LAJMI I FUNDIT:

Ktheje kah gjermani!

Për të ndjekë politikën për të rritur në Maqedoni, do duhej të kishit ndjekur pingpong kur keni qenë fëmijë. Ky është konstatimi për propozimet dhe refuzimet e fundit politike, të cilat u ofruan në opinion, si zgjedhje nga kriza. Madje edhe në pingpong ka rregulla dhe një rrjetë, e këtu disi sikur mungon ajo vija nga e cila do të shënohej se kush, ku dhe kur ka marrë pikë. Kjo ngase propozimet dhe refuzimet vazhduan edhe përtej afateve dhe ligjeve.

Pak edhe nga lodhja e tepërt e ndjekjes të së paku dy reagimeve në ditë, nga një prej pushtetit dhe një të opozitës, vendosa të merrem më tepër me të ashtuquajturat parti shqiptare, të pushtetit dhe opozitës. E ndërrova kanalin satelitor, si në barsoletën e treguar në fund të këtij shkrimi. E ndërrova sepse më intrigoi se si ndihen krerët e këtyre dy subjekteve më të mëdha politike “shqiptare”, kur kështu, edhe ata sikurse ne të vdekshmit dhe qytetarët e rëndomtë, vetëm ndjekin çka dhe si propozohet, urdhërohet dhe refuzohet. Se edhe ata vetëm i ndjekin proceset, edhe pse veten e paraqesin si diçka më tepër se kjo. Është qëmoti shumë e qartë. Mirëpo, u pa edhe konkret, nga përfshirja e kandidaturave dhe listave të cilat i ofruan për këto zgjedhje lokale. Prej tyre qartë shihet se këta nuk kishin paraparë as bojkot, e as anulim të zgjedhjeve.


Kjo në të vërtetë u pa edhe atë ditë kur vendosën të kalojnë, nga gruevistë të fshehtë dhe pasivë, në gruevistë aktivë. Atë ditë, PDSH-ja vetëm e anuloi deri pasdite seancën për vendimet ligjore urgjente, kurse BDI-ja votoi për ato edhe pse nuk dinte çka në fakt ishin. E pastaj, për tu dukur edhe më aktive, madje edhe e thirri publikisht opozitën të mos bojkotojë! Aq është politika e tyre. Kësaj turqit do t’i thoshin: sa bukë, aq edhe qofte! Nuk u treguan as edhe si tregtarë të mirë, të llogarisin se Gruevskit ia japin aq lirë gjënë më të shtrenjtë – ditët e dëshmimit të normalitetit në dukje: për pesë pare!

Njëjtë sikur opozita maqedonase që nuk kupton se mllefin nga dëshmimi i normalitetit të këtillë politik të Gruevskit – përmes të ashtuquajturave partive politike shqiptare – nuk duhet ta nxjerrë te qytetarët shqiptarë, duke u treguar se sa ata mund të kenë dhe të udhëheqin me Maqedoninë. Duke u marrë kështu joproporcional: më tepër me Talatin e ministrisë se sa me Subratain e Indisë. Për këtë shkak, në shoqëri të shëndosha, njerëzit të cilët kanë humbur në ndonjë luftë, munden për taksirat t’i mërzisin me përralla vetëm nipërit e vet dhe nuk u lejohet që kështu ta kontaminojnë tërë opinionin. Sikur ky njëfarë Angellovi, që tregon se edhe sa kohë shqiptarët nuk mund të bëhen ministra për Mbrojtje të Maqedonisë?!

Kjo nuk është aspak gjë mirë, por mund të jetë hem e dëmshme, hem e kobshme. Sepse, në fund, për numrat nga jehona e votuesve dhe të bojkotit do të jenë vendimtarë pikërisht votuesit shqiptarë, as BDI, e as PDSH. Për këtë shkak, Antonio Milloshoski, prej tani, nëpërmjet tyre bën politikë në Strugë. Jo se ai do ta merr Strugën, por me kësi apele ai sigurohet që edhe shqiptarët të dalin të votojnë në numër të mjaftueshëm. Të plotësohet cenzusi dhe të dëshmohet, sadopak, normaliteti në dukje, i shtetit. Në të vërtetë, s’ka çka i duhet atij Struga kur me këtë “normalitet” ai mund të vazhdojë ta ketë tërë shtetin, në të cilin prindërit e tij do mund të blejnë komunë. Sikur që ishte rasti me komunën e Plasnicës. Me atë komunë udhëhiqte BDI-ja, por kishte përpjekje, sipas raporteve në media, që ndërtesën e kësaj komune ta blinte mu babai i këtij të njëjtit Milloshoski.

