Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes njëzëri ka votuar për dërgimin në Kuvend të vendimit të Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në misione paqeje, përfshirë edhe në Gaza, por edhe në çdo pjesë të botës ku është e nevojshme.


Ajo theksoi se institucionet e Kosovës janë të obliguara të sigurojnë kornizën ligjore dhe marrëveshjet ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e pjesëtarëve të FSK-së dhe ruajtjen e integritetit të tyre.

“Jemi përgjegjës që tashmë, edhe si Kuvend dhe si Qeveri, të sigurojmë mbështetje financiare, mjete dhe trajnime dinjitoze. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë në vazhdimësi. Dhe, edhe një herë, i mbështesim të gjithë ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jenë pjesë e misioneve të paqes”, theksoi Selimi.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se ky vendim dëshmon pjekurinë e shtetit dhe kapacitetin e FSK-së për të marrë përgjegjësi ndërkombëtare.

Ajo theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është një strukturë serioze, profesionale dhe gjithnjë e më e gatshme për të marrë përgjegjësi përtej kufijve të vendit.

usliu shtoi se kërkesa për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit, e miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe në proces shqyrtimi në Kuvend, është një hap i rëndësishëm që dëshmon besimin në kapacitetet mbrojtëse të vendit.

“Mbështetja e FSK-së në këtë rrugëtim duhet të jetë e plotë dhe pa dilema. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës ofrojmë mbështetje të plotë, duke besuar se aty ku është Forca e Sigurisë së Kosovës, është dinjiteti, profesionalizmi dhe disiplina”, tha ajo.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e vlerësoi si lajm të mirë pjesëmarrjen e FSK-së në misione paqeje.

Ai tha se kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në një mision të kësaj natyre, duke theksuar se pjesëtarët e FSK-së kanë dëshmuar profesionalizëm në stërvitje dhe angazhime të ndryshme.

Hadergjonaj kërkoi mbështetje të plotë institucionale për pjesëtarët e FSK-së, si në aspektin logjistik ashtu edhe në pajisje, gjatë angazhimit të tyre në misione ndërkombëtare.

“Ne si Lidhje Demokratike të Kosovës e mbështesim këtë mision dhe e mbështesim FSK-në, duke kërkuar që pjesëtarët që do të angazhohen në këtë forcë, në kuadër të stabilitetit në Gaza, të kenë mbështetje të plotë, si në aspektin logjistik ashtu edhe në atë të pajisjeve”, pohoi ai. /Telegrafi/