Vazhdimisht është në rritje numri i njerëzve të cilët janë duke pasur probleme të bien dhe të qëndrojnë në gjumë, ndërkaq, sipas hulumtuesve, për këtë duhet fajësuar teknologjia dhe telefonat e mençur.

Analizimi i të dhënave të rreth 165,000 të rriturve ka treguar se numri i personave që raportojnë se kanë vështirësi të bien në gjumë të paktën një herë në javë është rritur për 1.5% mes viteve 2013 dhe 2017, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, numri i personave që kanë vështirësi të qëndrojnë në gjumë është rritur për 2.7%.

Këto përqindje mund t’ju duken të vogla, por faktikisht nënkuptojnë se rreth 5 milionë njerëz vetëm në Amerikë po kanë probleme me gjumë.

Ajo se sa orë gjumë i bëjmë gjatë një nate është tejet e rëndësishme për shëndetin e njeriut, por gjithashtu edhe kualiteti i gjumit.

Sa i përket shkaktarit të këtij problemi, hulumtuesit thonë se ekziston një lidhje mes përdorimit të telefonit të mençur dhe mungesës së gjumit.

Përndryshe, mungesa e gjumit apo gjumi me kualitet të dobët e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe shumë sëmundjeve tjera.

Vlen të ceket se studimi është publikuar së fundmi online në revistën “Sleep Health”. /Telegrafi/