LAJMI I FUNDIT:

Kosova vendi i verës, por jo edhe i konsumit të verës

Kosova vendi i verës, por jo edhe i konsumit të verës

Vend i vogël me mundësi të mira për verëra të shkëlqyera

Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë


“Kjo është Anadrinia e Dardanisë, jo Kalifornia e Amerikës.” Me këto fjalë i shpjegova një kolegut tim gjerman derisa ishim bashkë në një mision në Kosovë të organizuar nga GIZ-i gjerman. I tregova për potencialin prodhues në bujqësi të rrafshit të Dukagjinit dhe për njerëzit punëtorë të kësaj ane. Nuk kishte asnjë pëllëmbë toke të pa punuar.

Drini i Bardhë, lum që buron në Radafcin e Rrafshit të Dukagjinit, gjarpëron përgjatë luginës së një pjese të Kosovës që quhet Anadrini. Pra, një nga këto anë të skenës së vreshtave dhe verës nga lugina e Anadrinisë, anë e lumit që pas 122 kilometrash, bashkohet me Drinin e Zi, formojnë lumin Drini (Drilon) që derdhet në pjesën shqiptare të detit Adriatik. Kodrat në anën jugore të Drinit të Bardhë në Anadrini, janë të veshura me një peizazh të jashtëzakonshëm, dominimi i së cilës është vreshtaria. Pamja intensifikohet gjithnjë e më shumë. Vreshtat në dukje të pafundme në Anadrini, shtrihen nga shtrati i lumit deri në majat më të larta të kodrave, dhjetëra kilometra, të ndërthurura me vreshta të ndritura individuale.

Është mbresëlënëse se si lumi i fuqishëm ka thyer shtresat e gurit gëlqeror dhe granitit përgjatë dimensioneve gjeologjike, duke lënë toka humusi aluviale për perimtari dhe kodra të paprekura për vreshtari. Ky lum ka merita të mëdha, në veçanti për ndikimin e tij në klimën e butë që vjen nga Adriatiku në Anadrini.

Në vreshtat e Anadrinisë, që përfshijnë kodrat e vreshtave të Rahovecit, Therandës, Gjakovës dhe Prizrenit, rriten varietetet e rrushit, nga ato vendase si Dibraku, Vrançi, Bagrina, Kateroshi, Dimiati e deri te ato me famë botërore si Kabernet Sauvinjon, Cabernet Frank, Serini, Pinoti i Zi, Game, Rizlingu italian, Rizlingu i Rainit, Sauvignon blank, Shardonnay e të tjerë.

Nëse dikush do ta “prekte” këtë vend, me investimet e tij, do të gëzonte një emër të madh, do të “dridhte botën” me produktet cilësore të këtij vendi, do të bëhej një emër i njohur i verërave Dardane. Fatkeqësisht nuk ka kush ta marrë këtë iniciativë dhe gjer më sot, nuk ka as strateg e as vullnet për këtë punë.

Brezi i prodhuesve të verës Anadrinase, të organizuar së bashku, tashmë kanë një objektiv për paraqitje sa më të mira të prodhimeve të tyre verëtare. Atyre u duhet përkrahje, motivim dhe ndihmë profesionale. Anadrinasit tashmë i njeh Kosova dhe më gjerë, por duhet t’i njeh edhe bota. Bukuria e veçantë e kësaj lugine të lumit Drini i Bardhë kërkon mbështetjen e shtetit, të biznesmenëve dhe verëdashësve konsumatorë të verërave. Por ku mund t’i gjejmë këta të fundit?

Për të bërë verëra të mira, na duhen edhe shijues të mirë, dashamirë të verës!

Tokat e harruara të verërave

Tokat Ilire janë ndër vendet më të vjetra të prodhimit të verës në botë. Pavarësisht një historie të gjatë të rritjes së verës, këto rajone vështirë se shfaqen në radarin gjeografik të verërave në tregun ndërkombëtarë. Pse?

Kur flasim për vendet e verës, në përgjithësi nënkuptojmë vendet e Evropës Qëndrore si Franca, Italia, Spanja, Portugalia, Zvicra dhe Austria. Megjithatë, këtu nuk po flas për asnjë nga këto rajone por për zona që prodhojnë verëra historikisht për shumë vjet, më gjatë se vendet që i përmenda më lartë. Këtu kufizohem në Kosovën, vend i lashtë Iliro-Dardan!

