LAJMI I FUNDIT:

Kujdesi i lëkurës në plazh

Kujdesi i lëkurës në plazh

Shëtitja në rërën e butë dhe dëgjimi i shfryrjes së valëve të detit diku në thellësi, është një ndër përjetimet më të mrekullueshme në plazh. Por, sapo ktheheni nga pushimi, përballeni me një realitet shumë të pakëndshëm...

Mr.Ph. Krenar Dobroshi
Magjistër për kozmetikë
Qendra estetike-kozmetike “Estethica”
Facebook: estethica-Prishtine
044/049 502-232, 038/733-407
krenar.dobroshi@gmail.com

Po flasim për një rrezitje të tmerrshme të lëkurës dhe për shumë probleme të tjera që mund të shkaktohen nga një ditë që e kaloni në plazh. Pa dyshim që shpenzimi i kohës në plazh mund të jetë i veçantë, mirëpo nëse nuk bëhet një kujdes i duhur për ta mbrojtur lëkurën, mund të gjendeni përballë një befasie të jo shumë të dëshiruar. Dielli i ashpër, rëra dhe era e detit mund të krijojnë kaos në lëkurën dhe flokët tuaj. Kjo është arsyeja pse duhet kushtuar kujdes adekuat për lëkurë para se të dilni në plazh. Pra, nëse keni dëshirë të jeni të mbrojtur gjatë përjetimeve tuaja të këndshme në plazh, lexoni rekomandimet në vijim.


Këshillat për bukuri në plazh
* Pini shumë ujë për ta mbajtur trupin dhe lëkurën të hidratuar.

* Hidratimi i lëkurës është një tjetër ritual i bukurisë për t’u praktikuar rregullisht. Aplikoni krem aloe vera apo ndonjë krem hidratues me përmbajtje që freskon dhe rigjeneron lëkurën.

* Pas të gjitha lojërave dhe shëtitjeve në plazh, është e domosdoshme për ta bërë një dush për ta rigjeneruar lëkurën dhe për ta larguar rërën dhe papastërtitë nga trupi.

* Gjatë dushit lani flokët me një shampon të mirë hidratues. Pastaj aplikoni balsam për të ushqyer flokët tuaj dhe për të fituar shkëlqimin tuaj natyror.

* Përveç produkteve të plazhit, blini kapele me stil dhe shall për ta mbrojtur trupin tuaj nga ekspozimi në diell.

Grimi (Make-up) dhe kujdesi për lëkurë gjatë shëtitjes në plazh

Rregulla e parë kur kaloni kohë në plazh është që të keni grim sa më të thjeshtë apo sa më të minimalizuar. Poashtu, aplikoni krem kundër diellit së paku 15 minuta para se të dilni jashtë. Hidratoni buzët tuaja më një balsam të kualitetit të lartë dhe mbaroni kujdesin me t’i lyer ato me nuanca të pembës. Bëni sytë tuaj të shkëlqejnë duke aplikuar dy shtresa të maskarës që janë të rezistueshme ndaj ujit.

Aplikoni kremin kundër diellit çdo 2 orë për t’iu shmangur njollave apo pigmentimit. Përveç fytyrës, kujdesuni për pjesët tjera të trupit si qafa, kurrizi, krahët, këmbët etj. Shmanguni nga dushet e nxehta, përkundrazi bëni dushe me nxehtësi normale ose me ujë krejtësisht të ftohtë. Shmanguni parfumeve me aroma të rënda dhe mbani me vete losione kundër mushkonjave dhe insekteve të ndryshme.

Sekretet e kujdesit të lëkurës në plazh

Për shkak se lëkura është më e prirë për t’u djegur në mesditë, është gjithmonë më mirë të dilni në plazh në mëngjes apo në mbrëmje. Gjatë kësaj periudhe, koha është më e këndshme dhe rrezet e diellit janë më pak intensive. Për ta mbrojtur lëkurën tuaj gjatë rrezitjes, aplikoni krem kundër diellit rezistues ndaj ujit para ekspozimit në diell si dhe pas larjes në det.

Një tjetër sekret i kujdesit në plazh është mbajtja e syzeve të diellit për mbrojtjen e syve nga rrezet e dëmshme ultraviolete.

/Telegrafi/