Këngëtarët shqiptarë që jetuan si emigrant (Foto)

Falë famës dhe karrierës së ndërtuar ndër vite shumë nga personazhet e famshme shqiptare kanë arritur të krijojnë edhe një standard të lartë të jetesës.
Janë fokusuar në ndërtimin e karrierës në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa koncertet e mbrëmjet muzikore i kanë mundësuar të vizitojnë vende të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Por jeta e tyre jo gjithmonë ka qenë e tillë, disa nga artistët tanë shumica për shkaqe ekonomike ishin emigrantë në shtete të ndryshme të botës.
Anabel ka krijuar një listë që tregon personazhet e famshme shqiptare që jetuan dikur si emigrantë duke treguar edhe historitë e tyre./Telegrafi/
Miriam Cani Miriam Cani u bë e njohur në Gjermani, pasi fitoi një talent-show duke u përzgjedhur si pjesë e grupit pop të vajzave ‘The Predulers’. Ndonëse edhe pasi grupi u nda, ajo vijoi karrierën në Gjermani, këtë herë si moderator e programeve muzikore në televizionin gjerman, ajo nisi të krijonte një karrierë edhe në vendin e saj, fillimisht duke marrë pjesë në Festivalin e Këngës, e më pas me ‘Chicago’, musical-in që e bashkoi me Alban Skënderajn, çka do ta sillte përfundimisht Miriamin në Shqipëri.
Eli Fara Një prej këngëtareve më të famshme të folkut shqiptar, Eli Fara, u largua për në Shtetet e Bashkuara duke u bërë qytetare amerikane e megjithatë, ajo u kthye përsëri në Shqipëri për koncerte në vitin 2007, e më pas u zhvendos përsëri këtu, së bashku me të bijën, Marinën. Lidhur me këtë Eli është shprehur se ndihet më mirë në vendin e saj, më e vlerësuar si këngëtare dhe më e mirëpaguar.
Ermonela Jaho Sopranoja e mirënjohur shqiptare është larguar nga vendi në vitin 1993, pasi fitoi një konkurs të organizuar në Shqipëri nga sopranoja italiane Katia Riçarelli. Pasi u zhvendos në Itali ku studioi për kanto dhe piano, Jaho është shpallur fituese e disa konkurseve tepër të rëndësishme dhe karriera e saj, ka pasur një rritje të menjëhershme duke bërë që sopranoja të performojë në disa prej skenave më prestigjoze në botë. Rolet e saj kanë marrë kritika të shkëlqyera dhe sopranoja është e prenotuar për vite të tëra në vazhdim, nga disa prej shtëpive më prestigjoze të operas në botë si Opera Mbretërore e Londrës, Opera Nacionale e Parisit etj.
Frederik Ndoci Frederik Ndoci u nis për në Amerikë në vitet ’90, me shpresa të mëdha. E megjithatë, pas shumë vitesh jetesë atje, duke regjistruar disa albume kryesisht në rrymën e pop-it latin, ai vendosi t’i kthehej përsëri Shqipërisë në vitin 2006, kur mori pjesë në Festivalin e Këngës dhe u zgjodh si përfaqësues e Shqipërisë në Eurosong. Së fundmi, në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Sot’, Ndoci tregoi se kishte ndërmend të kthehej përsëri në Amerikë, pasi ishte shumë i zhgënjyer nga vendi tij, tashmë edhe si baba i fëmijëve me bashkëshorten Alisa.
Merita Halili Këngëtarja e mirënjohur e folkut të Shqipërisë së Mesme ka nisur të këndojë që në moshë shumë të vogël, dhe kur ishte 17 vjeç u bë e njohur për zërin e saj. Në vitet ’90, si shumë artistë shqiptarë ajo u shpërngul bashkë me familjen në Shtetet e Bashkuara, ku vijoi të këndonte për shqiptarët në Amerikë por edhe për amerikanët, duke përshtatur edhe motivet shqiptare në anglisht, që këngët të kuptoheshin edhe nga publiku atje. Gjithmonë me bashëkshortin, ajo merr pjesë në shumë koncerte e megjithatë, është kthyer për të kënduar në Shqipëri në 2012-ën në spektaklin ‘Këngët e Shekullit’, së bashku me bashkëshortin Raif Hyseni.
Saimir Pirgu Tenori i suksesshëm ka lindur në Elbasan, ku është diplomuar si violinist e më pas ka studiuar në konservatorin “Claudio Monteverdi” në Bolzano, ku u diplomua për kanto në moshën 21-vjeçare. “I mbrojturi” i tenorit të madh Luciano Pavarotti, në karrierën e tij relativisht të re ka fituar çmime prestigjoze të botës operistike dhe ka performuar në skenat më të rëndësishme botërore ku ka marrë kritika të shkëlqyera. Pirgu është një prej artistëve më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, i cili herë pas here, rikthehet në vendin tonë për të dhënë shfaqje.
Parashqevi Simaku Një ndër ikonat e Festivalit të Këngës, Parashqevi Simaku, u largua për në Amerikë në vitin 1993, ku nisi të jetonte në Nju Jork e më pas në Los Angeles. Atje ajo njohu Robert, që më vonë do të bëhej babai djalit të saj, Luke, tani 13 vjeç. Njëfarë kohe, qarkulloi lajmi se Simaku kishte nënshkruar një kontratë me një shtëpi të madhe diskografike në Amerikë, megjithatë nuk u dëgjua më asgjë tjetër për karrierën e saj. Është mësuar se Parashqevi Simaku është divorcuar nga bashkëshorti Robert, dhe sipas Jolanda Dhamos, ajo ka kaluar një paralizë faciale që nuk e lejon të këndojë.
Alban Skënderaj Alban Skënderaj jetonte në Itali kur krijoi këngën ‘Vetëm ty”. Pasi tentoi të konkurronte me këtë këngë në Festivalin e Këngës, por nuk u pranua nga juria, ai dërgoi CD-në e baladës ‘Vetëm ty’ në Top Fest, ku jo vetëm që kënga do të pëlqehej shumë, por do të kthehej në një himn duke u shpallur fituese pa asnjë dyshim. Dhe gjithashtu, duke e kthyer Skënderajn në një ndër kantautorët më të famshëm. Që atëherë, ai u shpërngul përsëri në Shqipëri, ku u njoh edhe me nënën e ardhshme të fëmijës së tij, Miriamin, duke lënë pas në Itali vëllain e tij, Taulantin.
Noizy Në vitin 1997, Rigels Rajku së bashku me familjen e tij udhëtuan për në Angli, për të kërkuar një jetë më të mirë. Siç ka treguar Noizy, siç njihet tani gjerësisht, ai ka jetuar në një prej lagjeve më të rrezikshme të Londrës, ku ka mësuar edhe të ndeshet në street fight, (ndeshje rruge). Ai filloi të merrej edhe me muzikë e, ishte pjesëmarrja e tij në këngën magjikeb me këngën ‘Veç për ty’ në vitin 2007, që do ta bënte gjerësisht të njohur në Shqipëri. Më pas Noizy do të kthehej në Shqipëri duke u bërë një prej reperët më të famshëm së bashku me grupin e tij OTR.
Elhaida Dani Këngëtarja shkodrane u bë e njohur pasi fitoi “Star Academy” në vitin 2009 dhe “Top Fest” në vitin 2012. Në po këtë vit, ajo u zhvendos në Itali ku u shpall fituese e “The Voice of Italy” dhe emri i saj u bë edhe më i njohur në botë, pas pjeëmarrjes në festivalin e “Eurosong”.




































































