LAJMI I FUNDIT:

Kuptimi i vërtetë i vizitës së Xhinpingut te Putini

Kuptimi i vërtetë i vizitës së Xhinpingut te Putini
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Agroon Shala / Telegrafi.com

“Situata ndërkombëtare tashmë ka arritur në një kthesë të re. Në botë sot fryjnë dy erëra, era lindore dhe ajo perëndimore … Besoj se era e Lindjes po mbizotëron ndaj erës perëndimore.”


Këto komente mund të lexohen si kopje paraprake e vërejtjeve që Si Xhinpingu [Xi Jinping] synon t’i bëjë gjatë vizitës së tij të kësaj jave në Moskë. Në fakt, ato vijnë nga një fjalim i mbajtur nga një tjetër lider kinez, nga Mao Ce Duni [Mao Zedong], kur ai e vizitoi Moskën në vitin 1957.

Duke i bërë jehonë Maos, Xhinpingu shpeshherë pretendon se: “Lindja po çohet dhe Perëndimi po bie”. Xhinpingu, ashtu si Mao dhe Putini [Vladimir], beson gjithashtu se Rusia dhe Kina kanë interes në përshpejtimin e rënies së fuqisë perëndimore. Dy javë më parë, udhëheqësi kinez e akuzoi ShBA-në për ndjekjen e politikës të “frenimit, rrethimit dhe shtypjes” që cak ka Kinën.

Udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës takohen edhe një herë në sfondin e frikës së luftës bërthamore. Në Moskë, më vitin 1957, Mao i kërkoi audiencës së vet që të marrë parasysh anën pozitive të konfliktit bërthamor: “Nëse më e keqja shkon te më e keqja dhe gjysma e njerëzimit vdesë, gjysma tjetër do të mbetej ndërsa imperializmi do të rrafshohej për toke dhe e gjithë bota do të bëhej socialiste”. Edhe për audiencën e sovjetike, kjo ishte e rëndë.

Presidenti Xhinping, nga ana tjetër, do ta paraqesë veten në Moskë si njeri të paqes. Ai shkon duke e shijuar shkëlqimin e një arritjeje të vërtetë diplomatike – afrimi mes Iranit dhe Arabisë Saudite, i ndërmjetësuar nga Kina. Kina, së fundmi, gjithashtu ka paraqitur një plan paqeje prej 12 pikësh, për ta zgjidhur luftën në Ukrainë. Është e mundur që gjatë qëndrimit në Moskë, të propozojë armëpushim të menjëhershëm. Pas samitit të tij me Vladimir Putinin, lideri kinez ka të ngjarë ta telefonojë presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski [Volodymyr Zelenskyy].

Zelenski pa dyshim që do ta pranojë atë telefonat. Xhinpingu ka ndikim të madh mbi Putinin; nëse ai zgjedh që ta përdorë atë.

Por, Zelenski dhe koalicioni perëndimor që mbështet Ukrainën, do të jenë gjithashtu skeptikë në lidhje me propozimet e Kinës për paqen. Realiteti është se Xhinpingu ka shumë pak gjasa të jetë i gatshëm ose në gjendje që të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ndryshe nga Arabia Saudite dhe Irani, Kina nuk ndërmjetëson mes dy palëve që janë të gatshme të arrijnë marrëveshje. Pekini gjithashtu nuk është lojtar neutral në këtë konflikt. Edhe pse Kina ka abstenuar në votat e OKB-së që të dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, ajo vazhdimisht e ka përdorur terminologjinë ruse për ta përshkruar konfliktin. Qinj Gani [Qing Gang], ministri i Jashtëm i Kinës, kohët e fundit i vlerësoi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës si “forcë lëvizëse” në çështjet botërore. Gjithashtu mund të llogaritet se kinezët do ta hedhin poshtë padinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër Putinit.

“Plani” aktual kinez “i paqes” nuk thotë asgjë për tërheqjen ruse nga toka e pushtuar ukrainase. Nëse Xhinpingu propozon armëpushim për luftën, rusët vetëm mund të bëjnë propagandë për këtë – duke e ditur se Ukraina do ta refuzojë idenë, derisa tokat e tyre janë të okupuara. Edhe nëse do të shpallej armëpushimi, Rusia gjithmonë mund ta shkel atë – siç ka bërë në të kaluarën.

Megjithatë, për Xhinpingun e dobishme është që ta paraqesë Kinën si paqebërëse pragmatike – e interesuar, mbi të gjitha, për tregtinë dhe prosperitetin e përbashkët. Amerika, nga ana tjetër, nga Kina portretizohet si luftënxitëse ideologjike, që e ndan botën në miq dhe armiq – dhe që është e fiksuar në ruajtjen e hegjemonisë së saj. Kjo narrativë e ndihmon Kinën në betejën për opinionin e “jugut global” – dhe kjo shqetëson amerikanët.

Por, prapa bisedave për paqen, thelbi i samitit Xhinping-Putin do të shkojë në drejtimin e kundërt – meqë do të përfshijë rritjen e mbështetjes kineze për Rusinë, në kohën që ajo zhvillon një luftë agresioni. Alexander Gabuev, një nga analistët kryesorë rusë për Kinën, që tani është në mërgim, komenton: “Mos gaboni: udhëtimi do të jetë për thellimin e lidhjeve me Rusinë, në dobi të Pekinit, jo për ndonjë ndërmjetësim të vërtetë të paqes”.

Pyetja e madhe do të jetë se cilat lidhje i sheh Xhinpingu si të dobishme për Kinën. Pjesa ekonomike është e lehtë. Derisa Perëndimi largohet nga energjia ruse, Kina është në gjendje të blejë naftë dhe gaz me tarifa më të lira. Putini dhe Xhinpingu ka të ngjarë të bien dakord për përshpejtimin e punës në një tjetër tubacion gazi midis vendeve të tyre. Furnizimi i Rusisë me mallrat që nuk mund t’i blejë më në Perëndim, veçanërisht gjysmëpërçuesit, është gjithashtu lëvizje fitimprurëse për Pekinin – megjithëse disa firma kineze do të jenë të kujdesshme ndaj sanksioneve perëndimore. Udhëheqësit rusë dhe kinezë gjithashtu ka të ngjarë t’i vazhdojnë përpjekjet për t’i promovuar alternativat ndaj dollarit si monedhë globale.

Pyetja me të vërtetë e ndjeshme do të jetë për kërkesat e Putinit për armët kineze – në veçanti predha e artilerisë dhe raketat, për t’i kompensuar mungesat që minojnë përpjekjet luftarake të Rusisë. Muajin e kaluar, ShBA-ja paralajmëroi se Kina po e merr parasysh këtë veprim. Për çfarëdo që Putini dhe Xhinpingu bien dakord, kjo ka të ngjarë të mbetet sekret i ruajtur nga afër.

Gjithashtu, i fshehur nga publiku do të jetë çdo tension midis Rusisë dhe Kinës. Disa strategë amerikanë shpresojnë se një ditë mund të jenë në gjendje të krijojnë ndarjen e dytë Moskë-Pekin – si ajo që çoi në afrimin ShBA-Kinë në vitet 1970. Por, aktualisht, kjo duket edhe më larg në horizont, sesa iniciativa e suksesshme e paqes kineze për Ukrainën.

Fotot e përbashkëta të Xhinpingut dhe Putinit në Moskë do të dërgojnë një mesazh të qartë. Rusia dhe Kina mbeten partnerë të ngushtë – të lidhur nga armiqësia e tyre e përbashkët ndaj Amerikës dhe aleatëve të saj. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori