LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet urgjencë e strategjisë së komunikimit për parandalimin e diabetit, të trajtohet njëlloj si sensibilizimi për kancerin

Kërkohet urgjencë e strategjisë së komunikimit për parandalimin e diabetit, të trajtohet njëlloj si sensibilizimi për kancerin

Spitali Regjional i Pejës ngelet model i komunikimit me qytetarët falë strategjisë së komunikimit që ka përpiluar që nga koha e virusit Covid-19 e që po vazhdon të praktikohet deri më tani. Mirëpo profesorët universitarë, personat e prekur nga diabeti si dhe familjarët të cilët humbën më të afërtit e tyre nga sëmundja e diabetit, kanë bërë thirrje të ketë më shumë fushata vetëdijesuese dhe sensibilizuese për parandalimin e kësaj sëmundje. Madje u është bërë thirrje medieve ta kenë në fokus sektorin e shëndetësisë, respektivisht komunikimin me qytetarët me anë të këshillave nga profesionistët e fushës

Ishte pandemia Covid-19 që aktivizoi shumë institucione shëndetësore në mbarë globin që të fillojnë ta shohin me urgjencë ndryshimin e komunikimit me popullatën, respektivisht praktikimin e strategjisë së komunikimit publik me qytetarët, e një gjë të tillë e bëri edhe Spitali i Pejës, për çka sot e asaj dite Spitali Regjional i Pejës llogaritet të jetë shembull i mirinformimit të qytetarëve për regjionin e Dukagjinit për shkak të dhënies së këshillave shëndetësore diabetike si dhe lidhjen e doktorëve me qytetarët me anë të medieve sociale.

Për zanafillën e krijimit të strategjisë së komunikimit dhe rëndësinë e komunikimit publik me qytetarët, ka folur zëdhënësi i Spitalit Regjional të Pejës, Naim Sahiti. Ai ka treguar edhe format e komunikimit me pacientët. “Këtë praktikë të komunikimit me publikun e kemi filluar në kohën e pandemisë. Kemi pasur një rekord të hatashëm të njerëzve që kanë qenë aktivë dhe që na kanë përcjellë, mirëpo këtë praktikë të mirë që e kemi bërë atëherë, e bëjmë edhe sot”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se i shfrytëzojnë tri forma të komunikimit me publikun: komunikimin përmes broshurave, postierëve dhe rrjeteve sociale. “Besoj jemi në nivelin e kënaqshëm në kuptimin e komunikimit me publikun. Ne bëjmë publikime ditore të raporteve të punës, i informojmë qytetarët për shërbimet, por sigurisht që bëjmë prezantimin edhe të mjekëve e kështu me radhë”, ka thënë Sahiti. Ai ka theksuar se me anë të informimit publik, bëjnë fushata vetëdijesuese për pacientët, duke dhënë kështu dhe mesazhet e duhura.


Ai shtoi se informimin publik e kanë obligim, ndaj është shprehur i kënaqur me feedbackun që marrin nga qytetarët e rrafshit të Dukagjinit. “Është e rëndësishme të bëjmë fushata sensibiluzese që përmes edukimit shëndetësor të bëjmë publikime të shumta, si lloj mesazhi që vlen për pacientët. E kemi parë që është nevojë dhe është detyra e jona komunikimi, sepse ndihmon në parandalimin e sëmundjeve. Transparencën e kemi edhe obligim ligjor. Sa i përket feedbackut, kemi matjen, qoftë përmes medieve sociale, emaileve dhe nga qytetarët”, ka deklaruar ai.

