Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka anuluar tri konkurse të hapura më herët.

Kështu është bërë e ditur në faqen e KGJK-së, ku janë publikuar edhe vendimet për anulim.

Njëri konkurs i cili është anuluar më datë 16 korrik, ishte për bashkëpunëtor profesional, i cili nuk ka arsyetim për anulim, ndërkaq dy konkurset e tjera kanë edhe arsyetime.

Përveç anulimit të konkursit për bashkëpunëtor profesional, në vendim thuhet se “Obligohet Departamenti i Administratës së Përgjithshme në SKGJK që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ri-shpalljen e konkursit për pozitat “bashkëpunëtor profesional” ne përputhje me autorizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Vendimi KGJK. Nr. 67/2021, te datës 24 Mars 2021 dhe planin e personelit për Vitin 2021, ne afat jo me vone se 10 dite nga data e nënshkrimit të këtij Vendimi”.

Po ashtu, më datë 8 korrik është bërë edhe anulimi i konkursit për dy administrator, për Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe atë në Prizren, i cili sipas vendimit është bërë për shkak se nevojitet miratimi i një rregulloreje.

Ndërkaq, anulimi i konkursit për dy zyrtar të teknologjisë Informative, njëri në Graçanicë dhe tjetri në Shtërpcë, është bërë shkak se nuk janë identifikuar tre kandidatë siç kërkohet për konkurs. /Telegrafi/