LAJMI I FUNDIT:

Kritikoja sjelljen time, kurrë veten time

Kritikoja sjelljen time, kurrë veten time

Sa herë e kritikoja veten për diçka, veçoja një kohë që thjesht të ndalesha, të përsiasja dhe të pyesja: a ekziston ndonjë mënyrë më e mirë, në këtë rast, të përkujdesem për veten?


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Ndalesha, përqendrohesha dhe këtë pyetje ia shtroja vetes sa e sa herë.

Dhe, besoni, raportet e mia me të tjerët erdhën e u përmirësuan në mënyrë të pabesueshme, si në punë, ashtu edhe në familje.

Kur vërtet nuk më pëlqente sjellja ime, e kritikoja sjelljen time, por kurrë nuk e kritikoja veten time.

Çdo fillim është i vështirë

Në fillim e kisha të vështirë të mësohesha të ndaja një pjesë të kohës për veten, t’i kushtohesha vetvetes. Mirëpo, duke e marrë këtë si një obligim të domosdoshëm, e duke e përsëritur disa herë në ditë, erdha e u mësova.

Dhe, më në fund, ia arrita qëllimit, e kuptova se kthimi nga vetja qenka një nga virtytet më të larta të shpirtit të njeriut.

Kështu, ia dola mbanë që nga brengat të mos brengosesha, të ruaja qetësinë shpirtërore dhe emocionale

Prandaj, po i hedh në letër këto mendime, duke marrë përpjekjen e sinqertë e të çiltër të trokas në derën tuaj dhe t’jua bëj të ditur një të vërtetë: shumë njerëz, po të liroheshin nga frika e nga brengat dhe po të kishin besimin e vërtetë në veten e tyre, do të mund të shëroheshin vetë.

Sëmundjet e tyre janë po ashtu reale, si dhimbja e dhëmbit, e shpeshherë edhe njëqind herë më serioze.

Frika shkakton shqetësim, shqetësimi ju ngacmon, ju nervozon dhe ndikon në nerva e në lukth, pastaj shfaqet i thati.

Tash jam duke zbatuar një metodë, me një besim të palëkundur, në luftë kundër frikës, brengave dhe ndjenjave ndjellakëqija.

Në të vërtetë, ekziston mundësia që në një moment, në një kohë, njeriu të humbasë besimin se është në dorën e tij t’i zgjidhë problemet, t’i mposhtë brengat, ta mundë frikën dhe të ballafaqohet me të vërtetën. /Telegrafi/