eksperti-banner

E kam shkruar disa herë - së fundi më 6 qershor - se protesta në Tiranë u përket qytetarëve të Shqipërisë. Ata janë të revoltuar me regjimin e tyre, i cili u rri mbi kokë, dhe ata duhet të përballen me të. Kjo nuk është protestë që u përket kosovarëve dhe tetovarëve (as atyre imagjinarë të kryeministrit të Shqipërisë, i cili është bërë shumë i zellshëm në kërkimin e armiqve të jashtëm, poliagjentëve dhe imperialistëve të algoritmit). Duket se ka shikuar si tepër filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Partitë politike të Kosovës, edhe pas tri javësh protestash masive në Shqipëri, kanë zgjedhur të heshtin. Kjo do të thotë se duan të tregojnë qartë që nuk përzihen në zhvillimet politike në Shqipëri. Kjo qasje duhet përshëndetur.


Mund të ketë individë nga Kosova që zbresin në sheshet e Tiranës për të mbështetur protestën. Mund të ketë të tillë edhe nga Tetova. Por roli i tyre është i papërfillshëm, inekzistent. Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të humbë kohë me tekste të gjata në rrjete sociale. Nëse vërtet mendon se flamingot po i vijnë nga Ferizaj dhe jo nga Zvërneci, atëherë le t’ua ndalojë hyrjen në Shqipëri flamingove kosovare, edhe atyre që eventualisht kanë ardhur me kamion dhe kanë gënjyer se janë nga diaspora. Një kamion mund të bart ndoshta 70 veta. Por 70 mijë të tjerë në qendër të Tiranës janë shtetas të Shqipërisë.

Megjithatë, Edi Rama mund t’i zbulojë lehtë këta edepsëz e edepsëze kosovarë. Shefen e shërbimit sekret e ka importuar nga Kosova me buçima tamtami dhe ajo, me siguri, ka kapacitet që, me hafijet e saj, të zbulojë armikun e jashtëm kosovar. Me ata kosovarët e tjerë që mbrojnë çdo mbrapshti të Edi Ramës, as kryeministri i Shqipërisë, as regjimi i tij, as ministrat e tij nuk kanë asnjë problem. Kosovarët kritikë janë të padëshiruar, ndërsa kosovarët që i duartrokasin qeverisë së Shqipërisë janë të mirëpritur. Të parët ofendohen se po flasin “atë dialektin e rëndë kosovar”; të dytët - pa marrë parasysh sa të çalë mund ta kenë diksionin - trajtohen sikur të ishin pjesëmarrës në Kongresin famoz për standardizimin e gjuhës më 1972.

Meqë kryeministri i Shqipërisë paska aq shumë dëshirë që fajin për ngjarjet në vendin e tij t’ua lërë njerëzve jashtë Shqipërisë, e sidomos shqiptarëve të Kosovës, është e udhës të kujtojmë këtu se, nëse ka një politikan të Tiranës që brutalisht ka ndërhyrë negativisht në çështjet e Kosovës, emri i tij është Edi Rama.

Ka qenë i pari që i vendosi sanksione Kosovës, duke anuluar mbledhjet e përbashkëta të qeverive.
Ka shkruar një letër-propozim për asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe ua ka dërguar kancelarit gjerman dhe presidentit francez. (Merreni me mend sikur një kryeministër apo president i Kosovës të shkruante një dokument për një autonomi të pakicës greke në Zvërnec dhe këtë letër t’ia dërgonte qeverisë gjermane, franceze dhe greke.)

Edi Rama e ka quajtur veriun e Kosovës “tokë e askujt”. (Si tingëllon në Tiranë po të dilte një udhëheqës kosovar e të thoshte: “Zvërneci - kjo tokë e askujt?”

Sa herë që presidenti i Serbisë ka rënë në hall për shkak të politikave të tij autokratike, kryeministri i Shqipërisë i ka dalë në ndihmë - herë duke qortuar BE-në (imagjinojeni!) pse po i kërkonte Serbisë t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, herë duke shkruar editorial bashkë me Aleksandër Vuçiqin për një gazetë gjermane, ku të dy tregoheshin të gatshëm të hiqnin dorë nga anëtarësimi i plotë në BE.

