LAJMI I FUNDIT:

Kompetentët qetësojnë: Denari është i qëndrueshëm, bankat të sigurta

Kompetentët qetësojnë: Denari është i qëndrueshëm, bankat të sigurta

Pikërisht në 24 vjetorin e vënies së denarit në përdorim, janë gjithnjë e më të zëshme spekulimet e ekspertëve të caktuar  të cilët krijojnë frikë në mesin e popullatës për devalvimin e valutës për shkak të krizës politike. Si reagim ndaj këtyre spekulimeve, një pjesë e qytetarëve janë në mëdyshje nëse duhet ti tërheqin paratë nga bankat ose ti këmbejnë denarët me euro ose ndonjë valutë tjetër. Si arsye për këto mëdyshje kryesisht i referohen krizës politike, bën të ditur Telegrafi Maqdoni.

Sidoqoftë, ekspertët qetësojnë duke thënë se spekulimet e këtilla nuk janë serioze. Ish guvernatori i Bankës popullore të Maqedonisë, Ljube Trpeski thotë që besueshmëria ndaj denarit duhet të vazhdojë, meqë BPM e ka ruajtur të qëndrueshme valutën edhe në vitin 1999 dhe në vitin 2001 kur ka pasur veprime luftarake.


Edhe bankat pohojnë se nuk ka arsye për shqetësim.

„Antoni Argir, njeriu i parë i NLB Tutunska Banka thotë se reagimi i tillë i qytetarëve është i pritur sepse lajmet e tilla përhapen shpejtë përmes rrjeteve sociale dhe mediave. “Ka klientë që vijnë të këmbejnë denarë për euro, ka të tillë që deponojnë euro dhe denarë, ka të tillë që vijnë vetëm për tu informuar”, ka deklaruar ai.

Para do kohësh edhe guvernatori i BPM vërtetoi se nuk bëhet fjalë për devalvim të denarit. Ai pohoi se valuta është e qëndrueshme dhe se Banka popullore ka kapacitet ta ruajë stabilitetin e çmimeve, kursin e denarit dhe sistemin bankar.

Nga ana tjetër analistët, njëzëri pajtohen se zgjatja e krizës politike mund të pasqyrohet negativisht ndaj kreditimit nga jashtë.

Tani për tani situata është e qëndrueshme, rezervat devizore janë në nivel prej 2.3 miliardë euro, bankat kanë likuiditet të lartë, qytetarët dhe firmat “ruajnë” rreth 5 miliardë euro, ndërsa popullata preferon të kursejë në denarë./Telegrafi/