LAJMI I FUNDIT:

KMDLNj: Spastroni listat e veteranëve

KMDLNj: Spastroni listat e veteranëve

Këshilli për Mbrojtjen  e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut vlerësoi se verifikimi i listave të veteranëve të luftës ishte një proces i stërzgjatur, i ngarkuar me parregullsi dhe për pasojë bëri që Kosova të radhitet si vendet ndër më të militarizuarat në vitet 1997 e deri te përfundimi i verifikimit të listave.

KMDLNJ thekson se afërsisht 47.000 veteranë me status të njohur dhe të tjerët që presin njohjen e këtij statusi e bënë që numri i veteranëve të luftës të kalojë shifrën 70.000 veteranë që më shumë është në fushën e fantastikës shkencore se realitetit.


“Veteranët e luftës që vërtetë ishin veteranë asnjëherë nuk dolën në radhët e para për statusin e tyre por mashtruesit e konvertuar, brenda ditës apo natës në veteranë ishin ata që i bënë listat nga të cilat turpërohet çdo ushtar i UÇK – së, përkrahës i tyre, mbështetës i luftës së UÇK – së apo edhe çdo qytetar që mendon me kokë të vetën dhe që ia donë të mirën këtij vendi. Kjo listë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe kjo listë është kërcënim për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo listë nuk është dashur të pranohet asnjëherë, përkundër shantazheve dhe kërcënimeve me protesta, që  në të shumtën e rasteve ishin të orkestruara nga persona të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm që kontribuuan në hartimin e këtyre listave”, thuhet në komunë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e përkrahë fuqishëm çdo nismë për rishikimin e këtyre listave që do ta bëjë Qeveria e Kosovës përmes një komisioni tjetër i cili do të bënte verifikimin e listave në mënyrë të paanshme, me profesionalizëm, të mbështetur në fakte pas së cilave do të kishim një listë e cila, vështirë se do ta kalonte numrin e 20.000 veteranëve.

“Po të mos ishin këto lista manipulative dhe korruptive, do të krijoheshin mundësitë që veteranët e dëshmuar duke e fituar statusin e merituar të trajtohen në mënyrë shumë dinjitoze e jo të trajtohen si kategori sociale. Për t’u sqaruar gjërat KMDLNj propozon të merren parasysh praktikat e mira si ato të Kroacisë, ku veteranët trajtohen si vlerë kombëtare, morale dhe shtetërore e jo si kategori sociale”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj-së, mënyra më e mirë e dhënies së kontributit për caktimin e listave objektive të veteranëve të luftës është bërja e tyre publike në bazë të komunave pas së cilave lehtësisht do të identifikohen përfituesit mashtrues të statusit të veteranit sikur edhe i atyre që ua mundësuan këtë status.

“Lehtësisht është e identifikueshme nënshkrimi i atij që e rekomandoi dikë për këtë status të pamerituar dhe kjo nënkupton edhe përgjegjësi konkrete. Nga statusi i veteranit të luftës duhet të përjashtohen ata që dezertuan, ata që nuk morën pjesë aktive (me armë) në luftë dhe ata që e ndihmuan luftën me mjete materiale, apo që e fituan statusin e veteranit të luftës duke kënduar.

“ Atyre që kontribuuan pa qenë pjesë e strukturave të armatosura, shteti duhet t’u ndajë mirënjohje apo falënderime dhe kurrsesi t’ua njoh statusin e veteranit të luftës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/