LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni shkon në pushim!

Kermabon ah Kermabon, Artemije ah Artemije:

Me pikëllim të thellë mora lajmin se” luftëtari” sypatrembur në luftë kundër korrupsionit, qytetari i pensionuar francez, ndryshe Big Bossi i EULEX-it (mision për dh(s)un(d)im të ligjit në Kosovë), Ives de Kermabon ka paralajmëruar largimin nga Kosova ku ishte për pushime dyvjeçare.


Nëse ky paralajmërim realizohet atëherë, brenda këtij viti do të largohen dy persona shumë të rëndësishëm nga Kosova. Ditë më parë u largua peshkopi Artemije për të cilin, të jem i sinqertë aspak nuk u pikëllova që u largua dhe, i cili deklaroi se më me dëshirë do të pranonte të varroset në varret e Graçanicës se të shkojë për Serbi, përkatësisht që vitet e mbetura të jetës së tij t’i kalojë duke mrizuar në një manastir në Frushka Gorë të Vojvodinës duke i lutur Zotit që Vojvodina të mos bëhet Kosovë!

Kjo është dëshmia më bindëse se Kosovës po ia dinë vlerën vetëm pasi po largohen, pasi po e humbin atë dhe pasi po i humbin privilegjet përrallore që i kanë gëzuar këtu! Kështu kanë vepruar edhe të gjithë administratorët (sundimtarët) e vërtetë të Kosovës, vetëm pasi janë larguar nga Kosova. Kështu po veprojnë edhe nostalgjikët për shokun Tito dhe xhaxhin Enver! Kështu ka vepruar edhe peshkopi Artemije pasi Sinodi i kishës ortodokse serbe e hoqi nga froni! Jo për shkak të ekstremizmit të tij, qëndrimit antishqiptar, antinjerëzor, kundër demokracisë dhe Kosovës por për shkak se vartësitë e tij ishin implikuar në afera korruptive duke keqpërdorur mjete të konsiderueshme materiale.

Lirisht mund të them se qëndrimi radikal i vetëm një njeriu, në rastin konkret të peshkopit Artemije i ka shkaktuar më shumë dëme serbëve të Kosovës se të gjithë ekstremistët shqiptarë! Gjithashtu, lirisht mund të them se luftën kundër korrupsionit më shumë e ka dëmtuar oportunizmi i Kermabonit, kalkulimi i tij për të fituar edhe një mandat, nënshtrimit ndaj diktateve politike dhe për të mbajtur raporte të mira me të gjithë se të gjithë ata që janë korruptuar! Ata që janë korruptuar e kanë bërë këtë me vetëdije të plotë, apo, më mirë të them, në kuadër të mandatit që ia kanë caktuar vetes për të vjedhur sa më shumë!

Po a ka vepruar gjenerali Kermabon në përputhje me mandatin që e ka pasur? Mendoj se jo dhe jam i sigurt se këtë mendim e ndani edhe ju, lexues të nderuar! Shumë ka premtuar por dështimi i tij ka qenë më i madh se premtimi! Ka folur për afate të caktuara të arrestimeve, për “peshq të mëdhenj”, për vendosmërinë e tij për ta përmbushur detyrimin ndaj misionit në krye të të cilit aktualisht qëndron dhe, dhashtë Zoti të largohet sa më parë!

Pastaj, me t’u ngritur temperaturat, përgjegjësinë për luftimin e korrupsionit e ka adresuar te institucionet e Kosovës duke deklaruar se ata (institucionet) e kanë timonin në duart e tyre duke mos e përmendur faktin se ndërkombëtarët janë përgjegjës për furnizimin me karburante! Makina pa karburante nuk ecën, pavarësisht kush e ka timonin në duar! Sikur që çdo rregull ka përjashtim, kjo vlen edhe për makinën! Me kusht që kjo të vendoset në tatpjetë ku mund të lëvizë pa karburante, deri sa ta thyejmë qafën! Duket se në atë pozitë aktualisht edhe jemi!

Në këtë rrafsh nuk dallojnë shumë peshkopi Artemije dhe gjenerali Kermabon! Peshkopin Artemije e përcollën me një muzikë autentike kishtare, me lot, vaje dhe këngë anëtarët e shpurës së tij ekstremiste, që kohë më parë, në Manastirin e Graçanicës organizuan në duel të kikboksit me pjesëtarët e krahut të moderuar të klerit ortodoks, në luftë për pushtet! Po si do të largohet gjenerali Kermabon nga Kosova që hyri në telashe me të gjithë; Fejtin, ambasadorin Dell, kryeministrin Thaçi, ministrat etj.? Vetëm peshkaqejt e korrupsionit nuk e kanë marrë seriozisht gjeneralin Kermabon dhe janë tallur me te! Po tallen edhe sot! Më shumë po djersitet vet Kermabon se ata që realisht do të duhej të djersiteshin!

