Një rast i rëndë i vrasjes ka ndodhur në Prizren gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, më 26 gusht 2026.

Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës dhe dyshohet se viktimë është një grua, e cila dyshohet se është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.


Pas pranimit të informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Sipas Prokurorisë, ekipet kanë zhvilluar procedurat hetimore në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të zbardhjes së motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Telegrafi/