Sahiti ka thënë se vazhdimisht postojnë materiale shkencore të shkruara nga doktorët, qoftë për këshillim ndaj diabetikeve ashtu edhe për parandalimin e kësaj sëmundje. “Qytetarët zakonisht pyesin për shërbimet që mund t’i marrin në institucionin tonë. Sigurisht se fushatat vetëdijesuese që i kemi kanë të bëjnë me materialet e shkruara nga mjekët tanë që japin këshilla për pjesën e parandalimit dhe menaxhimit të diabetit”, u shpreh ai.
Formë tjetër të komunikimit me publikun, zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, ka përmendur edhe bisedat përmes rrjeteve sociale të doktorëve me qytetarët. “Për muajin nëntor për çdo vit organizojmë edhe biseda përmes rrjeteve sociale me pacientë. Ata kanë mundësi që direkt t’i bëjnë pyetjet për mjekët tanë për tema të ndryshme, por një ndër temat është edhe diabeti”, u shpreh ai.

Profesori Krasniqi thotë se duhet aktivizim më i madh i medieve dhe ekspertëve shëndetësorë për informimin e drejtë të sëmundjes së diabetit

Profesori universitar në Fakultetin e Filologjisë, Dega Gazetari, Milazim Krasniqi, ka folur për rolin dhe rëndësinë e medies në mirinformimin e publikut sa i përket diabetit. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se roli i gazetarisë është në informimin dhe edukimin e publikut. Të njëjtin rol, sipas tij, mediet duhet ta luajnë edhe për sëmundjen e diabetit. “Me definicion roli i gazetarisë është në informimin dhe arsimimin e publikut. Natyrisht arsimimi nënkupton edhe edukimin sa iu përket problemeve të çështjeve shëndetësore. Pra, mediet mund të luajnë rol të rëndësishëm, por çështja në këtë rast është se informimi në medie do të duhej të bëhej nga ekspertët e fushës respektive”, u shpreh ai.

Krasniqi ka thënë se përmbajtjet e informimit të publikut sa iu përket çështjeve shëndetësore, e në rastin konkret diabetit, do të duhej të botoheshin në mediet kredibile. “Nëse është fjala për diabetin duhet të jenë mjekë internistë, endokrinologë ose nga fushat e specializuara të kësaj problematike. Përmbajtjet e tilla do të duhej të botoheshin në medie kreibile përmes shumë intervistave dhe teksteve, por jo si komercializëm i përmbajtjeve që ndodh shumë”, u shpreh Krasniqi.
Ai ka deklaruar se edhe si pedagog i studimeve universitare në Degën e Gazetarisë, por edhe si lexues i rregullt i medieve, informimi i popullatës nga mediet sa i përket fushës së shëndetësisë lë për të dëshiruar. Ai përmendi vëzhgimin javor që ua bënë medieve së bashku me studentët e gazetarisë për lëndën “Redaktim në media” dhe theksoi se ngelet në nivel dëshire informimi i mirëfilltë sa iu përket problemeve shëndetësor te qytetarët. Gjithashtu, ai përmend disa programe mëngjesi në televizione, por thotë se në mediet elektronike një gjë e tillë ka mungesë të madhe.

Krasniqi ka potencuar rëndësinë e mirinformimit sa iu përket çështjeve shëndetësore dhe edukimin e publikut për të dalluar atë çfarë është përmbajtjesore nga mjekësia alternative apo përmbajtjet në formë të reklamës për produktet e caktuara për të cilat qytetarët mund të bien pre e tyre. “Këto produkte që prezantohen si forma të reklamës, përmbajtjeve të ndryshme ose ofertave të ndryshme, në të vërtetë mund të paraqesin edhe rrezik, sepse nëse përdoret pa mbikëqyrjen dhe rekomandimin e mjekut, ato mund të kenë efekte kontraproduktive në shëndetin e njerëzve. Pra, neve na duhet një edukim i përgjithshëm i popullsisë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thekson se duhet një aktivizim më i madh në mes të medieve dhe ekspertëve shëndetësorë për informimin e drejtë të popullatës rreth sëmundjes së diabetit.

