William Darmouth, në Strasburg ka propozuar që tema për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE të shtyhet... vetëm për 987 vite tjera!

“Dua të propozoj që debatet për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE të shtyhen jo deri në prill 2013, por në prill 3000”, ka thënë Darmouth, i cili për këtë deklaratë fiton edhe duartrokitje.


Siç dihet, britanikët janë të rezervuar për zgjerimin e mëtejmë të Unionit. Ata mendojnë se pas Kroacisë, në BE me vite të tëra nuk duhet do të futet më askush. Ky skepticizëm ka të bëjë sidomos me përvojat e Unionit me Rumaninë dhe Bullgarinë.

Skepticizëm ka jo vetëm tek Britania, kështu që shtetet që kanë mbetur jashtë BE-së, si Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Turqia, do të mbesin edhe një kohë në “dhomën evropiane të pritjes”.

William Darmouth është deputet i Partisë së Pavarësisë, të udhëhequr nga i euroskeptiku Nigel Farage. Hulumtimet e fundit tregojnë se për herë të parë kjo parti ka 17 për qind të votuesve britanikë (e treta për nga fuqia në vend). Rezultatet e hulumtimit janë botuar nga Observer, në përputhje me rritjen e euroskepticizmit në Britani të Madhe, shtet ky që në periudhën e ardhshme përmes referendumit do të deklarohet për raportet ndaj Bashkimit Evropian.

BE vitin e kaluar publikoi një video të frymëzuar nga filmi amerikan "Kill Bill”. Tek të rinjtë videoja duhej të synonte të promovonte idenë e zgjerimit të bllokut evropian, por në fund shkaktoi akuza për racizëm për çka u tërhoq nga BE-ja.

Videoja, e cila zgjatë një minutë dhe 26 sekonda, e shfaq një grua të re të bardhë që sulmohet nga mjeshtërit me “ten të errët” të artit luftarak. Ajo shumohet dhe i rrethon, pas së cilës “sulmuesit” ulen dhe marrin pozën e meditimit. Video-incizimi, i cili është emituar në YouTube, shpërfaq flamurin e BE-së, ndërsa përfundon me fjalët: “Sa më shumë jemi, aq më të fortë jemi”!

Por, se “më shumë në BE” vështirë se do të bëhen, thotë edhe një analist gjerman. Heinz-Jurgen Axt, ekspert gjerman për Ballkanin, vlerëson se për shtetet e Ballkanit që kanë mbetur jashtë BE-së, “koha nuk do të jetë dinamike, kur është fjala tek zgjerimi”.

“Nuk duet të humbim çdo shpresë për shtetet që duan anëtarësim”, thotë ai. “Por, për BE-në ka qenë mësim i madh pranimi i 12 shteteve të reja më 2004 dhe 2007”. /Telegrafi/