Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të vendoset kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen si pasojë e temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë dhe tejkalojnë pragun prej 32 gradë Celsius.


Kufizimi do të zbatohet vetëm në autoudhë, nga ora 11:00 deri në orën 17:30, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.

Nga kjo masë përjashtohen automjetet e Policisë dhe institucioneve të sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

Ministria ka apeluar te operatorët ekonomikë dhe ngasësit e automjeteve të transportit të respektojnë orarin e përcaktuar dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me kufizimet e vendosura. /Telegrafi/