Me pothuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës Edi Rama ka pasur përplasje - njërin deshi ta hidhte në gjyq (R. Haradinajn), tjetrin (I. Mustafën) e qortoi pse nuk deshi të bëhej pjesë e “Mini-Schengenit Ballkanik”, projektit për zemër të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit; me Albin Kurtin Rama ka një raport të veçantë: dikur e quante partinë e Kurtit “pasuri kombëtare”, ndërkohë raportet janë prishur. Për këtë, një pjesë të fajit e bart edhe Kurti për shkak të ambicieve të tij fluturuese në të kaluarën, përfshirë pjesëmarrjen në zgjedhje në Shqipëri. Për fat të mirë nuk e ka përsëritur këtë gabim në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

E kam shkruar vite më parë dhe po e përsëris: asnjë ndryshim në Shqipëri nuk vjen, nuk mund të vijë dhe nuk duhet të vijë nga jashtë. Ndryshimi vjen nga brenda, kur të piqen kushtet. Secili kryeministër i Kosovës duhet të përqendrohet në punët e Kosovës. Ato duhet të gëzojnë prioritet. Përrallat e VV-së për “bashkim kombëtar sapo të vijmë në pushtet” mbetën - përralla. Vetëm naivët mund të kenë besuar se bëhej fjalë për premtim serioz. Ama këto përralla dikur i pëlqenin Edi Ramës. Pothuaj në sinkron me VV-në, ai më 2018, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, propozoi që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët. Deputetët e VV-së hynë në sallë vetëm kur nisi të flasë ylli i tyre nga Tirana, Edi Rama. Fillimin e seancës vëvëistët e bojkotuan meqë ua vriste veshët dhe ndjenjat patriotike himni i Kosovës. Buxheti i Kosovës, ndërkaq, nuk i ka penguar kurrë këta njerëz. Ata të tjerët para tyre në pushtet jo se jo.

Po shihet tashmë se përzierja e eksponentëve të VV-së në Maqedoni nuk u solli ndonjë të mirë shqiptarëve të atjeshëm. Kjo nuk do të thotë se do të kishin kaluar më mirë me BDI-në në pushtet, e cila u zhyt në korrupsion dhe - siç po shihet hapur - nuk ka zgjidhur shumicën e çështjeve për të cilat po diskutohet: gjuha, emërtimi i shesheve dhe rrugëve në Tetovë etj.

Madje, edhe me Hashim Thaçin kryeministri Edi Rama pati mospajtimet e tij. Më 2019, Thaçi refuzoi të marrë pjesë në samitin e Ohrit, një takim trepalësh ku ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për të diskutuar rreth nismës së ashtuquajtur “Mini-Shengeni Ballkanik” (më vonë i njohur si “Ballkani i Hapur”, ndërkohë i harruar). Në rolin e vëzhguesve morën pjesë në takim edhe kryeministri i Bosnjës, Zoran Tegeltija, dhe kanakari i Edi Ramës nga Mali i Zi dhe vikari i vetëshpallur i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, i cili atëbotë ishte kryeministër në Podgoricë. Thaçi e arsyetoi mospjesëmarrjen duke thënë se nuk mund të ishte pjesë e samiteve të organizuara nga shtete apo me pjesëmarrjen e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai iu referua Serbisë dhe Bosnjës. Afërsisht në të njëjtën kohë kur u mbajt samiti në Ohër, Thaçi dha një intervistë për Top Story në Top Channel, ku deklaroi se në vitet 90-të dyshohej për një takim të fshehtë në Ohër mes Sali Berishës, Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Gligorovit, ngjarje për të cilën pretendohej se aktivisti Remzi Hoxha kishte siguruar video-prova para se të rrëmbehej dhe të zhdukej. “Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka; asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm Sali Berisha, se ku ndodhet”, pati shtuar Thaçi. Politikanët shqiptarë kurrë s’kanë qenë të njohur për gjuhë të kujdesshme, shpesh deklaratat e tyre janë brutale, e tillë është edhe deklarata e Sali Berishës kundër Thaçit në tetor 2019 dhënë në Ora News: “Argati i Beogradit meriton vetëm atë që i kam thënë, është argat i Vuqiçit, mjeran i damkosur në mbarë Kosovën dhe tani në mbarë Europën. Shkoi në samitin e Berlinit për të shitur tokat e vendit të tij”.

