LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë dhe po e keqqeverisë nga brenda

Krasniqi: Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë dhe po e keqqeverisë nga brenda

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se po e izolon vendin nga jashtë, ndërsa po e keqqeverisë nga brenda.

Sipas tij, paralajmërimet për sanksione nga Bashkimi Evropian janë si pasojë e një qeverie aventuriere, “e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente”.


Tutje, Krasniqi ka thënë se me veprimet e tij, Kurti po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara, ku nga Evropa bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska.

“A është e mundur që të gjithë ta kenë keq e vetëm Albin Kurti ta ketë mirë? Natyrisht që nuk është e mundur dhe i gabuar këtu është Kryeministri Kurti. Të gjithë e dimë se nëpër çfarë sfida ka kaluar vendi ynë që nga çlirimi, për të arritur shpalljen e pavarësisë e deri tek ndërtimi i institucioneve dhe zhvillimi i vendit”.

“Këtë rrugëtim të suksesshëm e kemi bërë vetëm falë koordinimit të ngushtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë strategjik, në krye të të cilëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook.

Ai ka thënë se në këtë periudhë sfiduese për vendin, lidershipi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë tonë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë.

“Krahas këtyre mbi 150 takimeve nëpër fshatra e qytete të Kosovës, unë kam zhvilluar takime edhe në Prishtinë me përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, me akterë të jetës publike, me përfaqësues të mediave, përfaqësues të sektorëve të arsimit e shëndetësisë dhe të shumë sektorëve të tjerë, të cilët janë të brengosur me këtë”.

“Pas këtyre konsultave e diskutimeve të shumta, të hënën kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka përfunduar Krasniqi. /Telegrafi/