Kur është koha më e mirë për darkë? Ja cilat gabime bëjmë sipas nutricionistëve

A është me të vërtetë koha e darkës aq e rëndësishme për shëndetin tonë? Dhe a ekziston një orë universale për darkë që i përshtatet të gjithëve?
Ekspertët e ushqyerjes thonë se nuk ka një orë fikse që funksionon për të gjithë, sepse çdo organizëm dhe mënyrë jetese është ndryshe. Koha e darkës varet nga shumë faktorë – orari i punës, aktiviteti fizik, detyrimet familjare, ritmi i gjumit dhe niveli i lodhjes. Për këtë arsye, dy dietologë të regjistruar shpjegojnë për Real Simple se nuk është e rëndësishme të hamë “herët”, por të hamë në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me trupin tonë.
Sipas dietologes amerikane Maja Feller, e cila ka titullin MSc dhe është nutricioniste e certifikuar, e vërteta është se nuk ka një orë të vetme ideale për darkë.
“Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrën si trupi reagon ndaj ushqimit. Për një person të shëndetshëm, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nëse darka hahet në orën 17:00 apo në 18:30. Ajo që ka rëndësi është të gjeni një ritëm që i përshtatet jetës suaj,” shpjegon ajo, transmeton Telegrafi.
Trupi ynë ndjek një ritëm cirkadian, orën e brendshme që kontrollon gjumin, zgjimin dhe metabolizmin. Kur ky ritëm është në harmoni, trupi tret më mirë, përthith më mirë lëndët ushqyese dhe ruan energjinë gjatë ditës. Kjo do të thotë se, edhe nëse nuk keni mundësi të hani shumë herët, është e rëndësishme të jeni të rregullt në oraret e ushqyerjes. Ushqimet e marra në orare të parashikueshme ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak, në parandalimin e urisë së tepërt para gjumit dhe në përmirësimin e cilësisë së gjumit.

Nutricionistët rekomandojnë që ndërmjet darkës dhe gjumit të ketë të paktën dy deri në tre orë diferencë. Kjo i jep trupit mundësi të përfundojë pjesën më të madhe të tretjes para se të shkojmë në shtrat. Nëse hamë shumë afër orarit të gjumit, trupi është ende duke tretur ushqimin, temperatura e brendshme nuk bie siç duhet, dhe kjo mund të shkaktojë pagjumësi, ëndrra të rënda ose ndjenjë lodhjeje në mëngjes.
Ekspertët këshillojnë të mos pritet deri sa të ndjehemi tepër të uritur për të ngrënë, por të planifikohet darka në mënyrë të qëndrueshme çdo ditë. Të zgjidhen ushqime të lehta si peshk, perime të ziera, supë, kos ose kefir, dhe të shmangen ushqimet e rënda, yndyrore e të skuqura pas orës 20:00. Nëse keni orar të vonuar pune, mund të bëni një vakt të vogël rreth orës 17:00 dhe më pas një darkë të lehtë rreth 20:00.
Koha “ideale” për darkë nuk është e njëjtë për të gjithë. Ajo që ka më shumë rëndësi është rregullsia, cilësia e ushqimit dhe respektimi i ritmit natyror të trupit. Trupi është si një orë inteligjente, nëse e dëgjojmë, ai na tregon vetë kur është koha e duhur për të ngrënë dhe për të pushuar. /Telegrafi/




















































