Kthehet Milito, paralajmërohet Zonja!

Diego Milito ka kohë që ka munguar për shkak të një lëndimi të rëndë të pësuar në ligamentet e gjurit dhe u kthye për pak minuta në një miqësore javë më parë, teksa tani luajti në miqësoren tjetër nga fillimi ndaj skuadrës zvicërane Lugano.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e zvicëranëve në minutën e 36-të kur Tosetti shënoi për 1-0.
Në pjesën e dytë (47’) ishte Santillo ai që dyfishoi epërsinë për Luganon.
Por, në skenë u shfaq Diego Milito i cili shënoi një gol të bukur (57’), para se Kuzmanovic të barazonte rezultatin (60’) për 2-2 dhe rezultatin përfundimtar.
Ky rezultat është i parëndësishëm për Interin që u paraqit me formacion të tretë, teksa lajm i mirë është rikthimi në top formë i Diego Militos, informacion që nuk do t’i pëlqejë Juventusit.
Kujtojmë se ishte Milito ai që i realizoi dy gola kampionit të Italisë në Juventus Arena nëntorin e vitit të kaluar për të ndalur serinë prej 49 ndeshjeve pa humbje. /Telegrafi/









