Gadishulli Ilirik

Sot Shqipëria me të drejtë mund të quhet vendi më i vjetër i verërave në Evropë. Gërmimet e fundit të një kompleksi në Butrint, konfirmojnë se vera është prodhuar në Iliri më shumë se 6000 vjet më parë. Populli shqiptar ka një histori të trazuar dhe vera ka qenë një pjesë e rëndësishme e kulturës Ilire – Arbërore – Dardane gjatë gjithë kohës. Në luginën e lumit Buna ndodhet Kisha e Shën Bakusit, e cila sot është shkatërruar nga sisteme të ndryshme sunduese në vendet shqiptare. Një gur i gdhendur me hardhi të kohës romake është gjetur në Viti, si dhe pitoset e verës me shekuj të vjetra në Rahovec. Grekët e lashtë sollën vreshtarinë dhe kulturën e verërave në kolonitë e tyre ilire të quajtura Maqedoni, Dardani, Arbëri, Dalmaci, etj. Nga ne mësuan romakët, dhe mjeshtërinë tonë të verës, e përhapen në tërë Evropën. Por ku jemi ne tani?

Gjurmët e luftërave kanë ndikuar dukshëm në shkatërrimin e kulturës së verërave në vendin tonë, veçanërisht sundimi turko-osman na nxorri jashtë rrjetit të vreshtarisë, e cila ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e kulturës autoktone shqipëtare, si bie fjala Rahoveci, si një qendër vreshtare e Anadrinisë. Fatkeqësisht, sundimi i dikurshëm komunist dhe lufta e fundit kundër pushtuesve serbë, la plagë të thella në luginën e Drinit të Bardhë. Si rezultat, vreshtaria në Kosovë u tkurr në minimum pas luftës së fundit çlirimtare.

Sundimi i Perandorisë Osmane në trojet tona, pati një ndikim negativ duke zhvilluar politikën e saj kundër përdorimit të verës, kjo një pije e shëndetshme për njeriun. Pas kohës osmane, filluan procese të rëndësishme modernizimi, por ne, për fat të keq, mbetëm pas të tjerëve, edhe pse kohët e fundit, ka filluar një lëvizje rimëkëmbjeje në kulturën tonë shekullore të verës.

Pas luftës së fundit, pasuria e përbashkët e cila u takonte punëtorëve të Kosovës, duke përfshirë hapësira vreshtare prej mijëra hektarësh, u privatizuan, ose më saktë, u morën nga ish pushtetarët duke i privatizuar dhe duke i ridestinuar. Kështu, mijëra hektarë vreshtash të cilat u kultivuan vite me radhë, për një kohë të shkurtër u shkatërruan.

Nga gjithsej 9700 hektarë vreshtash në Kosovë, prodhoheshin miliona litra verë, të cilat njiheshin si “Blackbird Fields Wine” ose “Amselfelder Weine” dhe shpërndaheshin nga Kosova deri në Gjermani, Angli dhe gjithë Evropën Perëndimore.

Megjithatë, kohët e fundit, vreshtaria në Kosovë ka rifilluar të lulëzojë, por ende pak njerëz e shijojnë verën. Rrushi dhe vera e prodhuar nga prodhuesit kosovarë janë duke u zhvilluar gradualisht përkundër ndikimit aty këtu të religjionit qe kufizon konsumimin e alkoolit.

Sipas statistikave të fundit, në vendet e Evropës, Kosova zë vendin e fundit në konsumimin e verës, me vetëm 0.75 litra verë për kokë banori, afërsisht njëjtë me Marokun, me 1 litër verë për kokë banori. Paradoksalisht, jemi dy vende që prodhojmë shumë verë, por që konsumojmë pak pijen që e prodhojmë vetë. Ne bëjmë verë siç bëjnë marokenët, vetëm për ta eksportuar jashtë vendit.

Ironike kur një ekspert kosovar thotë: “Ne nuk pimë verë, e prodhojmë për gjermanët”! Por nëse bëni verë dhe nuk e shijoni vetë, çfarë cilësie mund të ketë ajo verë që i ofron dikujt? Ky është demotivim i atyre që vërtetë dëshirojnë të prodhojnë cilësi. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori