Ditë më parë një 44-vjeçar italian, i identifikuar si E. Sarchi, është gjetur i vrarë me armë zjarri në fshatin Salari të Tepelenës.

A2 CNN ka siguruar dëshminë e autorit të vrasjes së biznesmenit italian.


48-vjeçari Kamber Sulçe ka deklaruar se ka qenë i vetëm duke lëvizur me automjet dhe është konfliktuar për dritat e gjata të makinës me Gazment Braçin dhe personat e tjerë që ishin me të.

Sulçe pretendon se e kanë dhunuar dhe se e kanë qëlluar ata të parët dhe më pas është larguar me makinë ku ka marrë armën dhe ka nisur t'i qëllojë.

Ai tutje ka deklaruar se ka qenë i dehur kur ka ndodhur ngjarja.

Madje ka dhënë dëshmi në polici edhe një dëshmitar, i cili atë natë ka konsumuar alkool me Sulçen dhe se ky i fundit kur ishte i dehur humbiste kontrollin, shkruan A2 CNN.

Sipas policisë, ai njihet si një person problematik në zonë kur konsumonte alkool.

Policia e ka marrë me rezerva dëshminë e tij pasi nuk është provuar që pala tjetër e ka dhunuar dhe të ketë qëlluar me armë.

Gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim 48-vjeçari ka qëndruar i fshehur në stane në male.