LAJMI I FUNDIT:

Komisioni për Buxhet sërish pa vendimmarrje për shkarkimin e anëtares së Bordit në OSHP-së

Komisioni për Buxhet sërish pa vendimmarrje për shkarkimin e anëtares së Bordit në OSHP-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere edhe në mbledhjen e sotme vazhdoi diskutimin për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Kimete Gashi, në lidhje me tenderin për insulina, mirëpo sërish këtë vendim nuk ia procedoi seancës së Kuvendit për vendimmarrje.

Deputetët e mazhorancës kritikuan OSHP-në për tenderin që të sigurohen insulinat pa garanci të cilësisë, madje e quajtën edhe si tentim për legalizim të kontrabandës së barnave në Kosovë. Por nga OShP-ja e mbrojtën vendimmarrjen e tyre që dosja e tenderit për insulinat të kthehet në rivlerësim, duke përmendur edhe mbështetjen që i kanë dhënë instancat gjyqësore.


Ndërkaq, deputetët opozitarë konsideruan se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashit nga bordi i OSHP-së është i kundërligjshëm.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se ka shumë konfuzion nga OSHP-ja për tenderin për insulina, teksa paraqiti dy vendime të këtij institucioni, njërin në vitin 2019 dhe tjetrin në vitin 2021 që sipas tij dëshmojnë kontradiktën e tyre.

“I njëjti Panel shqyrtues ka marrë dy vendime të ndryshme në lidhje me tenderin e njëjtë, furnizimin me insulinat në vitin 2019 dhe në vitin (2021). Eksperti këtu thotë se ekziston ligji për pajisje medicinale që e ndalon po ashtu edhe Udhëzimi administrativ për autorizim marketing, kurse këtu thotë se e lejon. Ju keni tentuar me legalizuar kontrabandë të barnave në Kosovë, pa pas profile të qarta”, tha Muja.

Megjithatë, anëtarja e bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, insistoi në ligjshmërinë e vendimit për tenderin për insulina, ku tha se i njëjti është vërtetuar edhe nga gjykatat e rregullta.

Ajo tha se OSHP-ja asnjëherë nuk ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë t’ia jep tenderin ndonjë kompanie që ka apo jo autorizim marketingun, por vetëm ka sugjeruar respektimin e procedurës. Ajo shtoi se tani aktiviteti për dosjen e tenderit për insulina është kthyer në rivlerësim dhe MSH-ja është ajo që ka autorizimin që e vlerëson se cila kompani ka autorizim, cilësi apo garanci.

“Bordi i mëparshëm për këtë aktivitet, këto insulina ka thënë se kjo dosje duhet të kthehet në rivlerësim. Ne sipas shkeljeve që janë bërë në autoritet apo gjitha pretendimeve që i kanë paraqitur operatorët ekonomik, asgjë më shumë nuk kemi thënë veç të kthehet në rivlerësim. Përmirëso procedurën tënde dhe shpalle atë që ti mendon që i plotëson gjitha kriteret që i ke parapa në start. Nuk kemi bërë asgjë tjetër përveç rivlerësimit dhe një vendimi të njëjtë që është i bordit të kaluar. Këto pretendime, thënie tona janë vërtetuar edhe në gjykatë. Ju kam prezantuar gjashtë vendime, asgjë më shumë edhe atje përveç që thotë se mbështetet vendimi i OShP-së të kthehet lënda në rivlerësim. Ne e kemi kthyer dosjen në rivlerësim, ne nuk po i themi atij jepja këtij që se ka udhëzimin apo atij që se ka autorizimin. Ministria e Shëndetësisë është ajo që e sheh a ka autorizim, cilësi apo garanci. Ne bëjmë procedurë, kthe në rivlerësim dhe rregulloje”, theksoi ajo.

Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OSHP
Lexo po ashtu Opozita e quan të jashtëligjshëm shkarkimin e anëtares së Bordit në OSHP

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se vendimi i Qeverisë për shkarkim të një anëtare të Bordit të OSHP-së është i jashtëligjshëm. Ai tha se ky vendim bie ndesh mbi vendimet e gjyqësorit për këtë rast.