Kermaboni po tallet kur po deklaron se do të fillojnë hetimet për krime edhe në Veriun e Kosovës! E sidomos për krime lufte! Do t’i besoja nëse llogarit në arrestimin e” kriminelëve” shqiptarë në Veriun e Kosovës, për krim të organizuar dhe korrupsion! Për krime lufte në Kosovë, burgosen vetëm “kriminelët” shqiptarë! Nuk është vështirë të gjinden, në Kosovë janë nja 2 milionë!

Janë dy mundësi si do të largohet gjenerali Kermabon. E para është se mund të shkojë në Francë dhe pastaj mos të kthehet më me arsyetim se nuk ka fluturime për Kosovë për shkak të “ hirit vullkanik të korrupsionit”! E dyta është që të organizojë një koktej rasti në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë ata që e shajnë duke e vlerësuar punën e tij si të shkëlqyer! Unë nuk e kundërshtoj as të parën e as të dytën!

Do të thoni se në vend të kalit, po i bie samarit dhe keni plotësisht të drejtë! Po shfryhem në Kermabon! Në fund të fundit nuk e di pse duhet të hidhërohem në peshkopin Artemije dhe gjeneralin Kermabon?! Ata vetëm e kanë bërë punën e tyre, peshkopi Artemije e ka zbatuar një agjendë shoviniste kundër Kosovës ndërsa gjenerali një agjendë politike për një Kosovë multietnike, multikulturore dhe multi kurrfare hiç!

Pse do të duhej që të tjerët ta bëjnë punën tonë ndërsa ne, për veten tonë e bëjmë punën e djallit! Pastaj i fajësojmë të tjerët! Nuk ka kuptim, aspak!

Brazili, Argjentina, Spanja , Italia dhe EULEX-i :

Ky titull nënkupton që të gjithë këta që u përmendën kanë për qëllim të bëhen kampionë. Të parët synojnë titullin e kampionit të botës në futboll i cili sot fillon në Afrikën e Jugut ndërsa edhe EULEX-i synon të bëhet kampion në Kosovë në luftë kundër korrupsionit! Duket se nuk do të ndodhë, as e para e as e dyta!

Jam fans i Italisë dhe gjasat që Italia të bëhet kampion i botës në futboll është i barabartë me gjasat që i ka EULEX-i ta çrrënjosë korrupsionin në Kosovë! Korrupsioni në Kosovë ka metastazuar (shpërndarë) në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe aktualisht është biznesi më i konsoliduar, më përfitues dhe më i parrezikshëm! Bastisjet e fundit që i bëri EULEX-i si dhe paraqitjet mediatike të zyrtarëve të këtij misioni dikush i quajti spektakël të panevojshëm apo performancë pornografike, joprofesionalizëm, linçim dhe çka jo tjetër!

Ka diçka të vërtetë në këto cilësime! EULEX-i ka përdorur metodat më triviale të luftës speciale (në këtë mes nuk është e nevojshme të përdoren metodat e sofistikuara) duke arritur qëllimin e plotë! Së pari ka rikthyer besimin e një pjese të qytetarëve të Kosovës që kanë qenë të luhatshëm më parë. Pastaj, po i kryen detyrat që i ka dhënë Brukseli që, përmes kërcënimit të politikanëve se do të arrestohen për korrupsion po e bënë disiplinimin e tyre duke i shndërruar në mjeshtër për shënimin e autogolave! Në këtë mënyrë po e mirëmbajnë situatën e sigurisë nën kontroll. Ky edhe ka qenë dhe mbetet qëllimi kryesor i EULEX-it.

Në anën tjetër ka shkaktuar një kaos por edhe diferencim në mjetet e informimit dhe të politikanëve. E sidomos te qytetarët (një pjesë) e Kosovës duke ua ringjallur ndjenjat sadomazohiste! Ata i shkaktojnë vetes dhimbje duke u kënaqur me shpresën se do të arrestohen peshkaqejt e korrupsionit! Dhe kjo pritje është shndërruar në mënyrë të jetesës, prioritet mbi prioritetet! Në vend të mirëseardhjes, kur shkoni mysafirë të pyesin se kush nga top politikanët do të arrestohet, datën dhe kohën e arrestimit! Ashtu edhe në të pame, në taxi, në berberhane, në dhomën e gjumit duke lexuar gazeta apo duke shikuar televizionin, të cilat, gjithashtu këtë temë e kanë ekskluzivitet!

