LAJMI I FUNDIT:

Këshilli Evropian i Investitorëve: Qeveria nuk e ka në fokus luftimin e ekonomisë joformale

Këshilli Evropian i Investitorëve: Qeveria nuk e ka në fokus luftimin e ekonomisë joformale

Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e fokusuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe të bazohet në legjislacionin në fuqi për zhvillimin e Kosovës në qeverisjen ekonomike drejt procesit të saj të zgjerimit në BE, ndërkohë që në vendin tonë infomaliteti llogaritet të jetë mbi 30 për qind.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Këshilli Evropian i Investitorëve sot me temë “Si po e zhvillon Kosova Qeverisjen Ekonomike drejt procesit të saj të zgjerimit në BE?”


Drejtori ekzekutiv i Këshillit Evropian të Investitorëve, Emrush Ujkani tha se qëllimi i këtij diskutimi me ekspertë të ndryshëm të fushës së ekonomisë, është për t’i adresuar dhe identifikuar çështjet për identifikimin e disa raporteve siç janë për zhvillimin ekonomik, konkurrencën dhe ekonominë informale.

Vedat Sagonjeva nga Zyra e Kryeministrit, tha se qeverisja ekonomike për shtetet e Ballkanit Perëndimor zbatohet përmes një programi të reformës ekonomike.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka përgatitur këtë program, i cili dorëzohet në çdo muaj janar, që është një ushtrim për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi është të përsëritet procesi për anëtarët e mundshme në BE-së, si pjesë të komunikimit të vazhdueshëm që kanë.

“Si pjesë e programit të reformës ekonomike që u miratua javën e kaluar, sot do ta dorëzojmë te Komisioni Evropian, i cili vlerësohet nga Komisioni Evropian çdo vit, dhe përmes një ushtrimi të përbashkët, për shembull, menjëherë pasi që ta dorëzojmë këtë javë, sot, gjatë muajit shkurt ata do të kenë një mision që ta vlerësojnë dhe t’i identifikojnë se cilat janë politikat udhëzuese, cilat janë rekomandimet e politikave të cilat ne duhet t’i trajtojmë si vend në mënyrë që t’i shtyjmë përpara reformat përgjatë vitit”, tha Sagonjeva.

Afrore Rudi nga Deloitte Kosova, duke folur për tatimet dhe ekonominë jo formale tha se Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë në aspektet e përfshirjes së bizneseve joformale në sistem, sipas të cilës edhe shumë fusha të tjera nuk janë në fokus të qeverisë.

“Nga një këndvështrim praktik, objektivi i shtetit tonë duhet të bazohet shtrirjen e zbatimit të legjislacionit që e kemi në fuqi, është fakt që ne diskutuam për informalitetin, 30 për qind e ekonomisë është joformale, megjithatë, si një eksperte unë shohë që shumë fusha nuk janë në fokus të qeverisë sonë”, tha Rudi.

Robert Wright nga Raiffeisen Bank, ka folur për konkurrencën në ekonominë kosovare, si dhe për mundësitë dhe kërcënimet në sektorin bankar. /KP/Telegrafi/