Islami: Vlerësimi i NATO-s dhe KFOR-it për sigurinë në Kosovë, goditje për politikat e Vuçiçit

Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me vlerësimin pozitiv të gjendjes së sigurisë në Kosovë nga NATO dhe KFOR-i, duke e konsideruar këtë zhvillim si një goditje për politikat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një reagim të tij në postimin e tij në Facebook ka shkruar se vlerësimi pozitiv i situatës së sigurisë, së bashku me rritjen e besimit ndaj institucioneve vendase, dëshmon për një përparim të rëndësishëm në konsolidimin e sigurisë në Kosovë.
Sipas tij, vendimi i KFOR-it për bartjen graduale të përgjegjësive te Policia e Kosovës, përfshirë edhe lokacione të ndjeshme si Manastiri i Deçanit dhe Ura e Ibrit, tregon përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve vendase të sigurisë.
“Ky plan tranzicioni po zëvendëson trupat ndërkombëtare me policinë vendase, duke garantuar siguri të barabartë për të gjithë”, ka deklaruar Islami.
Analisti i sigurisë ka vlerësuar gjithashtu se reagimet e Beogradit ndaj këtyre zhvillimeve janë shoqëruar me retorikë agresive dhe kërcënuese, të cilat, sipas tij, dëshmojnë për dështimin e strategjisë së Serbisë.
Islami ka thënë se procesi i bartjes së përgjegjësive te institucionet vendase po ndryshon gradualisht realitetin e sigurisë në Kosovë dhe po zbeh atë që ai e cilëson si “mit të Beogradit zyrtar”. /Telegrafi/









































