Kryeqyteti i parë i Egjiptit, si muze në ajër të hapur u zbulon vizitorëve sekretet e tij


Kajro, kryeqyteti i Egjiptit që strehon piramidat, një nga Shtatë Mrekullitë e Botës, u ofron vizitorëve një "festë historike" edhe me "Mit Rahina", e cila konsiderohet një thesar po aq i rëndësishëm sa piramidat në qytetërimin e lashtë egjiptian.
Rajoni Mit Rahina, i ndërtuar mbi rrënojat e qytetit Memphis, "kryeqyteti i parë i Egjiptit të Bashkuar", dhe i vendosur në jug të Gizës, strehon një histori të ndërthurur me legjenda.

Muzeu në ajër të hapur në këtë zonë u ofron vizitorëve tempullin e lashtë dhe dhjetëra artefakte të rralla, veçanërisht statujën e Ramsesit II, një nga provat më të spikatura të periudhës së faraonëve.

Rajoni historik, ku vazhdojnë zbulimet e reja, pasqyron pjesë nga jeta fetare dhe e përditshme e egjiptianëve të lashtë.
Muzeu në ajër të hapur; përfshin shumë rrënoja si "Porta Perëndimore e Tempullit të Madh të Ptahut" nga periudha e Mbretit Ramses II, Tempullin e Hathorit nga Dinastia e 19-të dhe tempullin e mumifikimit të demit "Apis" nga Dinastia e 26-të (664 – 526 p.e.s.), duke formuar një nga pikat më mbresëlënëse të zonës arkeologjike "Mit Rahina".

Statuja gjigante e Ramsesit II (rreth 1279–1213 p.e.s.), e konsideruar si zemra e muzeut dhe një nga mbretërit më të famshëm të Egjiptit të Lashtë, tërheq të gjithë vëmendjen.
Statuja, ndryshe nga shumica e statujave të faraonëve, është e ekspozuar e shtrirë dhe jo në këmbë.
Drejtori i përgjithshëm i Antikiteteve në Ministrinë e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit, Dr. Mecdi Sakir, tha se qyteti Mit Rahina strehon Memphisin e lashtë, i cili sipas tij është themeluar në vitin 3100 p.e.s. si kryeqyteti i parë i Egjiptit.

Ai tha se zona përfaqëson një pjesë të jetës së përditshme dhe aktiviteteve të egjiptianëve të lashtë, ndërsa Sakkara përfaqëson "botën pas vdekjes", që lidhet me vdekjen, varret dhe ritualet fetare.
Sakir bëri thirrje që koncepti i muzeve në ajër të hapur të përhapet edhe në zona të tjera të Egjiptit që janë të pasura me trashëgimi. /AA/








