Endokrinologia Teuta Mulla-Goga nga Spitali Regjional i Pejës ka thënë se komunikimi me pacientët e prekur nga diabeti ka qenë dhe do të ngelet në nivel në spitalin ku ajo punon. “Shërbimet në spitalin tonë janë në nivelin e duhur, sidomos në kohët e fundit që së bashku me infermierët kemi arritur ta ngrehim cilësinë dhe mënyrën e duhur të komunikimit pacient-mjek-infermier”, u shpreh ajo.

Mulla-Goga ka thënë se në momentin e parë të diagnostikimit pacientët ndihen të deprimuar dhe hezitojnë që të hyjnë në terapi, mirëpo duke komunikuar me ta dhe duke i mirinformuar një gjë e tillë pastaj është më e lehtë. Sipas saj, sensibilizimi i pacientëve është shumë i rëndësishëm për ta shmangur mjekësinë alternative apo popullore. “Ka raste kur pacientët e mendojnë mjekësinë alternative, mirëpo ne i këshillojmë që diabeti është sëmundje e cila përpos terapisë duhet edhe edukim për ushqimin dhe aktivitetin fizik. Do të thotë kur ua rekomandojmë pacientëve këto të dyja së bashku ndihen pak më të relaksuar”, ka pohuar Mulla-Goga.

Ajo ka thënë se pyetje për mundësinë e mjekësisë alternative sa i përket diabetit ka pasur dhe do të ketë. “Në popull është e përhapur edhe mënyra alternative e shërimit, mirëpo ne fuqishëm rekomandojmë që asnjë lloj terapie e tillë të mos përdoret nga ana e pacientëve përveç terapisë e cila është terapi me protokolle shëndetësore”, u shpreh ajo.

Edhe infermierja Arta Hyseni, e cila punon që tri vjet në Repartin e Internos në Pejë, ka rrëfyer për mënyrën e komunikimit me këta pacientë. “Komunikimi me pacientët diabetikë në fillim të diagnostikimit është pak më i vështirë, sepse atyre u nevojitet kohë derisa të mësohen. Ne duhet ta luajmë edhe rolin e psikologut”, u shpreh ajo.

Mësuesi Azizi i cili u diagnostifikua me diabet apelon te mediet dhe institucionet që të ketë më shumë informim për diabetin

Mësuesi me përvojë rreth 34-vjeçare në arsim, Ramadan Azizi, ka rrëfyer për gazetën “Epoka e re” momentet e marrjes së lajmit se është me diabet, qasjen jo të mirëfilltë të doktorit që e diagnostikoi dhe rëndësinë e mirinformimit të publikut sa i përket mundësisë së parandalimit të diabetit. Ai ka thënë se po të dinte se cilat janë masat preventive para se të diagnostikohej me diabet nuk do të vinte deri në situatën në të cilën është.

Azizi tregon se si shkoi te mjeku në mëngjes me rekomandimin e vajzës së tij, si e la mjeku të priste deri në orën 13:00 në korridoret e klinikës dhe si i lodhur nga pritja e gjatë doli jashtë, duke mos qenë në dijeni se çfarë e priste hëngri edhe qebapë.

E më t’i ardhur rendi i kontrollit, pas shumë orësh pritje, menjëherë mjeku i tha “që jeni me diabet dhe se shkalla e matjes së sheqertit është 13 për çka do të duhej menjëherë të hynte në terapinë diabetike”. “Mjeku që më ka kontrolluar më la të pres deri në orën 13:00 dhe unë duke mos e ditur se çfarë kam, dola jashtë dhe kam ngrenë qebapë dhe kur ma kanë matur sheqerin, ka dalë shkalla 13 dhe menjëherë atë ditë më kanë futur në terapi. Qasje e mjekut që më kontrolloi edhe sot ngelet e papranueshme”, tregon Azizi.

