LAJMI I FUNDIT:

Kur Kolë Bibë Mirakaj i kërkonte Qeverisë, mbrojtjen e hebrenjve në prag të pushtimit gjerman

Kur Kolë Bibë Mirakaj i kërkonte Qeverisë, mbrojtjen e hebrenjve në prag të pushtimit gjerman

Me shkresë të posaçme zyrtare, të datës 1 shtator 1943, në cilësinë e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Kol Bib Mirakaj kërkonte Qeverisë shqiptare të merreshin masa për të mbrojtur hebrenjtë të cilët, në vise të ndryshme të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishin “mbi 1000 veta”.

Në shkresë ai thekson se një numër i madh hebrenjsh janë grumbulluar në Shqipëri, të shpërndarë në vise të ndryshme të Mbretërisë në mungesë të vendbanimi të përcaktuar. Me ardhjen e Forcave gjermane në tokën tonë, Qeveria shqiptare do të gjendet para një fakti të hidhur, sepse mund të kërkohen prej gjermanëve dhe të merren. Po të dorëzohen hebrejtë, nënvizon Mirakaj, ky do të ishte një gjest politik diskreditues për shtetin dhe, nga ana tjetër, antihumanitare.


“Edhe po ta refuzojmë dorëzimin, do të na vinte në një pozitë që, prapë se prapë, dëmton politikisht, e më në fund ata do të merren me forcë”, shkruan më tej Kol Bib Mirakaj.

Ministri i kërkon Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Mbretnisë Shqiptare të marrë me urgjencë hapat e duhur pranë autoritetit përkatës italian për dërgimin e tyre në Itali ku, sipas informacioneve që kishte dikasteri i tij dhe me interesimin e Selisë së Shenjtë, Qeveria italiane nuk ka ndonjë kundërshtim për pranimin e tyre.

Shkresa mban datën 1 shtator 1943. Ndërkohë, nga 25 korriku 1943 kryeministër i Italisë ishte gjenerali Pietro Badoglio, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri me 18 prill 1944.

Është e njohur historikisht se asnjë hebre në trojet shqiptare nuk iu dorëzua nazistëve. Madje, numri i tyre në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishte më i madh se në fillim të kësaj lufte, një rast unikal i humanizmit ky në rrafsh botëror. /VOAL/