Koha shtesë i jep tri pikë të arta Atletico Madridit ndaj Interit

Atletico Madrid ka marrë një fitore dramatike ndaj Interit me rezultat 2-1, në javën e pestë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, pas një ndeshjeje të fortë, të tensionuar dhe plot episode.
Inter e nisi më mirë ndeshjen, me Federico Dimarco që rrezikoi dy herë brenda tre minutave të para – fillimisht nga një goditje dënimi dhe më pas me një gjuajtje brenda zonës.
Megjithatë, Atletico goditi e para në minutën e 12-të, pasi goli i Julian Alvarez u verifikua gjatë një procedure të gjatë të VAR-it, para se gjyqtari Francois Letexier të konfirmonte se nuk kishte prekje me dorë.

Në minutën e 36-të, madrilenët kërkuan penallti pas një dueli të Giuliano Simeones, por gjyqtari nuk u bind.
Inter e nisi pjesën e dytë furishëm dhe barazoi në minutën e 54-t, kur Piotr Zielinski finalizoi një aksion të bukur pas asistimit nga Ange-Yoan Bonny për 1-1.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, Atletico gjeti golin e fitores në minutën e 90+3, me Jose Maria Gimenez, i cili kësaj radhe u tregua i saktë me kokë pas një harkimi nga këndi, duke e çuar topin në këndin e poshtëm të djathtë.
Kjo ishte humbja e parë e Interit në Ligën e Kampionëve, ndërsa mban vendin e katërtë. Atletico Madridi me këtë fitore ngjitet në pozitën e 12-të. /Telegrafi/

















