E me qasjen e mjekut arsimtari Ramadan Azizi thotë se s’u pajtua kurrë, por falë mbështetjes që mori nga familja, që nga dita e kumtimit të lajmit e deri më tani, ai thotë “e bëri që më lehtë ta kalonte këtë situatë”. “Më këtë s’jam pajtuar kurrë, por falë Zotit dhe dy vajzave që kanë studiuar për mjekësi, me rekomandimet e tyre dhe marrjen e ilaçeve, kam arritur ta marrë veten”.

Ai ka apeluar te mediet dhe institucionet kompetente që të kenë më shumë fushata informuese në mënyrë që të preventohet kjo sëmundje. “Duhet të ketë shumë më shumë informim nga institucionet kompetente dhe personeli mjekësor, sepse është shumë më mirë kur lajmi merret nga punëtorët shëndetësorë”, ka thënë Azizi.

Ai ka treguar se ndikimi i diabetit prek edhe familjen e gjerë, duke kërkuar kështu që edhe familja të ketë kujdes të shtuar për personin diabetik. “Unë e kam pas sheqerin dhe s’e kam ditur dhe ndërkohë e kam ngarkuar familjen, si vajzat ashtu dhe bashkëshorten, duke më bërë ushqimin enkas dhe më ka ra sheqeri në 5-6, pastaj ka lëvizur në 7-8. Është fakt që duhet të ketë më shumë informim, pasi njerëzit kur e dinë që kanë diabetin është më e lehtë”, ka thënë Azizi, duke shtuar se në familjen e tij askush s’kishte pasur ndonjëherë diabet dhe për atë nuk ka dyshuar në këtë sëmundje.

Arsimtari Ramadan Azizi ka apeluar te të gjithë personat diabetikë që mos të bien pre e lajmeve “fake news”, por të marrin vetëm medikamentet e shënuara nga mjeku dhe në çdo mënyrë t’i shmangen mjekësisë alternative apo gojëdhënave të popullit se gjoja me “X” ilaçet do të gjejnë shërim.
E bija e mësuesit Ramadan Azizi, i cili u diagnostikua me diabet, Kaltrina Azizi- Sadiku, pjesë e personelit shëndetësor, njëkohësisht edhe studiuese e gazetarisë, ka folur për gazetën “Epoka e re”. Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që të bëhet një qendër informuese e cila u dedikohet ekskluzivisht personave me diabet.

Azizi-Sadiku ka thënë se institucionet shëndetësore do të duhej që ta kishin një strategji komunikimi lidhur me diabetin. Sipas saj, është tejet e rëndësishme të kemi qendra kontaktuese lidhur me diabetin. “Është shumë e rëndësishme të ketë qendra kontaktuese informuese për grupe të caktuara të njerëzve, pasi marrin informacione adekuate prej njerëzve profesionistë, jo prej reklamave dhe marketingut apo personave që s’kanë të bëjnë asgjë për mjekësi. Andaj, është tejet e rëndësishme informimi i mirëfilltë”, u shpreh ajo, duke theksuar se në kuadër të mjekësisë familjare ekziston Këshillimore e Diabetit por, sipas saj, duhet të ketë më shumë informim për këtë sëmundje në mënyrë që të parandalohet.

E që njeriu mund ta ketë diabetin, por të mos jetë i informuar për gjendjen e tij shëndetësore, e ka thënë edhe pacienti tjetër i diagnostifikuar me diabet, Selim Tahirukaj. Ai ka treguar se për sëmundjen e diabetit e mori vesh pasi pësoi aksident në vitin 2012.

“Pas një aksidenti në vitin 2012 për herë të parë e kam kuptuar që kam diabet dhe nga atëherë isha vetëm me terapi diabetike. Deri para një viti s’kam marrë insulinë, vetëm tableta. Tani jam me një dozë të vogël të insulinës”, ka deklaruar ai. Tahirukaj ka thënë se lexon vazhdimisht mediet dhe lajmet për diabetin, sipas tij, vërehen raportime më të shumta për këtë sëmundje të cilën ai e cilësoi si sëmundja e shekullit si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri. Megjithëkëtë, ai apelon që të ketë edhe më shumë artikuj rreth diabetit. “Unë lexoj vazhdimisht. Lexoj lajme në portale dhe kohët e fundit shoh se ka raportime më shumë për diabetin si në Kosovë edhe në Shqipëri. Po mendoj se kanë filluar t’i japin më shumë rëndësi kësaj sëmundje, e cila mund të quhet sëmundje e shekullit. Apeloj që të ketë më shumë informim si për këshilla ashtu dhe për zbulimet e fundit që mund të jenë rreth diabetit”, u shpreh Tahirukaj.