BDI dhe PDSH vazhdojnë të sillen ndaj shtetit dhe Kuvendit ashtu si sillen njerëzit të cilët jetojnë në malet e larta ndaj vërshimeve nëpër vendet e ulëta në Maqedoni. Thellë në vete, atyre edhe mund t’u vije keq, por sërish ndihen falënderues, që ja, tek ata nuk ka vërshime. Nuk kuptojnë se me vërshimin e anijeve të Koces në Vardar të Shkupit fundoset edhe diçka shumë e tyre edhe pse, në dukje, vatrat e tyre, shtëpitë e mallrave dhe stanet, janë të sigurta. U fundoset vepra e tyre jetësore politike: Skopje 2014!

Ata edhe gjithë këtyre viteve nuk arritën të mësojnë as atë pak se fjala “parlamentare” në togfjalëshin “demokraci parlamentare” e ka kuptimin që në një shtet të ketë diçka si Kuvend apo Parlament. Jo vetëm Qeveri e komuna dhe një president shteti, i harruar, i cili ja përmendet vetëm atëherë kur i përgatisin trashëgimtar. Sigurisht jo kështu me këtë Kuvend të dhunuar dhe të çnderuar siç është ky i yni aktual, pas asaj dite kur atë e dhunuan me policë dhe kur e çnderuan me dëbimin e gazetarëve prej aty.

Dhe, ende nuk kuptuan se që të jetë Kuvendi përsëri Parlament, nuk rekonstruohet vetëm godina e Kuvendit, por edhe vetë Kuvendi. Në skenën aktuale politike këtu, ja, çdokush mund të gjejë e të huazojë ndonjë vulë, madje brenda natës duke ndryshuar edhe identitet etnik, që të fitojë një apo dy komuna, por puna ka shkuar shumë më tej – shumë më tej edhe se ky uji që vërshon vendin.

Por, nuk i dihet, ka kohë, madje edhe afatet si edhe ligjet nuk janë më ajo që ishin, dhe mund të gjithë të kuptojnë atëherë kur do ta kuptojnë barsoletën?! Në vitet e para të hapjes së një vendi komunist ndaj botës, gjërat e para botërore që hynë aty ishin antenat dhe pjatat satelitore. Kështu, në një apartament të ngushtë në një ndërtesë edhe heroi ynë kishte kurdisur një. Por, me hapjen dhe antenat satelitore, në vend erdhën edhe disa subrata tjerë, të huaj të cilët shihnin që të bënin biznes, në vendin, i cili ato vite ishte i uritur për çfarëdo qoftë importi. Kështu, heroi ynë jep me qira një dhomë në apartamentin e tij një subrateje të këtillë, por prej Kine. Ata jetojnë në këtë mënyrë disa ditë, të gjithë së bashku në banesën e ngushtë. Por, kinezi kishte një mangësi disfunksionale kohore: shumë kohë qëndronte në tualet. Dhe ndodhi që në një periudhë të gjatë të këtillë, tualeti t’i nevojitet edhe atij apo familjes. Kinezi brenda nuk i përgjigjej asnjë thirrjeje. Kështu që heroi ynë, nga mospasja tjetër rrugëdalje, del nga banesa që ta thirr prej poshtë nga dritarja, ku ishte e vendosur edhe pjata e antenës satelitore: O kinez, o kinez! Kështu duke bërtitur, atë e sheh një fqinj, i cili nuk e kishte edhe aq të qartë se si ndërrohen kanalet televizive të antenës satelitore, andaj përzemërsisht e këshillon: ktheje kah gjermani, ndeshja e futbollit jepet në RTL!