LAJMI I FUNDIT:

KMDLNJ: Liria e Lëvizjes së Kosovës nën urdhër të “gospodin” Lajçak-ut

KMDLNJ: Liria e Lëvizjes së Kosovës nën urdhër të “gospodin” Lajçak-ut

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thonë që emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po e përdor këtë proces për ta pasuruar CV-në dhe ngritjen e tij në karrierë.

Sipas një njoftimit për media KMDLNJ thonë se në procesin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si lehtësues janë dy mohues të pavarësisë së Kosovës, Josep Borrell nga Katalonja e Spanjës dhe Mirosllav Lajçak nga Sllovakia.


Tutje thuhet se në të njëjtën kohë këta dy janë rëndues në këtë proces për Kosovën duke u deklaruar anshëm për Serbinë.

“Sidomos është i shquar Mirosllav Lajçak që Kosovën po e keqpërdorë për pasurim të CV–së personale dhe ngritje në karrierë. Shumë herë në deklarata publike ka demonstruar paternalizëm të skajshëm për Serbinë duke bërë presion, edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE-së Kosovës dhe politikanëve që janë të përfshirë në këtë proces. Josep Borrell, në jo pak raste ishte treguar arrogant dhe kërcënues ndaj politikanëve kosovarë me shantazhin se; ‘ai (dhe Lajçaku) nuk janë thjeshtë lehtësues por përcaktues edhe për vendimet që duhet t’i marrin politikanët kosovarë..’ “.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë të KMDLNJ-së: 

Në procesin e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si lehtësues janë dy mohues të pavarësisë së Kosovës, Josep Borrell nga Katalonja e Spanjës dhe Mirosllav Lajçak nga Sllovakia të cilët, në të njëjtën kohë janë rëndues në këtë proces për Kosovën duke u deklaruar anshëm për Serbinë.  Sidomos është i shquar Mirosllav Lajçak që Kosovën po e keqpërdorë për pasurim të CV–së personale dhe ngritje në karrierë. Shumë herë në deklarata publike ka demonstruar paternalizëm të skajshëm për Serbinë duke bërë presion, edhe jashtë mandatit të përcaktuar nga BE–ë Kosovës dhe politikanëve që janë të përfshirë në këtë proces. Josep Borrell, në jo pak raste ishte treguar arrogant dhe kërcënues ndaj politikanëve kosovarë me shantazhin se; “ai (dhe Lajçaku) nuk janë thjeshtë lehtësues por përcaktues edhe për vendimet që duhet t’i marrin politikanët kosovarë..”. Gjatë vizitës së fundit Lajçak kërcënoi haptas në mënyrën më të pamoralshme të mundur se Kosova duhet të përcaktohet midis përshkallëzimit dhe normalizimit me paralajmërimin se do të hapet ura mbi lumin Ibër që do të mundësonte lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe jo vetëm të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës, gjinisë apo bindjeve politike. Po në vendin ku Lajçak merr rrogë maramendëse për rolin që po e luan në Kosovë, liria e lëvizjes konsiderohet dhe trajtohet si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut. Deri më tani qytetarët e Kosovës kanë qenë të izoluar sa i përket lëvizjes së lirë në Evropë e tani, Mirosllav Lajçak me ndërhyrjet arbitrare në punë të brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran, duke kërkuar që ura mbi lumin Ibër të mos hapet për qytetarë në mënyrë të lakuriquar  po del kundër kësaj vlere dhe të drejte të njeriut siç është liria e lëvizjes. Pra, Burgun e Madh për Kosovën e që është mohimi i lirisë së lëvizjes në Europë po e përkthen në një Burg të Vogël apo mohimi i lirisë së lëvizjes brenda Kosovës. Pse do të duhej t’i pengonte Lajçakut dhe të tjerëve liria e lëvizjes në atë pjesë të Kosovës nëse është, dhe pa asnjë dyshim edhe është interes i të gjithë qytetarëve. Serbia, përmes Listës Serbe dhe krimit të organizuar, të përkrahur nga Lajçak, Borrell dhe burokratët e BE –së, lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e lirë mbi lumin ibër po e përdorin si shantazh për përfitime politike duke kushtëzuar politikanët kosovarë që të bëjnë lëshime politike, si kusht për hapje të urës së Ibrit. Politikanët kosovarë po kushtëzohen se kthimi i serbëve që i lanë postet e tyre duke shantazhuar politikisht , me urdhëra të Vuçiqit dhe LS-së, se me urgjencë duhet të formohet Asociacioni – Zajednica, sipas kushteve të Serbisë dhe të tërhiqet njësia Speciale e Policisë së Kosovës e që pastaj të bisedohet për kthim të situatës në pikën zero siç ishte para dorëheqjes sabotuese të politikanëve serbë në veri të Kosovës. Cili shtet normal do t’i pranonte këto kushte të imponuara nga një shtet armiqësor ndaj Kosovës siç është Serbia dhe kukullave politike të saj siç është Lista Serbe?! Mirosllav Lajçak, si dhunues i lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës është insistues i këtyre dy kërkesava sikur që, pa asnjë të drejtë dha pa asnjë mandat del kundër hapjes së urës mbi lumin ibër që është vendosur si digë bllokuese nga KFOR-i francez që nga përfundimi i luftës e deri më sot.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëron ditë të vështira për atë pjesë të Kosovës në fund të muajit maj e që qartazi po përputhet me deklaratën e Mirosllav Lajçak se situata në veri mund të përshkallëzojë nëse pala kosovare vazhdon përpjekjet për mbrojtje të integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë të Kosovës. Mirosllav Lajçak është hipokrit, është i dëmshëm dhe vetëm sa e pengon procesin e normalizimit të marrëdhënieve sepse e ka humbur besueshmërinë si ndërmjetësues i paanshëm dhe i pandikuar politikisht.

Institucionet e Kosovës ndodhen para një sfide sepse janë vendosur në gërshërë; ose duhet të vazhdojnë të bëjnë lëshime, ose do të fajësohen për dështim të procesit të bisedimeve përmes tensionimit të situatës në veri duke ua përmendur zgjedhjet lokale që nuk prodhuan dhe nuk do të prodhojnë asnjë efekt juridik e deri te inaugurimi i kryetarëve të zgjedhur nga një pakicë absolute dhe e parëndësishme në këtë pjesë të Kosovës. Me këto zgjedhje dhe përpjekje për inaugurim të kryetarëve që janë zgjedhur në një proces hara – kiri zgjedhor, Kosova do të akuzohet se po dhunohet vullneti i përfaqësimit politik të shumicës (serbe) nga një pakicë absolute (shqiptare dhe joserbe). Rreth dhe për Kosovën po luhen lojëra të ndyra dhe të rrezikeshme që për qëllim kanë fillimisht federalizimin politikë pastaj edhe atë territorial! /Telegrafi/