Maliqi bën thirrje për fushata vetëdijesuese dhe sensibilizuese për personat diabetikë

Edhe gazetarja dhe openionistja Afërdita Maliqi, së cilës i vdiq babai nga sëmundja e diabetit, ka treguar sfidat me të cilat është përballur babai i saj i ndjerë, si dhe preokupimet që kanë pasur si familje karshi kësaj sëmundje. Sipas saj, njëlloj siç ka fushata sensibilizuese, informim të shumtë medial dhe marshe për kancerin e gjirit, ashtu duhet të ketë edhe për diabetin. “Sëmundja e diabetit është një sëmundje që vret ngadalë. Njerëzit që janë me diabet në të shumtën e rasteve mendojnë se janë mirë për shkak se disa përdorin terapi e disa insulinë. Mirëpo, duke e pasur përvojën familjare me babën, unë s’kam parë ndonjë fushatë sensibilizuese për vetëdijesim nga institucionet përgjegjëse karshi diabetit, siç shohim për shembull fushata vetëdijesuese për kancerin në muajin tetor-rose. Shohim debate vazhdimisht, shohim reklama, marshe për vetëdijesim të rrezikut të kancerit të gjirit, por unë s’kam parë diçka të tillë për rrezikun e diabetit dhe pasojat që sjellë diabeti”, u shpreh ajo.

Maliqi ka thënë se përkundër shpresës së familjes dhe personit të prekur nga diabeti se situata është mirë, në çdo moment ajo ndryshon. “Diabeti është një lloj sëmundje që ndoshta ka raste kur familjarët dhe personi diabtetik mendon se është mirë, por në një moment ndryshon situata. Nëse vetëdijesim dhe identifikimi i diabetit bëhet në fazë të hershme edhe personat që kanë për të jetuar me një njeri diabetik kanë më qenë më ndryshe, pasi diabeti shkakton dhe nervozë për personin e prekur. E kanë një ndjenë për t’u ushqyer më shumë e që në zhargonin popullor e kam dëgjuar që e quajnë ‘sëmundja e teprisë’”, ka thënë ajo.

Sipas Maliqit, nëse do të kishte informim dhe vetëdijesim më të madh nga ana e institucioneve, numri i personave diabetikë do të ishte më i vogël. “Nëse kish pasur një vetëdijesim dhe një mënyrë më të përgjegjshme nga institucionet, sigurisht që do të kishim më pak njerëz të prekur nga diabeti”, tha ajo.

Maliqi tutje thotë se sëmundja e diabetit për shkak të mosinformimit të duhur është e rëndë si për personat e prekur, po ashtu dhe për familjarët e tyre. Ajo më tutje ka përshkruar dhe momentet kur shtrohet tryeza familjare dhe në prani të këtyre personave shpesh nga mosinformimi hanë dhe ushqime nga të cilat diabetikët janë të privuar.

“Ta jep një shembull siç e thash sëmundja e diabetit i stimulon më shumë diabetikët që të hanë pavarësisht se mjekët u rekomandojnë që të kenë një dietë strikte dhe nuk guxojnë të hanë ushqime tjera, kurse familja shpeshherë është e pavetëdijshëm kur shtrohet tryeza dhe ushqimi që është përgatitur nuk duhet të konsumohet në prani të personit diabetik. Kjo vjen si pasojë e mosvetëdijesimit dhe si pasojë e asaj që njerëzit s’dinë si të reagojnë me familjarët që kanë dietë”, tha ajo.