“Pse janë nxjerr konstatime të cilat bien ndesh mbi vendimet e gjyqësorit. I kemi tri vendime të gjykatave të niveleve të ndryshme dhe tash qeveria praktikisht nuk i njeh vendimet e gjykatave. Ai ka marrë qeveria parasysh dhe ai njeh këto vendime të gjykatave kur e ka nxjerr vendimin e vet, kur në bazë të vendimeve të gjykatave e kemi të qartë këtu. Ndërsa, ne bëjmë një debat këtu pa asnjë bazë, pasi po e atakojmë një individ, i cili mirë apo keq është i mbuluar me tri vendime të gjykatave. Sot propozoj me ardhur ministri i Shëndetësisë me arsyetuar këtë vendim të paligjshëm, ne nuk mund të debatojmë këtë punë dhe ta hedhim në votim”, deklaroi ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të nxjerr vendime për ligjshmëri ose jo të një organi të pavarur institucional, pasi ajo i takon vetëm gjykatave.

“Ky diskutim që po bëhet këtu nuk besoj se e ka vendin, pavarësisht se kush ka të drejtë. Ne nuk mundemi me i marrë njerëzit në pyetje pse kanë vendosur ose qysh kanë vendosur. Këta duhet me zbatuar ligjin, ne nuk mundemi me konstatuar se këta e kanë shkel ligjin, pasi është vetëm një organ që konstaton se është shkelur ligji, ajo është gjykata. Këto akuza që po i bëni nuk duhet me i thënë në këtë mbledhje, por aty ku është vendi dhe me u përballë”, tha ai.

Në replikë e sipër me deputetët opozitarë, deputeti Muja, ngriti dyshime për ndërhyrje politike në vendimmarrjen e OSHP-së për tenderin për insulinat.

Ai derisa përmendi emrat e aksionarëve të kompanisë “Pharma Leader” që është e lidhur me këtë rast, tha se njëri prej tyre është ortak me Ermal Shalën, djalin e deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

“Aksionarët kryesor të kësaj kompanie në bazë të ARBK-së janë Sebaudin Baftiaruviq, Gëzim Kalaveshi, Lekë Pula, Visar Qazimi dhe Arton Sadiku. Tash Sebaudin Baftiaruviq është po ashtu ortak i Ermal Shala, i cili është djali i deputetit Ferat Shala. A ka ndërhyrë deputeti Ferat Shala në këtë vendimmarrje”, tha ai.

Mirëpo, kryesuesja e bordit të OSHP-së, Vjosa Gradinaj – Mexhuani, tha se s’ka pasur asnjë ndikim politik për këtë rast.

“I nderuar kryetar ne vendimmarrjen e bazojmë veç në prova dhe argumente. Asnjëherë dhe në asnjë moment as pozita dhe as opozita nuk kanë tentuar dhe nuk i lejojmë të ndikojnë në vendimmarrje. Atë minutë që me cenohet pavarësia në vendimmarrje unë atë minutë jepi dorëheqje dhe tregoj prej kujt po më cenohet”, theksoi ajo.

Në debat u përfshi edhe deputeti Ferat Shala, i cili akuzoi Mujën se qëllimisht po merret me familjarë të tij, derisa tha se s’ka asgjë të vërtet në pretendimet e tij.

“Tu ka bërë shprehi dhe sëmundje e keqe me u marrë me familjarë të m’i. Merru po kot e ki pasi nuk ka gjëra dhe je duke humbur kohë. Më vjen keq po i maltreton (keqtrajton) kolegët, pasi u dashur të tregosh në fillim se po të intereson pozicioni i djalit tim, por nuk është etike dhe njerëzore me i maltretuar njerëzit dhe në fund me dalë me një pyetje të tillë që s’ka të bëjë me temën. Mos e lësho vetën kaq ulët dhe mos më detyro mua me lëshua nivelin pasi ti e din se si mundem me t’u përgjigj”, tha ai.

Pavarësisht debatit mbi dy orë për këtë çështje, komisioni u pajtua që sërish të vazhdohen diskutimet për vendim e Qeverisë, tani duke kërkuar edhe nga ministri Vitia që të raportojë para komisionit. Ndërkohë, komisioni vendosi që të premten të diskutojë për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për pagën minimale, i cili mbi 1 vit është në shqyrtim në Kuvend. /KP/