Rama është përzier në Kosovë më shumë se Sali Berisha me marrëzitë e tij në vitet 1990, kur bënte thirrje që Kosova të pranonte një autonomi “brenda Jugosllavisë” dhe kur e përdorte Adem Demaçin, i cili kishte qejf të keqpërdorej, për t’i bërë presion Ibrahim Rugovës që kosovarët t’u bashkëngjiteshin protestave të opozitës serbe në Beograd kundër manipulimeve të zgjedhjeve lokale nga ana e Sllobodan Millosheviqit (thua se shqiptarët e Kosovës këtë hall kishin, ndërsa mezi mbijetonin nën aparteidin e regjimit të Beogradit). Në atë kohë, disa politikanë të opozitës shqiptare dhe kritikë të ashpër të Berishës shkuan për vizitë në Beograd për të përkrahur opozitën serbe dhe për t’ia bërë me dije se nuk mendojnë si ata “kosovarët primitivë”, të cilët kërkojnë pavarësi, sepse pavarësia e Kosovës, siç e pati thënë më vonë një kryeministër socialist i Shqipërisë, nuk i përshtatet Europës moderne, andaj i pati premtuar një mediumi gjerman se do të flasë me Ibrahim Rugovën. Me gjasë për t’ia ndryshuar mendjen. Një mision i pamundur!

Në Tiranë nuk po proteston Kosova.
Shqipëria po proteston! Dhe këtë duhet ta kuptojnë politikanët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike.
Nuk po protestojnë agjentë rusë.
Nuk po protestojnë agjentë serbë.
Nuk po protestojnë agjentë grekë.
Nuk po protestojnë agjentë iranianë.
Masa e madhe po proteston kundër një modeli politik, i cili pasuron një shtresë të hollë duke grabitur resurset e shtetit dhe varfëron shumicën.
A ka në këtë masë të madhe njerëz të papërgjegjshëm? Huliganë? Ka. Por të tillë ka në çdo protestë masive. Sikur Edi Rama të kishte fituar zgjedhjet vetëm me balerinë, violinistë dhe qëndistare të flamujve kombëtarë, do të kishte të drejtë t’i mallkonte demonstruesit me flamingo nën dritaret e zyrës së tij.

Heqja e flamurit të shtetit të Izraelit nga godina e Ambasadës izraelite në Tiranë, për shembull, është një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm. Për aq sa mund të shihet, këtë akt e ka kryer një person i maskuar, ndërsa përreth tij gjendeshin dhjetëra të tjerë me fytyrë të zbuluar. Që prej shpërthimit të protestave, ka qenë i pranishëm rreziku që në turmë të depërtojnë fanatikë pseudomyslimanë, njerëz që nuk ndiejnë as për kombin shqiptar, as për detin shqiptar, as për të ardhmen e vendit. Ata kanë agjendë globale. Kjo agjendë e tyre nuk përputhet askund me interesat e protestuesve me ndjeshmëri mjedisore.

Përgjegjës për këtë që ndodhi para Ambasadës izraelite janë si autorët e drejtpërdrejtë të këtij veprimi të ndyrë, ashtu edhe të gjithë ata që u bënë pjesë e tij. Ata duhet të arrestohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar.

Megjithatë, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe disa të vërteta shqetësuese: ky akt vështirë se do të kishte ndodhur, po të kishte vepruar policia me profesionalizmin e kërkuar. Në këtë rast, dështimi i saj është i plotë. Detyra e policisë ishte e qartë: të mbronte misionin diplomatik izraelit. Siç bën çdo shtet serioz. Edhe më i rëndë duket dështimi i shërbimit sekret shqiptar. Nëse një shërbim nuk arrin të parandalojë skena të tilla në zemër të kryeqytetit, atëherë lind natyrshëm pyetja: për çfarë ekziston? E gjithë kjo që ndodhi flet shumë edhe për sistemin e sigurisë të ngritur nga qeveria aktuale në Tiranë, një sistem i kriminalizuar, që u shërben më fort nevojave të politikës së ditës sesa interesave të shtetit.

Organizatorët e protestave duhet të tregohen të vëmendshëm, që të mos lejojnë depërtimin e ca mendjehumburve, të cilët, para se të “çlirojnë” Sazanin e Zvërnecin, ëndërrojnë të “çlirojnë” Gazën - madje, ndoshta, pasi të kenë shfletuar esenë mbi Kosovën të intelektualit palestinez Edward Said, figurë me të cilën pëlqejnë të identifikohen kritikët e kolonializmit.

