Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tre të pandehurve, të dyshuar për vrasje në tentativë, posedim të paautorizuar të armës dhe pjesëmarrje në rrahje, pas një përleshjeje të ndodhur të hënën në Gjakovë.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, gjatë së cilës një person është plagosur me armë zjarri.


Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit me inicialet H.D., A.D. dhe E.G. janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një i mitur është ndaluar për 24 orë.

Prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet dhe ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Gjakovë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve.

Ndaj H.D. kërkesa për paraburgim është bërë nën dyshimin e bazuar për veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, A.D. dhe E.G. dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

“Lidhur me këtë rast është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe është parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Edhe ndaj të miturit, i cili dyshohet për “Pjesëmarrje në rrahje”, është ndërmarrë procedurë ligjore, ndërsa rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po vazhdon veprimet procedurale dhe hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Telegrafi/