LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Evropian do të shpëtojë pushimet e verës

Komisioni Evropian do të shpëtojë pushimet e verës

Komisioni Evropian kërkon të mundësojë turizmin të paktën pjesërisht këtë verë. Ai jep rekomandime për shëndetin, hapjen e kufijve, transportin me shpresën, se shtetet anëtare do t’i respektojnë ato.

“Pranvera ishte e vështirë, vera nuk duhet humbur”, thotë zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Margarete Vestager. Shumë qytetarë duan tani një lloj pushimi e shkëputjeje. Nga ana tjetër një e dhjeta e vëllimit ekonomik evropian me miliona vende pune varet nga turizmi, shpjegon ajo. Për këtë KE kërkon të zhvillojë rregulla për “rrugë të sigurtë kthimi të turizmit këtë verë”. Vërtet Spanja, Italia, Greqia ndodhen para një vale falimentimesh në sektorin turistik.

Kuponët

Një temë që është e rëndësishme për shumë qytetarë në Evropë janë kuponët që u dhanë nga shoqëritë e fluturimit dhe koncernet turistikë në javët e fundit për të mos i kthyer paratë për pushimet e dështuara apo fluturime që nuk u zhvilluan. Në Komisionin Evropian janë shtuar ankesat, sepse qytetarët e BE kanë të drejtë për kthimin e parave. E kjo do të mbetet kështu, thotë Vestager. Kush i kërkon mbrapsht paratë e paguara për pushimet duhet t’i marrë ato. KE u ka shkruar letra 12 vendeve evropiane për t’i kujtuar për këtë detyrim ligjor.

Nga ana tjetër ka propozime, se si të bëhen më atraktivë kuponët, me qëllim që qytetarët të mos i kërkojnë paratë e tyre. Pas kësaj qëndron industria, që ka probleme likuiditeti. Por vetëm pak më vonë eurokomisionerja e BE për transportin, Adina Valean e kundërshton këtë. Ka vetëm letra të përgjithshme, jo paralajmërime për shkelje të së drejtës së BE, thotë ajo. Ditët e ardhshme ndoshta do të sqarohet, se cila nga komisioneret e BE ka të drejtë. E qartë është, që rregulloret e BE e mbrojnë konsumatorin e ata duhet t’i marrin paratë, por nga ana tjetër kemi problemet ekonomike të turizmit. Por ky është vetëm një nga rregullat, që vështirë se do të zbatohen këto kohë.

Hapi i parë – hapja e kufijve

Hap pas hapi do mundësohet udhëtimi në Evropë e kjo fillon me hapjen e kufijve. “Ju nuk e dini, se ç’keni humbur vetëm kur ka ikur” citon komisionerja për çështjet e brendshme, Ylva Johansson një këngë popi. Përgjegjësia kryesore për kufijtë qëndron tek shtetet anëtare e ato këto kohë ndjekin secili rrugën e vet. Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer u shpreh, se dëshira është që nga mesi i qershorit të ketë liri të plotë lëvizjeje në Evropë. Brukseli e ka bërë të qartë, se ujditë bilaterale mes vendeve duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët që jetojnë aty. Nëse austriakët e gjermanët bien dakord të hapin kufijtë, kjo duhet të vlejë edhe për portugezët e italianët që jetojnë aty. “Nuk duhet të ketë diskrimimin”, thotë Johannson.

Bazë për hapjen e kufijve do të jetë një gjendje e përafërt e epidemisë në vendet përkatëse. Që do të thotë infeksionet janë nën kontroll, ka kapacitete të mjaftueshme mjekësore, e sidomos teste për të gjetur infeksionet e reja. Po ashtu rregullat e higjienës e mbajtja e maskave në ambiente publike duhet të respektohen. Megjithatë kthimi në një lëvizje normale të udhëtimit do të jetë shumë i vështirë. KE nuk mund t’ua ndalë vendeve anëtare të krijojnë zona të veta të sigurta me fqinjët e tyre, por në plan afatgjatë kufizimet duhet të hiqen.

Lloj i ri pushimesh

“Do të jetë një lloj tjetër pushimi”, thotë Margrethe Vestager. “Ne duhet të jetojmë këtë verë me virusin”. Udhëtarët e personeli në restorante e hotele duhet të ndjehen të sigurtë. Zonat turistike duhet të përpiqen që të shmangin grumbullimet masive të njerëzve. Muzetë duhet të shesin biletat online e me intervale që të mos krijohen grupime të mëdha. Ideja është të zbatohen protokolle në pikat e pushimeve turistike si për pastrimin e dhomave, distanca në restorant, në pishina, plazhe etj.

Komisioni Evropian me paketën e tij të masave për turizmin ofron vetëm një orientim. Për shëndetësinë, kufijtë, higjienën, rregullat e transportit janë përgjegjëse vetë vendet anëtare. Brukseli mund të ofrojë vetëm këshilla. Për shembull idenë e Greqisë për certifikata testimi të Coronës, Brukseli nuk e sheh si zgjidhje, sepse statusi i infeksionit mund të ndryshojë shumë shpejt. Edhe lehtësimi i masave kufizuese në BE është kaotik, e nuk ka një pamje të njësuar europiane në këtë drejtim. /DW/