LAJMI I FUNDIT:

Kur kompromiset e dhimbshme bëhen kulturë politike!

Kur kompromiset e dhimbshme bëhen kulturë politike!

Politikanët vendimmarrës në Kosovë përgjatë 16 vjetëve të fundit kanë pranuar:

– t’i ndërtojnë institucionet e përkohshme vetëqeverisëse duke i lënë jashtë administrimit tri komunat që shtrihen në veri të vendit dhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës;


– ta miratojnë Pakon e Ahtisaarit, të vetëdijshëm se po e kurthojnë shtetin në ardhje me vendet e rezervuara dhe me votën e dyfishtë të komuniteteve pakicë;

– t’i hyjnë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pa e vënë si parakusht kërkim-faljen për krimet dhe dëmet që i janë shkaktuar Kosovës dhe pa kërkuar që fillimisht të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës;

– ta ndajnë Mitrovicën në dy pjesë;

– t’i financojnë strukturat paralele serbe;

– ta krijojnë një asociacion monoetnik të komunave me shumicë serbe me të drejta ekzekutive, që praktikisht s’është asgjë më pak së një republikë brenda republikës;

– t’i marrin regjistrat kadastral nga Serbia jo në origjinal por në kopje;

– ta krijojnë Qeverinë me ministra të deleguar nga Serbia që nuk e njohin shtetin e Kosovës; dhe, mbi të gjitha:

– ta lejojnë Serbinë që të përzihet në rregullimin e brendshëm politik e urban të Kosovës!

Të tillët natyrshëm e pranojnë edhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, sado e dëmshme që është dhe sado kundërshtues të shumtë të ketë!

Të tillëve kompromiset e dëmshme u janë bërë kulturë politike!

Mjerisht, nga të tillët varet nëse do të jetojmë në paqe apo do të futemi në luftë të brendshme.

Një gjë dihet: në histori hyhet si për të mirë, si për të keq!

Në faqet e historisë është edhe Neroni!