Maliqi tha se është tejet e vështirë për familjarët kur diabeti shkon në fazën më të keqe e që është amputimi i gjymtyrëve të trupit. “Kur vjen ajo faza kritike është shumë e rëndë. E sheh njeriun tënd t’u vuaj. Ia sheh dhimbjen dhe duke iu preh pjesët e trupit. Pra, diabeti vjen në një fazë që shpërthen dhe duhet të amputohet këmba, e që është pjesa më e vështirë për familjarët dhe për personin që është më diabet”, ka theksuar Maliqi.

E për ndikimin e bulëzimit, që në gjuhën e popullit deri vonë identifikohej edhe si “sëmundja e teprisë”, ka folur edhe studiuesja e psikologjisë, Visare Berisha. Ajo ka theksuar se mbështetja psikologjike për personat diabetikë është thelbësore për shkak të mundësisë së bullizmit. “Mbështetja psikologjike është thelbësore për këta individë të rinj, pasi reagimi i tyre emocional ndaj bullizmit mund të ndikojë thellë në aftësinë e tyre për të përballuar diabetin. Një psikolog klinik mund të ofrojë ndërhyrje të domosdoshme duke i ndihmuar ata të zhvillojnë mekanizma përballues, të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe të krijojnë një rrjet social mbështetës. Ndërhyrja e hershme është kyçe, sepse plagët psikologjike të bullizmit mund të çojnë në trauma emocionale afatgjata, duke ndikuar potencialisht në vetëvlerësimin, aftësitë sociale dhe shëndetin e përgjithshëm mendor”, ka thënë Berisha.

Sipas saj, ofrimi i një hapësire të sigurt për fëmijët për të diskutuar përvojat e tyre dhe për t’i ndihmuar ata të navigojnë sfidat e tyre sociale dhe mjekësore mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e tyre të jetës. “Bullizmi ka një ndikim të thellë te fëmijët dhe adoleshentët me sëmundje kronike si diabeti tip 1, pasi studimet tregojnë një përhapje më të lartë të viktimizimit në këto grupe krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm”, ka thënë Berisha për gazetën “Epoka e re”, duke shtuar se ky viktimizim jo vetëm që ndikon në mirëqenien e tyre emocionale por gjithashtu përkeqëson kontrollin e glicemisë, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e sëmundjes.

“Bullizmi, qoftë fizik, verbal apo psikologjik, shton stresin e menaxhimit të një sëmundjeje kronike, veçanërisht në mjedise publike si shkolla, ku fëmijët me diabet shpesh përballen me vështirësi në socializim dhe ndihen të izoluar për shkak të gjendjes së tyre”, u shpreh ajo.

Sipas saj, kjo barrë e dyfishtë e menaxhimit të sëmundjes dhe përballjes me përjashtimin social mund të çojë në rritjen e ankthit dhe depresionit, duke e komplikuar edhe më shumë shëndetin e tyre. “Nga ana tjetër, të rriturit me diabet tip 1 mund të jenë më të pajisur për të përballuar bullizmin ose stigmatizimin shoqëror, pasi shpesh kanë më shumë përvojë jetësore dhe aftësi përballuese. Megjithatë, kjo nuk ul nevojën për mbështetje psikologjike tek të rriturit, veçanërisht për ata që e kanë përjetuar sëmundjen që në fëmijëri”, ka thënë Berisha. /Albulena Mavraj/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Studimet konfirmojnë: Nëse dhjetë minuta në ditë i bëni masazh kokës, do të përmirësoni punën e zemrës dhe do të rregulloni presionin e gjakut!

Studimet konfirmojnë: Nëse dhjetë minuta në ditë i bëni masazh kokës, do të përmirësoni punën e zemrës dhe do të rregulloni presionin e gjakut!

Shëndetësi
Kalo në kategori