Që mozaiku i mashtrimit optik të kompletohet i kemi edhe deklaratat e Brukselit se kusht për integrim në BE dhe liberalizimin e vizave është lufta kundër korrupsionit. Mashtrim ordiner, pa dyshim! Mos Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja janë liruar nga politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar që përfituan në procesin e liberalizimit të vizave?! Hiç, madje ka më shumë korrupsion dhe krim të organizuar se në Kosovë!

Politikanët e Kosovës, që nga viti 1999 e kanë zbatuar taktikën e karkalecave për të vjedhur! Ta lënë shkretëtirë pas mandatit të tyre! Ta shndërrojnë në shkretihane ardhmërinë e shtetit të tyre! Jo që nuk ka vullnet politik ndërkombëtar për ta luftuar korrupsionin në Kosovë që nga viti 1999 deri më sot por duket se ka Marrëveshje politike që ky fenomen të mos luftohet! Apo, edhe nëse krijohet përshtypje se po luftohet, në rastin më të mirë përfundon në një gërvishtje të lëkurës apo konservim deri në ditët kur duhet të përdoret në përmasa më të mëdha!

Tash jemi në një situatë më të mirë sepse këtë temë bezditëse do ta ndajmë për një muaj me kampionatin botëror të futbollit. Pastaj vjen koha e pushimeve verore ku shumica e qytetarëve të Kosovës shkojnë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Edhe korrupsioni shkon në pushime verore në Kremlin Palace, Dubai, Rodos, Dubrovnik, Ishujt Maldive, Kapri, Monako, Floridë dhe vendet tjera ekzotike! Pas pushimeve verore vjen muaji i shenjtë i Ramazanit dhe gjatë këtij muaji duhet të mbretërojë paqja e që nënkupton se nuk ka arrestime apo shqetësime të tipit skandaloz! Në këtë drejtim nuk jam shumë optimist se do të ketë arrestime të peshkaqejve të korrupsionit por do të arrestohen do peshkalucë të korrupsionit siç po ndodhë këto ditë!

Të “mëdhenjtë”, edhe nëse arrestohen do të mbahen në Qendrën e Ndalimit për 48 orë e pastaj do t’u caktohet arresti shtëpiak ose nuk do të arrestohen fare edhe në rastin se ndaj tyre ngrihet aktakuza! Ndërkombëtarët po e preferojnë luftimin e korrupsionit sipas parimit të pluralizmit politik në mënyrë që të mos e destabilizojnë situatën dhe të mos e lënë vendin pa pozitë dhe opozitë! Nëse veprohet kështu, e kështu do të veprohet atëherë lirisht mund të themi se luftimi i korrupsionit nuk do të bëhet për ta luftuar korrupsionin por për ta ekuilibruar atë! Ashtu ka vepruar edhe Tribunali i Hagës me gjykime për krime lufte!

Onazisët, rokfellerët dhe këshilltarët:

Aristotel Onazisi, miliarderi i ndjerë grek pasurinë e tij e ka fituar me djersë duke punuar shumë vite punët më të rënda. Edhe rokfellerët pasurinë e tyre e kanë fituar duke punuar dhjetëra vite. Disa këshilltarë të institucioneve e kanë kaluar një rrugë shumë të shkurtër për t’u bërë milionerë. Kanë qenë skajshmërisht të varfër dhe janë bërë skajshmërisht të pasur, jo vetëm për rrethana të Kosovës. Madje, ata nuk i kanë paraqitur as 20% e pasurisë së vërtetë!

Disa politikanë të shteteve të ndryshme të botës fitojnë miliona duke kontrabanduar diamantë të përgjakur, karburante dhe narkotikë e disa politikanë dhe këshilltarë kosovarë fitojnë miliona të përgjakur duke kontrabanduar patriotizëm!

Davidi dhe Goliati, Jakupi dhe Adriatiku:

Në një emision të KTV-së përkatësisht në “Rubikon”, mysafir i Adriatik Kelmendit ishte Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Jam i sigurt se ka shkuar si Goliat me qëllim të ndahet si Davidi por pas emisionit nuk mbeti as Jakup!

Fuad Ramiqi dhe Benjamin Natanjahu:

E thirra mikun tim Fuad Ramiqin në telefonin e tij mirëpo në vend të tij u lajmërua Benjamin Natanjahu! Më vonë kuptova pse, pas intervenimit të komandove izraelite në anijet që bartnin ndihma për palestinezët.

Boris Tadiqi dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës:

Boris Tadiqi duket fukara krahasuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Me një pagë 1300 euro a mund të krahasohet me cilindo deputet që ndoshta për 4 vite të mandatit të tij nuk e hapin gojën asnjëherë.

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet janë personale)

Në trend

Më shumë
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Fun
Kalo në kategori