Një samit i ri mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duket gjithnjë e më i mundshëm, sipas vlerësimit të shërbimit inteligjent të Koresë së Jugut.

Një ligjvënës koreano-jugor, Youn Kun-young, tha se Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës ka vlerësuar se një takim Trump-Kim “mund të ndodhë në çdo moment”, ndërsa janë shfaqur shenja të një dialogu të mundshëm mes Uashingtonit dhe Phenianit.


Megjithatë, deri tani nuk ka prova për një kontakt konkret mes dy palëve, transmeton Telegrafi.

Trump ka deklaruar se dëshiron të takohet sërish me Kim Jong-un, duke kujtuar marrëdhënien që ndërtoi me liderin korean gjatë mandatit të tij të parë.

Pheniani, nga ana tjetër, ka dhënë sinjale të përziera, duke thënë se Kim ka “kujtime dhe ndjenja të mira” për Trumpin, por pa iu përgjigjur qartë ofertës për një takim të ri.

Në një tjetër zhvillim domethënës, SHBA-ja reduktoi në gusht disa nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, një lëvizje që nxiti spekulime se Uashingtoni mund të jetë duke kërkuar terren për një ofensivë të re diplomatike ndaj Phenianit.

Por tensionet ushtarake nuk janë zhdukur. Vetëm disa orë pasi Trump foli për rëndësinë e marrëdhënieve të mira me Kim, Koreja e Veriut lëshoi më shumë se 10 raketa balistike me rreze të shkurtër.

Ndërkohë, motra e Kim Jong-un, Kim Yo-jong, e ka cilësuar reduktimin e stërvitjeve amerikano-koreano-jugore si një lloj “ndëshkimi” për Seulin.

Analistët mbeten skeptikë për një takim të shpejtë. Koreja e Veriut ka thelluar bashkëpunimin me Rusinë dhe ka përfituar strategjikisht nga lufta në Ukrainë, ndërsa lidhjet e saj me Kinën mbeten të fuqishme.

Trump dhe Kim janë takuar tre herë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, në samite historike që synonin çarmatimin bërthamor të Phenianit. Megjithatë, negociatat nuk prodhuan një marrëveshje konkrete.

Sot situata është edhe më e komplikuar: Pheniani e konsideron veten një shtet bërthamor të pakthyeshëm dhe e ka cilësuar Korenë e Jugut si “armikun më armiqësor”.

Nëse Trump dhe Kim ulen sërish në të njëjtën tryezë, samiti do të ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në Azi dhe një test i madh për politikën amerikane ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut. /Telegrafi/