Katarakti përparon më ngadalë me këto zakone: Gjashtë mënyra natyrale për ta ruajtur shikimin

Një pjesë e asaj që bëni çdo ditë mund të ndikojë në shëndetin e syve dhe në mënyrën se si përparon katarakti
Katarakti zhvillohet ngadalë, por me kalimin e kohës mund të shkaktojë dëmtime serioze të shikimit. Nëse jeni të prirur për zhvillimin e saj, disa ndryshime në mënyrën e jetesës mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Katarakti mbetet shkaku kryesor i verbërisë së parandalueshme në mbarë botën, duke prekur miliona njerëz çdo vit. Megjithatë, ajo që shumë njerëz nuk e kuptojnë është se mënyra e jetesës që ndjekim çdo ditë mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin dhe përparimin e kësaj sëmundjeje.
Oftalmologët dhe ekspertët e shëndetit të syve veçojnë gjashtë zakone që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shikimit dhe në uljen e rrezikut të zhvillimit të kataraktit në moshë të madhe.
Si zhvillohet katarakti?
Katarakti shfaqet kur thjerrëza natyrale e syrit bëhet e turbullt, duke shkaktuar shikim të paqartë, ndjeshmëri më të madhe ndaj shkëlqimit dhe, në rastet e avancuara, humbje të konsiderueshme të shikimit nëse nuk trajtohet.
Edhe pse mosha është faktori më i zakonshëm i rrezikut, zhvillimi i kataraktit ndikohet edhe nga zakonet e përditshme dhe, në disa raste, përparimi i saj mund të ngadalësohet.
Dr. Mandeep Singh Basu, drejtor i Qendrës për Kujdesin e Syve “Dr. Basu”, ka veçuar disa mënyra që mund të ndihmojnë në ngadalësimin natyral të përparimit të kataraktit, transmeton Telegrafi.
Mbroni sytë nga rrezatimi UV
Një nga faktorët më të zakonshëm të rrezikut për zhvillimin e kataraktit është ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit ultraviolet (UV) të diellit.
Një nga mënyrat më të mira për t’i mbrojtur sytë është përdorimi i syzeve të diellit që bllokojnë 100 për qind të rrezeve UVA dhe UVB sa herë që dilni jashtë, pavarësisht kushteve të motit.
Kapelat me strehë të gjerë mund të ofrojnë mbrojtje shtesë, pasi zvogëlojnë sasinë e dritës së diellit që bie drejtpërdrejt në sy.

Zgjidhni ushqime që mbrojnë shikimin
Ajo që hani mund të ketë ndikim të rëndësishëm në shëndetin e syve. Sipas një studimi të publikuar në revistën Frontiers in Pharmacology, ushqimet e pasura me antioksidantë, si perimet me gjethe jeshile, spinaqi dhe lakra jeshile, si dhe frutat me ngjyra të ndezura, si portokalli dhe mangoja, mund të ndihmojnë në mbrojtjen e syve.
Ushqimet e pasura me vitamina C dhe E ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira, të cilat mund të dëmtojnë thjerrëzën e syrit. Peshqit si salmoni janë të pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat gjithashtu kontribuojnë në shëndetin e syve.
Ndaloni duhanin
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhanpirësit kanë dy deri në tri herë më shumë gjasa të zhvillojnë katarakt krahasuar me joduhanpirësit.
Duhani fut përbërës toksikë në qarkullimin e gjakut, ul nivelin e antioksidantëve në sy dhe përshpejton dëmtimin oksidativ të thjerrëzës.
Lënia e duhanit, pavarësisht moshës, është një nga vendimet më të rëndësishme që mund të merrni për shëndetin e syve.
Mbani nën kontroll sëmundjet kronike
Sëmundjet kronike, si hipertensioni dhe diabeti, lidhen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e kataraktit. Për shembull, niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të përshpejtojë turbullimin e thjerrëzës.
Barnat e përshkruara nga mjeku, ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak, tensionit arterial dhe kolesterolit, duke kontribuar në mbrojtjen e syve dhe ngadalësimin e zhvillimit të kataraktit.
Kufizoni konsumimin e alkoolit
Konsumimi i tepërt i alkoolit lidhet me rrezik më të lartë për zhvillimin e kataraktit. Alkooli mund të ulë nivelin e disa lëndëve ushqyese të rëndësishme në organizëm dhe të rrisë stresin oksidativ në thjerrëzën e syrit.
Nëse dëshironi ta ruani shëndetin e shikimit për një kohë të gjatë, rekomandohet të kufizoni konsumimin e alkoolit ose ta shmangni plotësisht.
Kontrollojeni rregullisht shikimin
Ndoshta një nga masat më të rëndësishme është kontrolli i rregullt te okulisti. Shenjat e hershme të kataraktit, por edhe të sëmundjeve të tjera të syve, si glaukoma dhe degjenerimi makular, mund të zbulohen para se të shfaqen simptoma të theksuara.
Nëse problemi zbulohet në kohë, trajtimi mund të nisë më herët dhe rezultatet mund të jenë më të mira.
Të rriturit mbi 40 vjeç duhet t’i kontrollojnë sytë rregullisht, të paktën çdo dy vjet, ndërsa pas moshës 60-vjeçare rekomandohet kontrolli një herë në vit. /Telegrafi/








































