LAJMI I FUNDIT:

Kuçi: Nuk ka pasur vendim nga asnjë Qeveri për ndaljen e hidrocentraleve

Kuçi: Nuk ka pasur vendim nga asnjë Qeveri për ndaljen e hidrocentraleve

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se asnjë qeveri deri tani nuk ka marrë vendim për ndaljen e ndërtimit të hidrocentraleve.

Sipas tij, ish-ministrja Rozeta Hajdari ka marrë vendim për ndaljen e punëve në objekte siç janë hidrocentralet vetëm për shkak të pandemisë me COVID-19.

I ftuar nga Lëvizja Fol, për të diskutuar rreth shfuqizimit të vendimit të ministrisë për moratorium në ndërtimin e hidrocentraleve dhe konsultimet me publikun, ai ka thënë se duhet të ketë procedura më të rrepta të mbikëqyrjes së ndërtimeve.

Kuçi ka thënë se kërkesat e qeverisë së Kosovës në raport me energjinë ujore kanë qenë permanente dhe për ketë tha se kanë hartuar tarifat nxitëse.

Sipas tij, Kosova ka nxitur prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

“Sa i përket moratoriumeve ose ndonjë vendim të qeverisë deri më tani, në atë çka kam mundur ta vërej në arkiva, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë vendim të qeverisë për ndaljen e ndërtimit, të aplikimit, hidrocentraleve. Gjatë menaxhimit me COVID, ministrja Rozeta Hajdari ka marrë një vendim për shkak të COVID-19, ndaljen e punëve në objekte siç janë hidrocentralet, pra ka pasur një vendim që ka të bëjë me COVID-19, pastaj ky vendim është shfuqizuar në një fazë tjetër nga ministri Vesel Krasniqi dhe ka pasur një komunikim email por jo vendim të formës juridike çfarë e merr një ministër, qoftë edhe qeveria, nga ministrja Albena Reshitaj në formën e e-mailit, që ministri Matoshi nuk e ka përfillur dhe ka vazhduar me dhënie leje, ka vazhduar procesi ne aplikimi për ndërtimin e hidrocentraleve”, tha Kuçi.

Sipas tij, problem mbesin procedurat e monitorimit ku sipas tij ato duhet të jenë më të rrepta.

“Kam parë një defekt por ende nuk kemi mundur të hartojmë një strategji, nuk ka të bëjë me prodhimin e energjisë, por ka të bëjë me procedurat, monitorimin e mbikëqyrjes, janë shumë me rëndësi procedurat e rrepta të mbikëqyrjes së ndërtimit komplet të këtij procesi, e sidomos pas fazës së ndërtimit, e patë që i ka dy faza aplikimi, është aplikimi para ndërtimit dhe një aplikim apo leje pas ndërtimit. Është shumë me rëndësi për shkak të ndikimit në mjedis dhe për shkak të rëndësisë së mjedisit”, tha ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku i cili ishte pjesë e panelit tha se me resurset zhvillimore të Kosovës është abuzuar në vazhdimësi, qoftë me zonat urbane në kuptimin e ndërtimit e pastaj edhe me vendet malore.

Ai tha se nuk ka kontroll efektiv mbi punën e hidrocentraleve.

“A ka strategji ujore, është një strategji, a e sjell saktësisht analizën e resurseve ujore, nuk e besoj, sepse ka shumë ekspertë dhe njohës që e argumentojnë që në resurset tona ujore nuk guxojmë me i hy këtyre aventurave gjithë këto hidrocentrale të ndërtohen në Kosovë, përkundër obligimit që e kemi 25 për qind prodhim të energjisë së ripërtrishme. Ka numër shumë të madh të hidrocentraleve të ndërtuara dhe në ndërtim e sipër dhe nuk ka kontroll mbi punën e tyre, ka dyshime të panumërta për shkelje kryesisht ligjore procedurale”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se i gjithë investimi i mëhershëm është bërë vetëm në hidrocentrale dhe vonë ka nisur në mënyra të tjera të prodhimit të energjisë alternative.

“Është bërë një investim i shpejtë, mos të them i pamatur, ndoshta i pa studiuar mirë, në procesin e licencimit apo dhënies së lejes apo pëlqimeve mjedisore si duket procedurat janë kryer në kuptimin e letrave por ne sot i shohim që nuk janë të kryera siç duhet sepse implikimet mjedisore, ndikimet mjedisore kanë qenë të hatashme. Për mua ky është thelbi i problemit, nëse ti juridikisht shikon plot operatorë në kuptimin e dokumentimit, shumica prej tyre janë në rregull me letra, por në kuptimin e mjedisit, implikimeve ekonomike, mjedisore, sociale që kanë krijuar këto vite atëherë dëmi është shumë i madh”, tha ajo.

Ish-ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, më 12 prill kishte urdhëruar ndaljen e të gjitha punimeve ndërtimore që ndikojnë burimet ujore.

Ndërsa më 26 qershor, ministri i ri Vesel Krasniqi e shfuqizoi këtë vendim. /KP/