LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet drejtësi për fëmijët e vrarë gjatë luftës

Kërkohet drejtësi për fëmijët e vrarë gjatë luftës

Kosova nuk po arrin të vendos drejtësi për fëmijët e vrarë gjatë luftës. Prej kur hetimi i krimeve ka kaluar në kompetencat e institucioneve vendore, kjo çështje nuk ka qenë prioritet për politikëbërësit. Deri më tani 70 persona janë dënuar me vendime të plotfuqishme, ndërkohë që monitorues të këtyre proceseve përmendin dy procese gjyqësore në Serbi për masakrat në familjen Bogujevci dhe Bulliqi në Podujevë dhe për vrasjen masive e zhdukjen e trupave në Tërrnjë të Suharekës. Nga Ministria e Drejtësisë zotohen se kanë prioritet adresimin e krimeve të luftës.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 109 fëmijë rezultojnë të zhdukur, ndërsa mbi 1024 të tjerë janë vrarë. Bekim Blakaj thotë se për të gjithë këta edhe pas dy dekadave ka qenë e mohuar drejtësia, mbi të gjitha as institucionet vendore nuk kanë punuar sa duhet.


“Ne nuk jemi të kënaqur me drejtësinë që iu është ofruar viktimave deri më tani. Tashmë janë bërë 22 vjet pas përfundimit të luftës dhe janë krejt rreth 70 personave që janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte. Megjithatë, shumica e rasteve që janë në procedurë para një dhome speciale për krime lufte në Serbi, ato krime kanë qenë edhe ndaj fëmijëve”, potencon Blakaj.

Ai thekson se në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është me rëndësi vendosja e bashkëpunimit juridik në mes të dyja vendeve, meqë kriminelët serbë edhe pas dy dekadave po sillen të lirë.

Blakaj tregon për proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Serbi dhe për numrin e personave të përfshirë edhe në masakra ku u vranë shumë fëmijë.

“Bëhet fjalë për dy procese gjyqësore që kanë të bëjnë me masakrën që ka ndodhur në Podujevë me 28 mars ’99, ku janë vrarë fëmijë, gra dhe pleq të familjeve Bogujevci dhe Bulliqi. Është një numër prej pesë personave të cilat janë të dënuar për këtë masakër. Po ashtu ka qenë një gjykim për krimin masiv që është kryer me 26 mars të vitit ’99 të familjes Berisha në Suharekë, ku edhe aty ka pasur një numër shumë të madh të fëmijëve që janë vrarë. Gjithashtu në atë proces gjyqësor ka të dënuar dhe ndërlidhet me një vrasje masive dhe zhdukjen e trupave në fshatin Tërrnjë të komunës së Suharekës, është një krim që ka ndodhur me 25 mars të vitit ’99. Edhe për atë rast është vetëm një i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm”, deklaron Blakaj.

Kur flitet për zbardhjen e fatit të fëmijëve dhe të tjerëve të cilët ishin pjesë e masakrave, gishti po u drejtohet të gjitha partive politike që deri më tani kanë qenë në pushtet.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress, se për dy dekada nuk ka pasur strategji të qartë për hetimin e krimeve të luftës.

“Është bërë pak, për të mos thënë është bërë asgjë deri më tani. Në vitin 2014, kur kompetencat e ndërkombëtarëve bartën në Prokurorinë Speciale të Kosovës, do të duhej që të kishim së paku një databazë, të kishim të qartë numrin e personave të cilët janë duke u hetuar, informatat që kanë marrë për këta persona që pastaj të kërkohet nga kuvendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës që të trajtohen këto lëndë. Me vet faktin që brenda vitit kemi numër të papërfillshëm të aktakuzave që ngritën për krime lufte, ku përfshihen fëmijët, gratë, të moshuarit, të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, mund të themi që për 21 vite prej kur ka përfunduar lufta, qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i, qoftë institucionet e Republikës së Kosovës iu kanë ofruar pandëshkueshmëri të plot të gjithë atyre kryerësve të krimeve në Kosovë”, u shpreh ai.

Sipas një raporti të IKD-së më shumë ka të dënuar shqiptarë për krime lufte se sa serbë.

“Më shumë janë të dënuar për krime lufte shqiptarët, se sa serbët apo personat përgjegjës që kanë kryer krime lufte në Kosovë që kanë qenë kryesisht nga aparati shtetëror i dhunës serbe, qoftë nga ushtria, policia, apo civilë të cilët me mbështetjen e aparatit shtetëror të dhunës së Jugosllavisë kanë keqpërdorur dhe kanë kryer krime në Kosovë”, shton ai.

Nga kabineti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu thonë se e kanë prioritet adresimin e krimeve të luftës, me përgatitjen e koncept-dokumentit dhe duke mbledhur fakte dhe dëshmi për atë periudhë.

“Lidhur me numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve, tashmë Ministria e Drejtësisë ka ndarë buxhet për rritjen e numrit të tyre, i cili do të përplotësohet me 4 prokurorë të tjerë, 6 bashkëpunëtorë dhe 2 përkthyes. Gjithashtu, iu bëjmë të qartë që Ministria e Drejtësisë ka kompletuar ndryshimet ligjore sa i përket gjykimit në mungesë të kriminelëve të luftës”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala thotë për KosovaPress, se me kapacitet aktuale është e pamundur të hetohen këto krime.

“Kosova nuk ka pasur kapacitete paslufte për të ndjekur krimet e luftës, por as për të gjykuar krimet e luftës. Por edhe tash me këtë kapacitet që ka qoftë të prokurorëve, hetuesve, gjykatësve, nëse nuk bëhet një rritje e numrit do të kalojnë me qindra vite për të gjykuar ata të cilët kanë bërë krime, por jam i bindur që pavarësisht vullnetit politik të deklaruar, mendoj se është problem sepse kemi mungesë të profesionistëve të fushës”, shprehet ai.

Tash e disa muaj në bibliotekën “ Hivzi Sylejmani” janë ekspozuar rroba, këpuca, çanta shkolle, lodra dhe tregime të shkurtra që ngjallin kujtimet për mbi 1 mijë fëmijë të vrarë në Kosovë. /kp/