Profili në Facebook i njohur si “Lule Gjeli” është bërë objekt i hetimeve nga Prokuroria Speciale, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje debatin për profilet e rreme, gjuhën e urrejtjes, shantazhin dhe sulmet e koordinuara në rrjetet sociale. Deputetë pjesëtarë nga shoqëria civile KDI kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe hetimin e çdo lidhjeje të mundshme.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me rastin e njohur si “Lule Gjeli”, duke kërkuar veprim të shpejtë nga Prokuroria.


Hoti ka thënë se për vite me radhë, gjuha e urrejtjes, linçimi publik, shpifjet dhe fushatat e koordinuara kanë dëmtuar debatin politik në Kosovë.

Sipas tij, emra, profile anonime dhe mekanizma propagandistikë janë përdorur për të sulmuar personat që kanë menduar ndryshe.

“Rasti Lule Gjeli duhet të shërbejë si këmbanë alarmi. Nga hetimet do të zbulohen lidhjet e ‘Lule Gjelit’ me makinerinë propaganduese të VV-së dhe se nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të të bërit politikë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të veprojë me urgjencë, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Aq më pak ata që, në emër të pushtetit, kanë mbjellë urrejtje dhe përçarje në shoqëri”, ka deklaruar Hoti.



Ndërkohë deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj profilit në Facebook “Lule Gjeli”, i cili dyshohet për përhapje të gjuhës së urrejtjes, kërcënime dhe shantazh.

Deliu ka njoftuar se të hënën do të paraqitet në Prokurorinë Speciale për ta denoncuar rastin dhe për të ofruar informacionet që posedon. Ajo u ka bërë thirrje edhe personave të tjerë që pretendojnë se janë kërcënuar, shantazhuar apo fyer nga ky profil që t’i dorëzojnë dëshmitë e tyre te organet e drejtësisë.

Poashtu, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se profile të tilla të rreme janë shfaqur ndër vite ndaj personave që kanë kritikuar vendimet apo veprimet e pushtetit.

Cakolli ka ngritur dyshime se profilet që përdorin të njëjtën gjuhë dhe metodologji sulmesh mund të kenë prapavijë politike, duke kërkuar që rasti “Lule Gjeli” të hetohet deri në fund për të zbuluar identitetin, motivet, lidhjet dhe financimin eventual.

Sipas tij, një hetim i plotë do të mund të tregonte nëse pas këtyre profileve ka funksionuar një skemë më e gjerë, ndërsa ka paralajmëruar se tolerimi i sulmeve të tilla online ka ndikuar në polarizimin e shoqërisë dhe ka dëmtuar debatin publik./Telegrafi/