Më 1999, Said llomotiste se Bill Clintoni “e ka shfrytëzuar krizën e Kosovës për të ndrequr dëmin që i bëri vetes me çështjen Lewinsky”, ndërsa shtronte pyetjen se cilat do të ishin, në të ardhmen, marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me Serbinë, “e cila ka një të drejtë sovraniteti të pamohueshëm në këtë krahinë”.

Nuk është befasi që ka njerëz që duan ta keqpërdorin protestën për agjendat e veta. Para disa ditësh, disa komunistë mendjehumbur të kasabasë së Zürichut dolën në një shesh për të protestuar, meqë, pas Gazës, dhëndri i Trumpit paskësh dëshiruar të merrte edhe Sazanin. Këtyre hutaqëve iu bashkuan edhe disa djem e vajza shqiptare me flamuj kombëtarë, duke mos pranuar të kuptonin se Gaza dhe Sazani nuk kanë asgjë të përbashkët, as në histori, as në hall.

Shqetësimi i vetëm i protestuesve do të duhej të ishte përballja me një qeveri arrogante në Tiranë, e cila merr vendime mbi kokat e qytetarëve, pa pyetur askënd, pa sqaruar kushtet e investimit dhe pa dëgjuar shqetësimet e banorëve. Kjo protestë mund të quhet që tani historike, sepse i ka treguar regjimit se durimi ka një kufi dhe se, përtej atij kufiri, nis mosbindja dhe zemërimi qytetar. Tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec kishte një simbolikë të fuqishme - një pamje që të jepte ndjesinë se, në të njëjtën mënyrë, po tërhiqet zvarrë edhe Shqipëria nga një kastë politikanësh të korruptuar, të lidhur pazgjidhshmërisht me një rreth oligarkësh.

Kjo është protestë kundër një kryeministri që thotë se nuk di asgjë për grupet okulte që paratë e fituara nga tregtia globale me drogë i investojnë në ndërtimin e rrokaqiejve në Tiranë dhe resorteve turistike në Adriatik dhe Jon. Si është e mundur kjo? Kush i lëshon lejet për ndërtime të tilla? Kush i kontrollon transferet e parave? Ku janë policia, shërbimi sekret, prokuroria, policia financiare? Politika? Ministrat?

Fajtore qenka Kosova! Pasi nuk funksionoi propaganda për diskreditimin e tërë protestuesve me lloj-lloj akuzash dhe me vokabular enverhoxhist, mes tyre më e tmerrshmja ishte kur kryeministri i krahasoi djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, shumë prej të cilëve votues të dëshpëruar të tij, me falangat (jo flamingot!) e Benito Mussolinit. T’i quash bashkëkombësit e tu fashistë? Apo sorra e korba? Kjo është gjuhë shqetësuese. Dhe nuk është gjuhë e nivelit të kryeministrit. Kjo gjuhë nuk duhet të ketë vend në hapësirën publike.

Në të njëjtën kohë, asnjë fjalë nga kryeministri për Belinda Ballukun, e cila, sipas SPAK-ut, u shpërblye me një vilë sipas parimit: unë ty tenderin, ti mua vilën në Dhërmi. Asnjë fjalë për skemën e dyshuar për pastrim parash. Asnjë fjalë për dyshimet se miliona nga tregtia me kokainë po futen në ekonominë shqiptare. Asnjë fjalë për dëmet e mëdha që iu shkaktuan buxhetit nga afera e inceneratorëve. Asnjë fjalë për futjen në parlament të figurave që më shumë e kanë vendin në burg sesa në institucionin e lartë të përfaqësimit të vullnetit popullor. Kryeministri i Shqipërisë me gjasë nuk ka qenë kurrë në Aruba, në atë ishullin e famshëm ku thuhet se një grup shqiptarësh që nuk shquhen për respektim të ligjeve bënë plane për investime në Shqipëri. Por detyrë e kryeministrit është të kujdeset që kapitali i siguruar nga shitja e kokainës të mos depërtojë nga Aruba në Adriatik. Kur e ka marrë pushtetin është betuar se do të punojë për të mirën e Shqipërisë, jo në dëm të saj.

Athua për të gjitha këto probleme të Shqipërisë fajet i paskësh Kosova? Sa herë që regjimi në Tiranë përballet me probleme, fajtorë kujdestar gjenden shqiptarët e Kosovës. Kjo politikë etiketimesh me nuanca racizmi të internalizuar nuk i zgjidh hallet e Edi Ramës. Ka potencial vetëm të shkaktojë tensione mes shqiptarëve në rajon.

