LAJMI I FUNDIT:

Krejt çka thanë Kurti, Borrell dhe Vuçiq pas takimeve ndaras në Bruksel

Krejt çka thanë Kurti, Borrell dhe Vuçiq pas takimeve ndaras në Bruksel

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me takimin e së enjtes në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrel dhe emisarin e tij special për Ballkanin dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra e Kryeminsitrit, nuk pati takim trilateral siç ka ndodhur zakonisht, për shkak se pala tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar një gjë të tillë.


“Pra, mua më duhet të përballem me një situatë në të cilën para katër muajve m’u premtua që nuk po nënshkruhet Marrëveshja Bazike meqenëse do të nënshkruhet bashkë me Aneksin e Zbatimit. E mandej, para tre muajve m’u tha që nuk do të nënshkruhet as Marrëveshja e Zbatimit si pjesë integrale pra ai aneks në Ohër, meqenëse edhe ashtu kemi marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se kjo është sjellje aspak konstruktive e Vuçiqit, pasi shtoi se ka shkuar në Bruksel për t’u takuar, për t’u marrë vesh, për të zhvilluar bisedime, negociata në mënyrë që të ketë dakordime dhe të ecet përpara.

“Në fillim të këtij takimi unë ia kam prezantuar një dokumentacion Borrel dhe Lajçak, lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, me datën 14 qershor. Pra, janë bërë më shumë se sa një javë që ata po mbahen peng, po mbahen rob nga Serbia në burgun e Kralevës dhe ky dokumentacion tregon hollësisht dhe qartë se si ata janë rrëmbyer në brendësinë e territorit të Kosovës dhe njëkohësisht kërkova nga Borrel dhe Lajçak që ta dënojnë agresionin e Serbisë publikisht”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se gjatë takimit është biseduar për deeskalimin e situatës në veri.

“Për bindjen time të fuqishme deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale e kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”.

Ndërkaq, sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, Kurti tha se “e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”.

“Nuk mund të them që situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale tash dhe e kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit unë mund të them se ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që i kemi lënë pas. Sido që të jetë mbetet të shihet dhe jam i hendikepuar për shkak se nuk ka pasur takim direkt”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, ata të cilët i thanë po marrëveshjes që të mos e nënshkruajnë dhe që duket se janë penduar që kanë thënë po, tash po refuzojnë edhe të takohen me mua, ndërkohë që i mbajnë peng tre policët e Kosovës.

“Është situatë shumë e vështirë për neve, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme. Siç po e shihni ende në Bruksel është ditë, kemi mundur të vazhdojmë bisedimet. Ndonëse është dita më e gjatë e vitit, megjithatë ka pasur kohë që të kemi dialog intensiv derisa të arrijmë te një dakordim. Gatishmëria ime nuk mungon, gjithashtu edhe propozimet konkrete, por kemi një lloj ikje të palës tjetër nga situata dhe nga zgjidhja e mundshme”, shton tutje Kurti.

Kurti tha se me Borell dhe Lajçak u pajtuan se edhe lirimi i menjëhershëm i pakusht i tre policëve dhe në anën tjetër deeskalimi me normalizim të raporteve nuk ka alternativë. “Kjo e fundit ka nevojë për një sekuencim të plotë, të hollësishëm dhe të balancuar të Marrëveshjes Bazike dhe të atij dakordimit të asaj marrëveshjes shtesë si aneks zbatimi që u bë në Ohër”.

Kreu i Qeverisë, hodhi kritika lidhur me Aneksin e Zbatimit, që sipas tij, nuk u nënshkrua nga pala serbe.

“Pra mua herën e parë më 27 shkurt, këtu në Bruksel, m’u tha që po e pranojmë, mirëpo nuk po e nënshkruan pala tjetër se do ta bëjë në Ohër. Kur erdhëm në Ohër u dakorduam për Aneksin e zbatimit as njëra, as tjetra. Sërish nuk u nënshkrua”.

“Përshtypja ime është që në këtë situatë përveç tjerash jemi si rezultat i mos nënshkrimit të kësaj Marrëveshje Bazike dhe mos insistimit në zbatim të menjëhershëm të pakusht dhe të plotë të asaj marrëveshje, sepse edhe më herët janë nënshkruar shumë marrëveshje, po nuk janë zbatuar, në ndërkohë që tash kemi një situatë në të cilën mos nënshkrimi po pasohet me mos takim”, tha ai.

Çka tha Borrell pas takimit me Kurtin

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Joep Borrell, pas takimet të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një konferencë për media.

Borrell i ka kërkuar Vuçiqit lirimin e tre policëve kosovarë që po mbahen në Serbi, që nga 14 qershori.

“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”, ka thënë ai.

Tutje thekson se është arritur pajtim për nevojën për zgjedhje të reja.

“Sigurisht se presim nga Kosova që t’i pezullojë menjëherë këto operacione në afërsi me objektet komunale në veri dhe katër kryetarët, përkohësisht të tërhiqen nga objektet komunale ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, njëkohësisht me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat, me kushtin, pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës”, u shpreh Borrell.

Po ashtu theksoi se ka kërkuar nga kryeminsitri Kurti, që pas normalizimit të situatës në terren, pa vonesa të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit.

“Pas kësaj, pasi që situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve, dhe duhet t’i kthehemi impelementimit të kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin edhe fillimin dhe pa vonesa, hartimin e statutit të Asociacionit”, deklaroi Borrell.

Vuçiq thotë se çdo gjë ka shkuar shumë larg

Pas takimit me ndërmjetësuesit e dialogut, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, deklaroi Vuçiq./Telegrafi/