LAJMI I FUNDIT:

Kosova e fundit në rajon për zhvillimi ekonomik

Kosova e fundit në rajon për zhvillimi ekonomik
Foto: Arkiv

Në Kosovë, nëse rrita ekonomike do të matej me të thënat e krerëve të institucioneve, atëherë do të ishte një realitet ndryshe, dhe vetë udhëheqësit nuk do të kishin se pse të flisnin për një kohë të improvizuar në këtë të tanishmen.

Këtë mendim ndajnë opozita dhe njohës të çështjeve ekonomike, sidomos kur i referohen deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, nga një intervistë që javën e shkuar pati në FOL. Thaçi u deklarua se sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova është më mirë se vendet e rajonit. Kosova nuk duhet të merr shembull asnjë vend të rajonit, sepse është më mirë se këto vende dhe duhet të punojë më shumë se sa rajoni, pati thënë presidenti i vendit.


Ndërkohë, Berat Thaçi nga Instituti GAP , tha se të gjithë indikatorët ekonomik, Kosovën e vendosin në fund të gjashtë vendeve të rajonit. Kosova, siç tha ai, ka numrin më të lartë të papunësisë, të hyrat buxhetore janë më të ulëtat në rajon, po ashtu edhe investimet e huaja janë më të ulëtat në rajon.

“Nëse i shikojmë shifrat në bazë të çfarë do indikatori pohimi se Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit sa i përket ekonomisë nuk është i saktë. Për arsye se nëse e marrim shembull indikatorin e të hyrave nga Bruto Produkti Vendor për kokë banori , Kosova del që është shteti me të hyrat më të ultë në rajon. Nuk jemi as afër me qëndrua në këtë pozitë që të jemi më së miri. Në fakt jemi më së keqi në rajon. Edhe indikatorët tjerë tregojnë se nuk jemi mirë. Nëse i shikojmë shifrat e papunësisë prapë jemi më së keqi në rajon e mos të flasim në aspektet të tjera të cilat janë cilësia e edukimit , kualiteti i ambientit të të bërit biznes. Nga asnjëri nga këta indikatorë Kosova nuk qëndron më së miri në rajon. Përkundrazi ne qëndrojmë më së keqi sa i përket standardit të jetës”, tha Thaçi.

Sipas tij, këtë trend të rritjes ekonomike të Kosovës, duhen rreth 30 vjet për të arritur Evropën.

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, tha se Kosova ka ambientin më të pa favorshme për investitorët e huaj dhe ata vendor. Ligjet, sipas Krasniqit, dhe ndërhyrjet politike e kanë pamundësuar zhvillimin e ekonomik të vendit.

“ Të gjithë biznesmenët edhe vendor, e mos të flasim për ata të jashtëm thonë se procedurat e investimeve në Kosovë janë më të pa favorshmet se cili do vend tjetër i rajonit. Në këtë rrafsh, Republika e Kosovë ka ligjet e këqija, pastaj ndërhyrjet politike e kanë pamundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Krasniqi.

Edhe Frashër Krasniqi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se në të gjitha raportet ndërkombëtare Kosova renditet e fundit në listën që matë zhvillimin ekonomik të vendeve.

“Nuk ka raport ndërkombëtare që e qet Kosovën mirë. Secili raport ndërkombëtar Kosovën e qet të fundit në listë sa i përket vendeve të rajonit dhe jo vetëm. Madje në krahasim ndërkombëtar me të gjitha shtetet, Kosova është shumë keq. Pavarësisht raporteve ndërkombëtare, gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë vërehet më së miri prej vet qytetarëve të Kosovës”, tha Frashër Krasniqi për KosovaPress. /Telegrafi/