfshinë nga ujërat dhe u morën përpara nga balta dhe shkëmbinjtë.

Por drama më e madhe vazhdon në projektet hidroenergjetike. Rreth 900 punëtorë rezultojnë të zhdukur në 12 hidrocentrale të dëmtuara, ndërsa rreth 500 prej tyre besohet se mund të jenë të bllokuar brenda tuneleve.

Pamjet e publikuara nga ushtria nepaleze tregojnë ekipet e shpëtimit duke hyrë në tunele të mbushura me baltë, ujë dhe rrënoja, në një garë kundër kohës për të gjetur të mbijetuar.

Piloti i helikopterit Bimal Sharma, i cili ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit që prej fillimit të katastrofës, tha se ajo që pa në qytetin kufitar Timure e tronditi.

“Dukej sikur po fluturoja mbi një peizazh krejtësisht tjetër”, tha ai.

Dhe ndërsa kërkimet vazhdojnë, Sharma tha se fytyrat e njerëzve të shpëtuar tregojnë përmasat e tragjedisë: “E shoh dhimbjen në sytë e tyre. Është zemërthyese”. /Telegrafi/