LAJMI I FUNDIT:

Kosova fiton në Arbitrazh betejën me AXOS-in

Kosova fiton në Arbitrazh betejën me AXOS-in

Kosova e ka fituar tërësisht betejën ligjore në Arbitrazh kundër kompanisë “Axos GMBH”, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.


Me këtë vendim, sipas Beqajt, Axos GMBH” detyrohet t’i paguajë Republikës së Kosovës 2 milionë euro në emër të shpenzimeve për përfaqësim dhe jo vetëm.

“Republika e Kosovës sot edhe zyrtarisht ka fituar betejën në arbitrazhin ndërkombëtar kundër kompanisë AXOS nga Gjermania.Përkundër se AXOS kërkoi qindra miliona nga Qeveria e Kosovës për anulimin e procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës, sot AXOS obligohet ti paguaj Kosovës afër 2 milion euro dëmshpërblim”, ka thënë Beqaj.

Beqaj ka theksuar se ka pasur paragjykime dhe etiketime të pabaza dhe të pa argumentuara për AXOS-in, për të cilën ka thotë se ka dalë e kundërta.

“Ky vendim tregon për punën profesionale dhe plotësisht të përgjegjshme të Qeverisë së Kosovës. Si një nga përgjegjësit për një periudhë kohore për ketë proces, nuk kam pasur për asnjë moment dyshime se epilogu do jetë ndryshe. Ka pasur shumë paragjykime dhe etiketime të pabaza dhe të pa argumentuara brenda dhe jashtë vendit, por gjithmonë faktet, puna e bazuar në ligje, sinqeriteti dhe dokumentet janë kokëforta”, tha Beqaj.

Ndëkaq, kompania gjermane “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila ishte shpallur fituese në tenderin për privatizimin e PTK-së, e ka paditur Qeverinë për shkak të mosnënshtrimit të kontratës për shitblerjen e aksioneve.

Sipas padisë së bërë më 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID), kjo kompani kërkonte deri në 500 milionë euro dëmshpërblim.

“Axos” ishte shpallur fitues në tender më datën 12 prill 2013 pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom. /Telegrafi/