LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës blen vetura të reja dhe i nxjerr në shitje 250 të vjetra

Komuna e Prishtinës blen vetura të reja dhe i nxjerr në shitje 250 të vjetra

Vetura “Audi Q7”, e cila shfrytëzohej nga ish-kryetari Isa Mustafa, këto ditë pritet të dalë për herë të tretë në ankand publik, shkruan sot Koha Ditore.

Ahmeti ka marrë vendim që gjatë muajit prill të shpallë një ankand publik për shitjen e rreth 250 veturave, të cilat nuk janë në përdorim, në mesin e të cilave do të jetë edhe vetura “Audi Q7”. Por krahas kësaj, kryetari Ahmeti më 15 prill ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “Auto Mita” në vlerë prej 137,376 eurosh dhe do të paguajë nga 424 euro në muaj për një automjet.


Sipas njoftimit të dhënies së kontratës, kjo kontratë është nënshkruar më 14 prill.
Komuna e Prishtinës në buxhetin e vitit 2016 ka ndarë 60 mijë euro për qira të veturave.

Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës e shohin si shumë kundërthënës veprimin e kryetarit Ahmeti, pasi, sipas tyre, ai kishte premtuar se do të ndalte luksin dhe po vazhdon të blejë vetura.

Flamur Shala, këshilltar i LDK-së në KK të Prishtinës, ka thënë se vendimi për shitjen e xhipit të Isa Mustafës ka qenë i pari që e ka marrë, por që ende nuk e ka përmbushur. Ky vendim, sipas tij, ishte populist.

Edhe Lirak Çelaj, këshilltar i PDK-së, ka thënë se Ahmeti po bën veprime kundërthënëse nga ajo që ka premtuar vazhdimisht.
“E kemi rastin e veturës së Isa Mustafës, ajo po kalbet, po prishet, pasi nuk ka qenë në gjendje me e shit dhe tash me hi me ble vetura të tjera, tregon që ata nuk po iu përmbahen premtimeve të tyre përkundër asaj që kanë thënë se janë kundër luksit”, ka thënë Çelaj.

Sipas tij, të njëjtën e dëshmojnë edhe shpenzimet që i kanë në reprezentacion, që i kanë kaluar mbi 170 % prej asaj që e kanë planifikuar si buxhet. /Telegrafi/