LAJMI I FUNDIT:

Kosova pa sistem kundër breshrit, ministria thotë se po i analizojnë mundësitë

Kosova pa sistem kundër breshrit, ministria thotë se po i analizojnë mundësitë

Kosova është një nga vendet e vetme në rajon që nuk ka sistem për mbrojtjen kundër breshrit.

Një sistem të tillë e ka pasur deri në vitin 1999, kur kanë funksionuar 104 pika lansuese të raketave për mbrojtje kundër kësaj fatkeqësie natyrore.


Por, në kohën e luftës këto pajisje janë vjedhur dhe shitur për hekur. Kështu është shprehur në një intervistë për Telegrafin, Besim Aliu – Koordinator dhe Parashikues i Motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

E mungesa e këtyre pajisjeve po shihet si dëm i madh për bujqit, por edhe për vetë shtetin.

Miliona euro shkaktohen dëme në bujqësi – dhe jo vetëm – brenda një viti, si pasojë e breshërit.

Pajisjet që e mbronin Kosovën nga breshri, u vodhën në luftë dhe u shitën për hekur
Lexo po ashtu Pajisjet që e mbronin Kosovën nga breshri, u vodhën në luftë dhe u shitën për hekur

Shteti përveç subvencionimit me shuma simbolike për kompensim të dëmeve, nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje.

Blerjen e këtyre pajisjeve duket se në plan nuk e ka as Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), që udhëhiqet nga Faton Peci.

Të pyetur nga Telegrafi për këtë çështje, nga ky dikaster kanë dhënë një përgjigje jo shumë të qartë. Kanë thënë se janë duke i analizuar mundësitë dhe modalitetet më të përshtatshme për mbrojtje kundër breshrit.

“Duhet theksuar se MBPZhR-ja në bashkëpunim edhe me institucionet tjera relevante në vazhdimësi është duke i analizuar të gjitha mundësitë dhe modalitetet më të përshtatshme për mbrojtje kundër breshrit, me qëllim që të zvogëlohet-minimizohet mundësia e shkaktimit të dëmeve në kulturat bujqësore nga kjo fatkeqësi natyrore”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.

Njëjtë si të në të kaluarën, edhe këtë vit, fermerët kulturat bujqësore të të cilëve dëmtohen nga fatkeqësitë natyrore, do të subvencionohen nga ministria.

Kjo e fundit në përgjigjen e saj ka bërë të ditur se në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, do të mbështesë fermerët për subvencionimin e 75 për qind të primit të sigurimit për disa kultura bujqësore.

“Fermerët në Republikën e Kosovës pothuajse çdo vit pësojnë dëme në kulturat e tyre bujqësore si pasojë e breshrit, vërshimeve që shkaktohen nga shiu, ngricat e vonshme pranverore, erërat e forta, si dhe zjarret”.

“Sivjet në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, MBPZhR-ja do të mbështesë fermerët për subvencionimin e 75% të primit të sigurimit për këto kultura bujqësore: mollë, qershi, misër, fasule, dardhë, speca, kumbull, mjedër, vishnjë, dredhëz, arrë, rrush, si dhe primin e sigurimit tradicional bujqësor për kulturën e mollës – pemishte intensive, specit – kultivimi intensiv, si dhe rrushit të verës”.

Breshri viteve të fundit ka shkaktuar dëme të pariparueshme në bujqësi, përkatësisht në prodhimtarinë bimore. Raporte nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural flasin se gjatë viteve të kaluara, në disa rajone të Kosovës, breshëri ka dëmtuar kulturat bujqësore në një shkallë të konsiderueshme, posaçërisht në periudhën e vegjetacionit të bimëve. /Telegrafi/