Lexova një ish-ministër të Ramës që tha se nuk ka “hajvanllëk më të madh sesa të vish nga Kosova për ta rrëzuar qeverinë në Tiranë”. Ky ish-ministër dhe të ngjashmit do të tingëllonin të besueshëm, po të kishin guxuar në të kaluarën t’i kërkonin kryeministrit të tyre që të mos i bënte dëme Kosovës me paradat e tij kuazidiplomatike. A bëhej fjalë edhe aty për hajvanllëk, nëse duam të ruajmë “origjinalitetin e sharjeve” të politikanit nga Tirana?

Meqë kryeministri i Shqipërisë këto ditë ka qejf të flasë shumë për sorra e korba, qe edhe një shembull me lopë. Vite më parë, një blegtor zviceran nuk pajtohej me praktikën e prerjes së brirëve të lopëve dhe arriti të organizonte një referendum mbarëkombëtar për t’i kërkuar shtetit subvencionimin e fermerëve që nuk e aplikonin këtë praktikë. Ndërsa në Zvicër një shoqëri e tërë ndalet, debaton dhe voton edhe për një çështje të tillë - duke dëshmuar se qytetari është pronari real i shtetit, pavarësisht se në fund nisma u refuzua në referendum - në Shqipëri ndodh krejt e kundërta.

Kryeministri dhe rrethi i tij i ngushtë marrin vendime brenda natës për projekte gjigante që tjetërsojnë natyrën, duke falur për një shekull zona të mbrojtura e ishuj, si dhe duke miratuar ligje arbitrare për hotele luksoze me 10 mijë dhoma, pa zhvilluar asnjë konsultim publik dhe pa sqaruar çështjet elementare të pronësisë. Dallimi është thelbësor: nëse në Zvicër shteti dëgjon popullin edhe për brirët e lopëve, në Shqipëri pushteti i tregon “brirët” popullit, duke e injoruar plotësisht. Kjo arrogancë institucionale tani po përballet me mllefin e qytetarëve. Nëse parafrazojmë George Büchnerin, atëherë mund të profetizojmë: mllefi i qytetarëve ka nisur të shpërthejë muret e pushtetit, por të gjithë mund t’i djegin gishtat.

Kryeministri nuk mund të sillet sikur dhjetëra-mijëra qytetarë të mllefosur janë pjesë e një komploti botëror kundër tij. Kjo paranojë vetëm mund të eskalojë situatën.

Shqipëria ka arritur suksese të mëdha në dy dekadat e fundit. Hyrja në NATO dhe heqja e vizave dikur dukeshin të paimagjinueshme. Integrimi në BE dukej më larg se një udhëtim në mars. Shqipëria sot është destinacion turistik shumë i pëlqyer sidomos në Europën Perëndimore. Imazhet e shqiptarëve të leckosur e të poshtëruar nga komunizimi, pamjet e tyre si të mallkuar nga fati duke zbritur nga anija “Vlora” në Bari më 1991, figurat e tyre naive të përjetësuara në filmin “Lamerica” të Gianni Amelios - këto, fatmirësisht, i përkasin të kaluarës. Vetëm nga viti 2021 numri i turistëve ka arritur në dymbëdhjetë milionë - ky është më shumë se dyfishim. Turizmi gjeneron më shumë se një të pestën e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili së fundmi ishte rreth 26 miliardë euro. Do të ishte e padrejtë që Edi Ramës të mos i njihej asnjë meritë për këtë.

Por shumë shqiptarë besojnë se çmimi që po paguan Shqipëria, megjithatë, është shumë i lartë. Pse? Sepse prapa shkëlqimit dhe fasadave ka shumë mashtrim. Shumë korrupsion. Dhe shumë keqpërdorime. Edhe sikur Edi Rama të jetë njeriu me duart më të pastra në botë, të gjitha këto kanë ndodhur faktikisht para syve të tij si kryeministër. Nuk i pa apo nuk deshi t’i shihte? Apo i toleroi derisa krimi u bë bashkëpronar i qeverisjes? Këto janë pyetjet e vështira dhe përgjigjje po kërkojnë mijëra qytetarë të Shqipërisë. Përmendja e Kosovës nga regjimetet e Ramës dhe nga ky vetë është vetëm një tentim absurd për të prodhuar mjegull.